Mustafa: Ribashkimin e Kosovës Lindore me Republikën e Kosovës e kemi amanet të brezave, duhet ta realizojmë

Intervista

Mustafa: Ribashkimin e Kosovës Lindore me Republikën e Kosovës e kemi amanet të brezave, duhet ta realizojmë

Kushtrim Maliqi Nga Kushtrim Maliqi Më 4 shkurt 2020 Në ora: 08:30
Ragmi Mustafa

Në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, kryetari i partisë më të madhe opozitare në Preshevë, Ragmi Mustafa ka folur për zhvillime të fundit politike në vend, duke folur edhe për pjesëmarrjen ose jo në zgjedhjet parlamentarë në Serbi që do të mbahen në Pranverë. Ai ka thënë se ne marrim pjesë vetëm në zgjedhjet që i organizon Republika e Kosovës, sepse ai është synimi ynë.

“Bota sot”: Kryetar, keni qeverisur me qytetin e Preshevës për gati një dekadë, a mund të na bëni një përshkrim si e keni gjetur qytetin kur e keni marrë, sa ka ndryshuar gjatë kohës suaj dhe si është sot, kur po udhëheq një kryetar i cili ka premtuar shumë për qytetarët e Preshevës?

Mustafa: Qeverisjen me komunën Preshevë e kemi nisur vetëm tre vite pas ndërprerjes së luftës së UÇPMB-së. Diku rreth dymbëdhjetë vite kam qenë në krye të Komunës Preshevë, duke qenë njëkohësisht në krye të Partisë Demokratike Shqiptare për Luginë të Preshevës. Gjatë gjithë kësaj kohe në maksimum kanë qenë aktive organizatat ndërkombëtare me fondet e tyre në komunën Preshevë, e sidomos nga SHBA-të dhe BE-ja. Përveç kësaj edhe një mori ambasadash të vendeve të BE-së por edhe asaj të SHBA-së kanë qenë prezente me fonde të veçanta dedikuar interes të qytetarëve në komunën Preshevë. Përmes fondeve të ndërkombëtarëve, fondeve vetanake të komunës Preshevë dhe fondeve nga Trupi Kordinues për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc është arritur që në masë të konsiderueshme të ndryshohet jeta e qytetarëve në komunë të Preshevës. Është shumë e vërtetë se në asnjë vendbanim të komunës nuk ka mbetur rrugë apo rrugicë e pa meremetuar me shtresë asfalti apo pllaka betoni. Në të gjitha vendbanimet është rekonstuuar dhe ndërtuar si rrjeti elektroenergjetik por edhe i transformatorëve 10/0.4 [kV]. Paraprakisht është ndrruar trafostacioni 110/10 [kV] prej fuqisë instaluese 16 [MË] në 32 [MË], që nënkupton se është dyfishuar furnizimi me energji elektrike prej 16 [MËh] në 32 [MËh] për qytetarët e komunës Preshevë. Në të gjitha vendbanimet e komunës Preshevë janë ndërtuar kanalizimet e ujrave të zeza. Gjithandej janë ndërtuar objekte shkollore, salla të kulturës fizike, shtëpia e kulturës, çerdhe fëmijësh në çdo vendbanim, terrene sportive, stacione shëndetësore dhe ajo më kruciale MATERNITETI jashtë spitalor në kuadër të shtëpisë së shëndetit në qytetin e Preshevës dhe Zona Industriale. Natyrisht dhe një listë e gjatë e projekteve më të vogla rekonstruimi objektesh shkollore, shtretër lumenjsh e çka jo tjetër. Për të gjitha këto investime është arritur që të sigurohen fonde nga donatorët e mëlartëpërmendur shprehur në dhjetëra miliona eurosh për gjithë këtë dekadë.

Nga e gjithë kjo që më sipër u përmend, lë të kuptohet se për kohën e qeverisjes së PDSH-së është arritur të ndryshohet në mënyrë të konsiderueshme jeta e qytetarëve të komunës Preshevë. Sigurisht se gjer atë kohë, rrugët ishin të dheut, shtetërit e lumenjve më shumë të mbushur me plehra se sa hapësirë të rrjedhjes së ujit qoftë edhe atij në vërshim të të reshurave atmosferike. Nuk kishte energji të mjaftueshme elektrike e cila tani më është dyfishuar. Kanalizimet fekale derdheshin në oborret e shtëpive të banimit në rrugë, nga oborret e ekonomisë private skaj rrugëve më të afërta, në shkollat fillore e të mesme nuk kishte salla për kulturë fizike e mos të flasim hapësira të çerdheve fëmijësh e terreneve sportive për nxënës e të rinj. Kjo nënkupton se komuna Preshevë seriozisht ka ndryshuar por edhe është lehtësuar jeta e qytetarëve të komunës Preshevë në radhë të pare shqiptarëve sepse nëntëdhjetë e pesë për qind e popullatës janë shqiptarë. E gjithë kjo e mirë për shqiptarët në Luginë të Preshevës është meritë e dëshmorëve të kombit të rënë në luftën e UÇPMB-së, invalidëve dhe luftëtarëve të luftës së fundit në Luginë të Preshevës mes luftëtarëve të lirisë e forcave militare e paramilitare serbe të udhëhequra nga diktatori e kasapi i Ballkanit Sllobodan Millosheviq.

Që nga largimi jonë nga Pushteti Lokal në Preshevë, prej korrikut të vitit 2016, mungojnë gjitha këto fonde ndërkombëtare edhe pse akoma janë prezente në Serbi, por jo edhe në komunën Preshevë. Natyrisht, se për këto tre vite ekziston vetëm fondi i Trupit Koordinues për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc në nivelin përafërsisht një milion euro në vit. Ndërkohë, buxheti i komunës është kthyer në donacione humanitare, klanore, partiake e klienteliste, por jo në interes të zhvillimit të projekteve që mbështesin zhvillimin ekonomik. Shumë të rinj për këto tre vite nga zhgënjimi e mashtrimi janë nisur drejt Evropës perëndimore. Ky pushtet i ardhur në Preshevë për këto tre vite ishte një mashtrim i cili po kalon në super mashtrim nga një kryetar fund e krye sharlatan e mjeshtër i pa pare mashtrimi, gënjeshtre, shantazhimi e fabrikime të pa shije por gjithë kohën i mbështetur nga institucione shumë të dyshimta në Serbi dhe Lindje të afërt. Nga kjo, dhe shumë e më shumë argumenteve të tjera me efekte skandaloze, dëshmojnë e konfirmojnë premtimet boshe të një krye mashtruesi si ky kryetar komune!

“Bota sot”: A ka në qytetin e Preshevës opozitë, sa aktive është ajo?

Mustafa: Në komunën Preshevë tetëmbëdhjetë këshilltarë shqiptarë bëjnë pozitën e po aq opozitën. Dy këshilltar serb të votuar mjerisht edhe nga dyzetepesë votues shqiptarë të porositur nga kryetari i komunës përkatësisht kryetari i Alternativës për Mashtrime e bëjnë pushtetin. Prandaj, PDSH e PVD momentalisht janë në opozitë. Sigurisht se opozitarizmi në Serbi nuk është i njëllojtë sikur në Kosovë, për arsyen e një pushteti serb fund e krye i kontrolluar nga dora e forte e pushtetarit Vuçiq. Edhe përkundër shpjegimit shumë të sinqertë, të saktë dhe me fakte e argumenteve të skandaleve financiare të Pushtetit Lokal në Preshevë nga ana e opozitës, organet e hetuesisë e të gjyqësisë në Serbi nuk nisin asnjë më të voglin proces. Kjo është Akoma më skandaloze se që mendohet! Prandaj, jemi të detyruar të komunikojmë maksimalisht me qytetarin shqiptarë për ta bindur që në zgjedhjet e radhës të mos mashtrohen për të tretën here!

“Bota sot”: Jeni akuzuar nga kryetari aktual I Preshevës se keni luajtur madje edhe me ndjenjën e dëshmorëve, kur ua kanë hequr lapidarin, çka ka bë në këtë drejtim kryetari aktual, pasur parasysh ë që ai po thotë se ka raporte të afërta dhe po din të komunikojë me Beogradin apo edhe me Vuçiqin?

Mustafa: Akuzat kanë qenë plotësisht të fabrikuara, sepse vitin 2013 kur është rrëmbyer Lapidari i Dëshmorëve të kombit nga sheshi i dëshmorëve para objektit të komunës Preshevë, nuk është vendosur nga kryetari i komunës që isha unë por nga familjarët e dëshmorëve të rënë në luftën e UÇPMB-së. Është e vërtetë se nuk i kam penguar vendosjen e Lapidarit, madje kemi siguruar ndërkohë pas vendosjes edhe lejen e ndërtimit të të njëjtit po në lokacionin ku e zgjodhën familjarët e dëshmorëve të kombit. Autoritetet serbe, për të ulur zhurmën ndaj tyre, fillimisht nxitën këtë sharlatan kryetar i tanishëm i komunës për të ngritur zërin ndaj kryetarit të atëhershëm të komunës se nuk arriti ta mbroj. Për atë kohë por edhe më vonë, Serbia si përgjegjëse kryesore dhe e vetme në procesin e largimit të Lapidarit arriti të abrogohet nga akuzat nga disa shqiptar bashkëpunëtor të denjë të tyre si që është një kryetar i Alternativës për Mashtrime. Unë, ato ditë të rënda për gjithë popullin shqiptar në Luginë e troje tjera kam qenë shumë afër me familjarët e dëshmorëve të rënë në luftën e UÇPMB-së, por edhe sot e kësaj dite mbaj raporte miqësie e dashamirësie. Me të gjithë. Nga na tjetër, nëse ne nuk kemi ditur të komunikojmë me qeverinë Serbe e me Aleksandër Vuçiq, pse tani ky krye sharlatan nuk e rikthen Lapidarin në vendin nga e larguan. Lapidari është në kazamatet serbe, i burgosur, i braktisur, por kryelartë për veprat që lan pas emrat e të gravuarëve në këtë pllakë Lapidari! Ne jemi shumë të vetëdijshëm se këtë temë as që e ka hapur ndonjëherë me autoritetet serbe e aq më pare me presidentin serb i cili edhe pse vajtoi kur në pranverën e vitit 2017 u shkarkua një sharlatan nga funksioni i kryetarit të komunës në Preshevë.

“Bota sot”: Pas humbjes në zgjedhjet e fundit, a keni arritur të rikuperoheni si parti me sturktura. Nëse nesër do të kishte zgjedhje, cilat do të ishin pritshmëritë tuaja?

Mustafa: Pas zgjedhjeve të vitit 2016, kur edhe jemi larguar nga Pushteti Lokal Preshevë si parti politike kishim edhe një sfidë të radhës brenda partiake. Nga katërmbëdhjetë këshilltar të Kuvendit Komunal që kishim u ndanë dhjetë prej tyre duke ndërtuar një koalicion të rastit me dhjetë të tjerë të PVD-së që në fillim të vitit 2017 në pranverë. Atëbotë, ishte e rëndë për mua dhe partinë, sepse pësuam për së dyti here goditje të forte nga shteti serb me shërbimet e saja çoroditëse në përpjekje të zhdukjes së Partisë Demokratike shqiptare në Preshevë. Gjetën mënyrën e format fillimisht për të na larguar nga Pushteti Lokal e menjëherë pas saj edhe zhbërjen e partisë. Megjithatë, jo që PDSH u rikuperua në zgjedhjet e parakohshme të mbarim vitit 2017, por edhe u ringjall shumë forte. Nga katër këshilltarë që kishim mbetur arritëm të fitojmë njëmbëdhjetë gjersa grupi i ndarë nga partia prej dhjetë këshilltarësh arritën të sigurojnë vetëm tre vende në Kuvend Komunal.

Nëse, nesër do të organizoheshin zgjedhjet lokale në Preshevë, PDSH do të triumfoj shumë fuqishëm dhe do të rikthehej në Pushtetin Lokal edhe më fuqishëm se kurdoherë më parë.

“Bota sot”: Është propaganduar tepër shumë në lidhje me hapjen e kufirit Miratoc-Llojan, një arterie kjo shumë e rëndësishme sidomos për banorët e dy fshatrave, por edhe dy qyteteve, Kumanovë e Preshevë, çka po ndodhë, a është hapur apo jo kufiri, sepse kemi dëgjuar disa herë se është hapur?

Mustafa: Jo, gjer tani nuk është hapur edhe pse ekziston miratimi i ligjit në parlamentin serb 10 nëntor 2005. Edhe atë përmes këtij ligji janë specifikuar tri pika të reja kufitare ndërmjet komunës Preshevë dhe Kumanovë e një Preshevë Likovë ndërmjet dy fshatrave shqiptare Miratoc në anën e Preshevës e Llojan në anën e komunës Likovë të Maqedonisë Veriore. Vendimi i parlamentit serb ishte i menjëhershëm pas disa ditësh që kur forcat ushtarake vrastare të Serbisë vranë për vdekje të riun pesëmbëdhjetëvjeçar Dashnim Hajrullahu nga fshati Rahovicë e Preshevës mu në mes të ditës. Nga atëherë edhe përskaj shumë tentimeve shumëvjeçare edhe nga disa ambasador mandator të SHBA-ve në Beograd, kufiri nuk u hap.

Muajin e fundit trumbetohet se janë sjellë vendimet e nevojshme në qeverinë e Beogradit për fillimin e procedurave në hapjen e kufirit Miratoc-Llojan. Ky informacion është shumë i dyshuar sepse kryeministrja serbe Brnabiq jo më larg se një muaji me rastin e integrimit të kufirit Serbi-Maqedoni e veriut në autostradën Shkup-Beograd deklaroi se nuk ka asnjë leverdi ekonomike për hapjen e ndonjë pike kufitare të kalimit të vogël. Prandaj, mbetet të besohet se ndërrimi i mendjes së kryeministres Brnabiq ka të bëj me marrëveshjen e minishengenit ballkanik dhe si iniciativë e kryeministrit Rama sa për të mbuluar kthim shpinën Kosovës. Shqiptarët në Luginë të Preshevës nuk kanë mbetur për gjë tjetër përveç se një monedhë për kusuritje të politikës më të lartë qoftë në Serbi e rajon!

“Bota sot”: A besoni se e ardhmja e shqiptarëve të Kosovës Lindore është me Republikën e Kosovës, a e besoni një gjë të tillë apo e thoni vetëm se qytetarët dëshirojnë ta dëgjojnë një gjë të tillë?

Mustafa: Bashkimi i Preshevës, Medvegjës e Bujanocit me Republikën e Kosovës është amanet i gjithë atyre votueseve e që një numër i madhë i tyre tani më nuk janë në mesin tone, e që në Referendumin e 1 e 2 Marsit 1992 votuan dinjitetshëm për Autonomi Politike e Territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovë. Më vonë kemi dhe amanetin e dëshmorëve të rënë në altarin e lirisë gjat luftë së UÇPMB-së vitin 2000-2001. Ribashkimi i Luginës së Preshevës përkatësish Kosovës Lindore me Republikën e Kosovës nuk është vetëm dëshirë e shqiptarëve të këtyre tre komunave por përkushtim historikë i tyre. Prandaj, përfundimisht besoj se në këtë proces përfundimtar ndërmjet Kosovës e Serbisë do të ndodhë bashkimi i Preshevës, Medvegjës, Bujanocit me Republikën e Kosovës. Këtë, parimisht edhe SHBA-të po e përkrahin dhe po e mbështesin fuqishëm mbi bazat e një zgjidhje paqësore e afatgjate. Kjo do të kontribuoj një stabiliteti mijëvjeçar të vendeve të rajonit dhe përshpejtim të hyrjes së vendeve të Ballkanit perëndimor në familjen e madhe Evropiane. Më tutje dhe kyçjen e të njëjtave në institucionet më të larta Euro-Atlantike.

“Bota sot”: Kush po e përkrah Shqiprim Arifin aq fuqishëm, sa që edhe përkundër asaj që të gjithë e shohin se nuk ka punuar asgjë në qytet, ai qëndron i pa shqetësuar në pushtet, as nga opozita e as nga qytetarët me protesta apo mekanizma të ngjashëm?

Mustafa: Mbajtjen e tij në pushtet e sigurojnë duar të zgjatura nga Brenda e jashtë në forma krejtësisht misterioze dhe të padukshme së paku gjer tani! Ne, shqiptarët në Luginë të Preshevës nuk kemi mekanizma shtetëror që të zbulojmë këtë mister. Këtë e dinë autoritetet në Kosovë e Shqipëri por për momentin edhe ato heshtin apo frikësohen gjë që nuk dua t’a besoj kurrë këtë të dytën. Ne, politika shqiptare në rajon e kemi të përfituar si traditë nga regjimi komunist për të mos folur në kohë por, për më vonë e themi: “e kemi ditur fort mire por nuk ishte momenti i duhur të reagonim” ! Mjerisht, nuk kemi shumë guximtarë politik që mendon e punon për të mirën e shqiptarit kudo që ai ndodhet por më me ëndje pranojmë një ditë të shprehim keqardhjen dhe të përsërisim ngushëllimin e mësipërm: “ e kemi ditur fortë mirë por nuk ishte momenti i duhur të reagonim” ! Me një fjalë, ky kryetar komune-krye sharlatan nuk është i parrezikshëm për vet shqiptarët jo vetëm të Preshevës por edhe të rajonit.

PDSH, do ta luftoj politikisht me të gjithë arsenalin politik të saj një të keqe që sa po i lëshon rrënjët në Luginë të Preshevës. Sigurisht se këto rrënjë do t’i ndërpriten shumë shpejt për të mos lejuar ngritjen e shtatit sharlatan e jo dobiprurës për Preshevarët.

“Bota sot”: Së fundi, ju keni pasur një afrim më të madhë me PVD-në, se sa APN me PVD, si ka mundësi që ata u bënë bashkë që të marrin pjesë në zgjedhje nacionalë në Serbi, ndërkohë që ju jo?

Mustafa: Në zgjedhje parlamentare serbe PDSH asnjëherë nuk ka marr pjesë që nga mbarimi i luftës së UÇPMB-së e këtej. Gjersa PVD që nga viti 2007 e këtej rregullisht merr pjesë duke deleguar here një e here dy deputet. Megjithatë duke qenë të vetëdijshëm se nuk ka vota të mjaftueshme për një deputet nëse partitë politike dalin në zgjedhje veç e veç ata kanë pranuar të mbyllin sytë duke mos e pare asnjëri tjetrin në sy dhe duke mos shtrënguar duart mes njëri tjetrit të nënshkruajnë listë të përbashkët për parlamentin serb. Në këtë rast, PVD do të jet fituese nëse me vetëm votat e vërteta të votuesve shqiptar mbushen kutitë ka gjasa reale që deputeti i saj i pare në listën zgjedhore të merr dritën jeshile për Beograd. Nga ana tjetër nëse mbushin kutitë bashkërisht sërish symbyllazi atëherë ka gjasa që edhe deputeti i dytë e i tretë të nisen dorë pas dore në mesin e dyqind e pesëdhjetë deputetëve serb. Por, si do të ndiejnë vetën ata deputet kur pas zgjedhjes së qeverisë serbe të nesërmen ministrat e po asaj qeverie vazhdojnë lobimin për ç’ njohjen e republikës së Kosovës dhe shumë e shumë veprimeve tjera kundër shqiptarëve? Kjo, është e papërballueshme për shqiptarët. Më në fund është zgjedhja e tyre. PDSH ka zgjedhur që të kundërshtoi shkuarjen në parlamentin serb sepse është e bindur dhe e vendosur se rruga drejt bashkimit me Kosovën është zgjidhje e vetme dhe më fatlume për shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit. Zëri i deputetit apo deputetëve shqiptar është i te jzbehtë në parlamentin serb. Jo që nuk trajtohet por nuk përfillet fare dhe konsiderohet si një zhurmë abstrahuese në sallën e parlamentit serb e cila zgjat po aq sa zgjat një diskutim i mundshëm i një deputeti. Puna e deputetit shqiptar në parlamentin serb është njëlloj si puna boshe e një elektromotori e që nuk vë në lëvizje asnjë lloj mekanizmi tjetër që prodhon punë! Ndërkohë, të qenurit në një listë të përbashkët PVD e APM (Alternativa Për Mashtrime) nuk do të thotë një përafrim të mundshëm mes tyre! PVD e ka në agjendën dhe programin e saj politik pjesëmarrjen në zgjedhje parlamentare ndërsa APM ka detyrë nga eprorët e saj sllavo-rus që të merr pjesë madje edhe nga treshja e Minishengenit Ballkanik.

Bota sot”: A mendoni se sidomos PVD dhe APN janë bashkuar si rezultat i ndonjë presioni?

Mustafa: Në asnjë mënyrë nuk mendoj e besoj bashkimin mes PVD-së e APM-së! Që të dyja janë shumë larg njëra tjetrës. Sidomos, nëse shihen orientimet programore të tyre! Pse nuk ndodhi bashkimi midis tyre kur në verën e vitit 2008 në prani të Presidentit të Republikës së Kosovës në një gojë e thane: duam bashkim me Kosovë, njëlloj edhe i gjithë spektri politik tjetër ku edhe ne si PDSH gjithashtu ishim në një zë. Shkuarja me listë të përbashkët e këtyre dy partive në parlamentin serb shoqërohet edhe me tre satelite të tjerë (parti politike më të vogla) dhe që të gjitha kanë nga një apo dy subjekte tjera apo liderë tjerë që nuk flasin mes vete. Ky lloj bashkimi i dy partive politike dhe tre satelitëve të tyre nuk mund të quhet listë e shqiptarëve të bashkuar por listë e përbashkët për interes minore të liderëve të tyre e në asnjë mënyrë e interesit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Shqiptarët nuk do të dalin në votime, por emrat e tyre në listat e votimit mundësojnë menaxhimin e zgjedhjeve sipas modelit të mbushjes industrial të kutive të votimit.

Porosia ime është që një ditë e përpara të transformohet kjo listë falsifikuese dhe të vazhdojmë nga pozicionet e sigurta që kemi si ato politike, institucionale nga Pushteti Lokal, Këshilli Kombëtar dhe Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptar Preshevë, Medvegjë e Bujanoc në kërkim të drejtave tona kolektive gjer në bashkim me Republikën e Kosovës.

“Bota sot”: Nga mendoni se ka ardhur ky presion, nga Beogradi apo nga Tirana?

Mustafa: Presionet kanë ardhur edhe nga Beogradi por edhe nga Tirana, sepse duhet arsyetuar në një mënyrë Minishengenin Ballkanik edhe me këtë formë. Njëlloj si për kufirin Miratoc-LLojan edhe për listën e përbashkët, në të dy rastet viktimë janë shqiptarët. Në vend se të pritet hapja e kufirit nga autoriteti qendror i Prishtinës pas bashkimit të Luginës me Kosovë, treshja e Minishengenit përpiqet të kryej këtë detyrë para bashkimit të Luginës me Kosovë, vetëm e vetëm të anashkalohet Kosova. Nga ana tjetër po kjo treshe Minishengeni, ushtron presion për listë të përbashkët drejt Beogradit për të zbehur maksimalisht kahjen tone kah Prishtina. Me këtë sërish anashkalohet Republika e Kosovës. Autoritetet qeveritare të Republikës së Shqipërisë në zëvendësim të deputetit apo deputetëve shqiptar nga Lugina e Preshevës për parlamentin e Republikës së Kosovës ushtrojnë presion për shkuarje në parlamentin serb në Beograd. Kjo është detyra më e lehtë që mund të bëjnë. Pse nuk i qasen detyrave më të vështira e komplekse ashtu si po bënë Serbia për serbët e Kosovës. Le të mundësojnë dhe k♪7rkojnë lista të përbashkëta shqiptarësh nga Lugina e Preshevës për parlamentin e Republikës së Kosovës dhe të Shqipërisë. Atje të dëgjohet zëri ynë në lidhje me gjendjen e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Kështu po vepron Serbia për serbët e Kosovës, të cilit janë njëkohësisht deputet të parlamentit serb por edhe të Kosovës! Ju lutem, kush mund ta shpjegojë këtë fenomen çoroditës? Serbët e Kosovës të kenë të drejtën e votës dhe përfaqësimit në Serbi e shqiptarët e Luginës të mos kenë të drejtën e votës e as përfaqësimit në Shqipëri e Kosovë. Kështu duke heshtur politika shqiptare në Shqipëri e Kosovë po legjitimojnë në një mënyrë prezencën e shtetit Serb në Kosovë. Me të njëjtën masë, duhet përgjigjur Serbisë. Prandaj thirrja e PDSH-së është: Shqipëri e Kosovë, hapni mundësinë e pjesëmarrjes së shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit në Parlamentet përkatëse!

“Bota sot”: Ju a keni pasur presion të jeni pjesë e asaj liste?

Mustafa: Patjetër se po! Por, nuk iu jam nënshtruar asnjë lloj presioni, sepse PDSH është subjekt politik që nuk funksionon mbi bazën e presioneve nga kahdo e kujtdo që vije, por mbi bazën e vullnetit politik të sovranit të saj.

Mos harroni se këtë radhë asnjë nga ambasadat e akredituara të shteteve të Evropës së Bashkuar e Anglisë por as e SHBA-së nuk janë angazhuar për bindjen e shqiptarëve në lidhje me zgjedhjet parlamentare serbe. Tek e fundit, ka shumë gjasa që dhe opozita Serbe t’i bojkotojë, për arsyet e homogjenizimit të politikës agresive të presidentit Vuçiq në raport me mediat dhe gjithçka që ka në Serbi. E njëjta gjë po ndodhë edhe në Preshevë Ju lutem. Një RTV Presheva e themeluar me shumë mundi vitin 2002 tani më është buzë zhdukjes, sepse që tre vite të plota nuk është financuar nga ky pushtet mjeranësh në komunën Preshevë. Arsyeja është se nuk ka punëtor që i përkasin APM-së! Çoroditëse! Nga ana tjetër edhe përkundër asaj që ligji ia mundëson Pushteteve Lokale financimin RTV Aldi – priat pëmes konkurseve në grante dhe ky RTV Aldi që tre vite nuk financohet gjë që rrezikon mbylljen. Kujt i shkon për shtati terri informativ në gjuhën shqipe në Preshevë?

“Bota sot”: A e shihni të mundshme që në zgjedhjet e ardhshme të Republikës së Kosovës, qytetarët e Preshevës të marrin pjesë në zgjedhje si qytetarë të Kosovës?

Mustafa: Unë, vetëm se apelova te autoritetet shqiptare në Kosovë e Shqipëri le të hapin rrugë për pjesëmarrje jo vetëm në zgjedhje por edhe përfaqësim në parlament. Në të dy shtetet do të ndodhë demokraci me vlera të larta evropiane kur shqiptarët e trojeve, diasporës kudo në botë do të votonin dhe do të ishin të votuar. Pastaj, do të ndërtoheshin parlament fund e krye jokonfliktuoze ashtu si që i kemi sot!

“Bota sot”: A vazhdoni të mendoni se Gent Caka është një “kalama” siç e keni quajtur, a ju ka bërë dikush presion që të kërkoni falje në këtë drejtim?

Mustafa: Kam shumë punë të tjera më të mençura e më të çmueshme për veten e familjen time se sa të vazhdoj të mendoj për Gent Cakajn! Vazhdimisht mendoj në përkushtimin tim politik që kam në PDSH dhe punën time kërkimore e shkencore në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat