Vasfije Krasniqi-Goodman, jeta pas tmerrit dhe lufta me padrejtësinë

Intervista

Vasfije Krasniqi-Goodman, jeta pas tmerrit dhe lufta me padrejtësinë

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 2 janar 2020 Në ora: 08:31
Vasfije Krasniqi-Goodman

Vasfije Krasniqi-Goodman, jo shumë kohë më parë, e ka thyer heshtjen duke treguar rrëfimin e saj tronditës për dhunën seksuale që përjetoi gjatë luftës në Kosovë, 20 vjet më parë. Ajo, mes emocionesh të forta, kishte rrëfyer ngjarjen e rëndë që ajo e përjetoi si 16 vjeçare.

Sot Vasfija si një heroinë nga Kosova ka menduar që edhe të shkruaj një libër sa i përket luftës dhe krimeve që janë bërë në Kosovë dhe atë në bashkëpunim më vëllanë e saj, i cili gjatë gjithë kohës e ka përkrahur. Në intervistën ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Vasfija ka folur mbi jetën e saj si gruaja e parë që ka thyer një tabu në shoqërinë e Kosovës duke rrëfyer tmerrin e përjetuar gjatë luftës.

“Bota sot” Pa dashur t”iu pyes edhe njëherë për ngjarjen e tmerrshme që ju keni përjetuar gjatë luftës, na tregoni si ndieni sot?

Vasfije Krasniqi-Goodman : Nëse më pyesni se si ndjehem në aspektin emocional, më duhet të them se unë gjate viteve të shkuara kam pasur fatin që në familje të ndjehem e lirë për të folur rreth përvojës sime me të kaluarën, por siç e kemi thënë disa here se nuk kemi pranuar që të vuajmë pafundësisht sepse ai edhe ka qenë qëllimi I krimineleve që ma shkaktuan krimin dhe për këtë kisha marrë vendim që duhej të jetoja jetën pavarësisht se çfarë më kishte ndodhur. Por, për sa i përket asaj se si ndjehem në këtë kohë, unë me të vërtetë vitin që po e lëmë pas kam pasur shumë angazhime gjithandej botës, duke qenë vazhdimisht në rrugë dhe sigurisht se kjo ka ndikuar në aspektin time fizik. Por, angazhimi im duke evokuar për shumë çështje që kanë të bëjnë me dhunën seksuale, dhe duke dhënë kontributin tim po mendoj që po ndjehem sado pak e përmbushur.

“Bota sot”: Ju jeni gruaja e parë që keni thyer një tabu në shoqërinë e Kosovës pasi keni rrëfyer tmerrin e përjetuar gjatë luftës. Na thoni si ju erdhi guximi të dilni publikisht dhe ta tregoni gjithë ngjarjen.

Vasfije Krasniqi-Goodman: Unë sigurisht se kam qenë e gatshme që të flas hapur shumë kohë më herët, por rrethanat e kohës ishin ato që e kanë shtyrë deri në vitin e kaluar. Kur them se kam qenë e gatshme, nisem nga ajo se në familjen time gjërat thuhen dhe fliten hapur, jo vetëm këtu në Amerikë por edhe në Kosovë, sidomos familja në Kosovë, dhe ne kishim vendosur që të ballafaqoheshim, dhe, ja që ndodhi. Ka shumë arsye që unë personalisht dhe familja ime në Kosovë kemi vendosur të flasim hapur. Por, mendoj dhe besoj ende se ka qenë koha e duhur që ne të flasim hapur për të kaluarën time.

“Bota sot” Na tregoni diçka më shumë për kriminelet që kanë bërë atë krim dhe që sot janë të lirë. Pse mendoni se nuk e morën dënimin e merituar?

Vasfije Krasniqi-Goodman: Çfarë më duhet të them për kriminelët, përveç se ata sot janë të lirë dhe jetojnë ndoshta duke u paguar nga taksat që familja ime paguan për shtetin, dhe për neve është shumë dekurajuese kur e dimë se ata janë të lire përkundër asaj çka më kanë bërë mua. Për sa i përket se përse nuk janë dënuar unë nuk di çfarë të them, vetëm se jam thellësisht e thyer në shpirt, por jo vetëm unë.

Ju mund ta e vëreni këtë edhe tek deklarimet e vllait, i cili ka bërë shumë për të arritur drejtësinë unë dhe familja ime, sepse ajo që më ka ndodhur mua ka qenë krim i drejtuar kundër familjes dhe sigurisht se as unë, por as edhe vëllai im nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi.

“Bota sot” A mendoni se shteti i Kosovës ka bërë sa duhet për ti ofruar mbështetje grave viktima të dhunës, në luftën e fundit?

Vasfije Krasniqi-Goodman: Për sa i përket shtetit sot shteti ynë merret si model i mirë në nivel botëror, por kjo vetëm për sa i përket ligjit i cili nuk është duke u zbatuar plotësisht edhe pse ai duhet plotësuar ende dhe një page mujore që i është ndarë kësaj kategorie, por ajo që shteti ynë duhet ta bëjë dhe të mos ketë vonesa është DREJTËSIA, sepse vetëm drejtësia e qetëson dhembjen që kemi në shpirt, por duhet para edhe mundësinë e benificioneve më ta mëdha për këtë kategori.

“Bota sot”:  Po ashtu si mendoni se duhet të zhduket paragjykimi për këto gra, pasi e dimë mirë se shumica e tyre janë edhe viktima edhe të paragjykimeve.

Vasfije Krasniqi-Goodman: Sigurisht se paragjykimi është ai i cili ika përcjellë këto gra dhe burra për 20 vite, dhe kjo është ndoshta qasja më e keqe që e ka pasur shoqëria e jonë në raport me ne apo këtë kategori, por shpresojmë se tashmë kjo duhet të merr fund, sepse nëse ndjeheni dhe vëreni se po paragjykoheni vërtet nuk ka ndjenjë më të rëndë, por krejt çka ne mund të themi është se për aq kohë sa je paragjykues ndaj tjetrit për atë se çfarë ika ndodhë, atëherë e ardhmja do të na gjykojë.

“Bota sot”: Ju deri më tani keni mbajt fjalime të ndryshme e sidomos ai në Kongresin Amerikan, dhe mendoni se kjo ka bërë që e gjithë bota të marr njohuri më shumë për ngjarjet e tmerrshme që kanë ndodh në Kosovë?

Vasfije Krasniqi-Goodman: Po ne e kemi parë reagimin pas rrëfimit tim në Kongresin Amerikan dhe jo vetëm sepse unë vetëm në këtë vit kam pasur më shumë 15 takime të niveleve dhe forumeve të larta nëpër botë, dhe tashmë bota ka filluar të kuptoi se çfarë kishte ndodhur në Kosovë, ne edhe vitin e ardhshëm vetëm se e kemi agjendën dhe evokimi ynë do të jetë në shumë fusha, por më kryesori do të jetë edhe sensibilizimi i opinionit ndërkombëtar rreth krimeve në Kosovë, në veçanti për dhunën seksuale.

“Bota sot”: Kush mendoni se duhet ta kërkoj drejtësinë e vonuar për viktimat e dhunës seksuale, pasi që deri më tani nuk ka asnjë të dënuar serb për dhunimet që ndodhen gjatë luftës në Kosovë.

Vasfije Krasniqi-Goodman: Për sa i përket drejtësisë, ne duhet që si shoqëri të vetëdijesohemi që duhet kërkuar drejtësi për dëmin që na është shkaktuar, duke filluar nga vetë të mbijetuarat, familja dhe organizatat përderisa shteti duhet të tregoi vendosmëri për ti sjellë dhe dënuar të gjithë ata që kanë bërë krimin. Mirëpo, ne nuk do të ndalemi që të kërkojmë drejtësi ndërkombëtare për gratë dhe burrat e dhunuar gjatë luftës.

“Bota sot”: Sipas të dhënave në Kosovë diku rreth 20 mijë gra janë viktima të dhunës seksuale, por pak shumë pak nga to janë regjistruar në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT),pse mendoni se po mohohen në këtë mënyrë dhe si mendoni se duhet të kalohet kjo.

Vasfije Krasniqi-Goodman: Nëse i referohemi numrit të atyre që kanë marrun trajtim tek QKRMT, në bazë të një raporti ky numër kalon shifrën prej 500 vetash duke përfshirë të dy gjinitë, derisa ky numër ndoshta më i vogël do të jetë edhe tek organizatat tjera, por sido që të jetë është numër i vogël në raport me atë që organizatat e huaja e kanë nxjerrë si shifër, por duhet pasur parasysh se këtu ndikojnë shumë faktorë për mos lajmërimin e tyre, por ne shpresojmë që të lajmërohen sa më shumë sepse është e domosdoshme që kjo kategori të ketë trajtimin që i duhet dhe unë iu bëj thirrje që mos ta  injorojnë mundësinë e shkuarjes në shoqata apo organizata.

“Bota sot”: Deri më tani asnjëra nga qeveritë nuk ka bërë asnjë progres të vetëm në çështjen e të zhdukurve dhe viktimave të dhunës seksuale, prisni diçka më shumë nga qeveria në ardhje e Albin Kurtit?

Vasfije Krasniqi-Goodman: Unë mendoj se jo vetëm për të zhdukurit dhe të dhunuarit, por për krimet në përgjithësi është bërë fare pak, sidomos për t`iu ofruar drejtësi, por ne e kuptojmë pamundësinë apo mos posedimin e kompetencave për t`i trajtuar krimet e luftës, por tanimë këto kompetenca janë në duart tona dhe duhet treguar që e kanë seriozisht çështjen e krimeve dhe jo këto të mbesin vetëm deklarata, derisa në aspektin human kanë mundur dhe është dashur të bëjnë më shumë, por një gjë është e sigurt se gjërat nuk janë sikur që ishin para 15 muajsh, sepse tashme ka shumë zëra që thërrasin për drejtësi, duke përfshirë edhe zërat nga politika që shumë i kanë munguar në të kaluarën.

“Bota sot”: Cila ka qenë pyetja që ju kujtohet që iu është bërë nga dikush por që jeni ndier keq më atë pyetje?

Vasfije Krasniqi-Goodman: Ndoshta janë disa, por do të veçoja vetëm një, kjo ka ndodhur para 6 muajsh sa isha në Kosovë dhe një grua më pyet si me ironi “ a nuk pate asnjë mundësi me mbrojtë veten hiq a” dhe pas një momenti që u mendova ti përgjigjem apo jo, dhe e pyeta se a keni vajzë, dhe sa vjeçe është vajza juaj, ajo më thotë se është 18 vjeçe, dhe i binte të ishte 2 vite më e madhe se unë. Dhe unë vetëm ula kokën dhe ajo e kuptoi se gaboi, sepse askush nuk ka mundur ta mbrojë askënd nga ata në atë kohë, e lëre më kur unë isha 16 vjeqare ende fëmijë.

“Bota sot” Na tregoni deri më tani cila është ngjarje më e bukur e jetës suaj?

Vasfije Krasniqi-Goodman: Sigurisht se kam shumë momente të lumtura në jetë, e thash në fillim se si familje nuk kemi pranuar të vuaj dhe të mbesim peng i asaj që më ka ndodhur, por nga ajo që në ka goditur si familje kemi marrë mësim se gjithçka rreth teje duhet dashur dhe çmuar, dhe si moment i veçantë ka qenë kur e kamë sjellë në jetë Vajzën e madhe Alisen, sepse lindja e Alises për mua është një kapitull i ri në jetën time pastaj kur linda edhe vajzën e dytë Madisonën, janë këto dy momente që flas më shumë admirim, por kam edhe raste tjera familjare.

“Bota sot”: Po familja juaj si jeton tani dhe jeni të lumtur më jetën në Amerikë dhe përkrahjen nga bashkëshorti?

Vasfije Krasniqi-Goodman: Ne jetojmë prej kohësh në Amerikë, tashmë jeta ime është e lidhur shumë këtu, vajzat vijojnë mësimet këtu, janë nxënëse të shkëlqyera, më bëjnë të ndihem krenare, dhe sigurisht se mundohem që të jetoj shumë edhe për dy vajzat e mia, por, por bashkëshorti im është ai që më mbështet duke më ndihmuar edhe me përgatitjet e mia për takimet e shumta, tashmë nuk po kamë shumë mundësi të jem pran tyre për shkak të angazhimeve, por sigurisht përveç se më kuptojnë edhe këta sakrifikojnë nga vetja e tyre për ti shërbyer kauzës time.

“Bota sot”: Keni menduar ndonjëherë për mundësinë që të shkruani një libër për ngjarjen e rendë që iu ka ndodh juve por edhe mija grave të tjera në mbarë vendin?.

Vasfije Krasniqi-Goodman: Për sa i përket shkrimit të ndonjë libri apo biografie, me duhet të them se ne jemi duke e biseduar bashkë me vëllain mundesinë e botimit të një libri, sepse, vëllai im gjatë kohës së luftës ka mbajtur shënime, por edhe pas luftës që nga koha kur kemi filluar të kërkojmë drejtësi, dhe sigurisht se do të shkruajmë ndoshta dy tri, apo edhe më shumë, kjo varet se sa do t`ia arrijmë qëllimeve tona, sepse unë bashkë me vëllain tashmë jemi duke punuar në shumë drejtime që kanë të bëjnë me dhunimet, por edhe krimet në përgjithësi..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat