Anton Quni: Kam besim në qeverisjen e Avdullah Hotit, mungesa e stabilitetit fuqizon Hashim Thaçin

Intervista

Anton Quni: Kam besim në qeverisjen e Avdullah Hotit, mungesa e stabilitetit fuqizon Hashim Thaçin

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 19 maj 2020 Në ora: 11:12
Anton Quni

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni, e konsideron si të suksesshme menaxhimin e Kosovës me pandeminë CoVID-19. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ai ka folur mbi situatën aktuale politike në vend. Ministri Quni, ka thënë se partnerët e koalicionit LDK-LVV nuk ishin mjaftueshëm të angazhuar për shmangien e krizës politike në kohë pandemie. Po ashtu, ai ka folur për raportet me kryetaren e Kuvendit Vjosa Osmani, pritjet nga vendimi i Kushtetueses për dekretin, Qeverinë e mundshme LDK-AAK-Nisma dhe minoritetet si dhe rolin e Presidentit Hashim Thaçi.

“Bota sot”: Si e vlerësoni punën e Qeverisë e sidomos Ministrisë se shëndetësisë në luftën kundër pandemisë COVID-19? Mendoni se ka mundur të bëhet me shumë?.

Anton Quni: Mendoj që ne si kabinet qeveritar jemi munduar të bëjmë me te mirën e mundshme.

Tani edhe sipas vlerësimeve të organizatave ndërkombëtare, Kosova rangohet larte ne menaxhimin e pandemisë COVID-19.

Por, përderisa situata po vazhdon, ne po mësojmë çdo ditë se ende kemi pune ne përmirësimin e infrastrukturës ligjore, politikave kadrovike për personelin mjekësor, ngritja e kapaciteteve teknike dhe infrastrukturore me theks të veçantë në shëndetësi, por edhe në fusha të tjera..

“Bota sot”: Jemi në dijeni se Kosova përveç pandemisë ka pasur edhe krizë politike, derisa Qeveria në krye me Albin Kurtin u rrezua nga mocion mosbesimi i ngritur nga LDK. Mendoni se vendi ka pasur nevojë për një krizë të tillë në kohë pandemie.

Anton Quni: Kur nuk ekziston vullneti, dëshira dhe besimi për kompromisë dhe bashkëpunime ndërpartiake dhe ndërinstitucionale, pashmangshëm hapet mundësia e krizave politike. Mendoj se të gjithë akterët nuk ishin mjaftueshëm të angazhuar në gjetjen e gjuhës së përbashkët për ruajtjen e stabilitetit politik dhe institucional në kohen e pandemisë.

Në politikë aftësia për të ngritur partneritet të qëndrueshëm dhe të besueshëm është një lloj çelësi për sukses.

“Bota sot”: Ju keni dhënë maksimumin që kjo qeveri atë ditë mos të rrezohej, na thoni me çfarë qëllimi e bëtë këtë dhe pse Albin Kurti nuk reagoi ndaj kërkesës tuaj?

Anton Quni: Këtë koalicion e kam parë si formacion të mundshëm dhe të fuqishëm për luftimin e korrupsionit dhe krimit te organizuar, prandaj isha shume i interesuar që të vazhdohet me qeverisje nga koalicioni LDK-LVV. Kjo ka qenë e mundur nëse nga ana e LVV dhe Kryeministrit Kurti do të reflektohej mbi vendimet që tangonin raportet ndërpartiake dhe besimin me partnerët strategjik. Por kjo nuk ndodhi dhe jemi këtu ku jemi.

“Bota sot”: Ju nuk keni marr pjesë në votimin për një koalicion me AAK e NISMA-n, jeni kundër një koalicioni të tillë.

Anton Quni: Nga çdo situatë mundohem me e nxjerr më të mirën. Edhe rezervat dhe dilemat e mia për një koalicion të mundshëm në mes LDK-së, AAK-së dhe Nismës mendoj që ka kuptim po që se koalicioni në fjale ofron një program sa më të mirë qeverisës i cili do të materializohej nga personalitete me profil të lartë moral dhe profesional.

“Bota sot”: Aktualisht jemi në pritje të një vendimi nga Gjykata Kushtuese, mendoni se vendi ka nevojë për një qeveri LDK-AAK-NISMA apo duhet të shkojë në zgjedhje, pas përfundimit të pandemisë?.

Anton Quni: Përfundimisht epilogu i kësaj situate varet nga konkludimet e Gjykatës Kushtetuese. Është mirë qe krerët shtetëror dhe partiak janë deklaruar për respektimin e vendimeve te saj. Çdo paragjykim, interferim apo presion mbi punën e Gjykatës Kushtetuese e lëndon pavarësinë e saj në marrjen e vendimeve.

“Bota sot”: Edhe nëse Qeveria do të mund të bëhet pas vendimit të Kushtetueses, do të vazhdoni të udhëhiqini me Ministrinë e Mbrojtës apo jo?

 Anton Quni: Ministria e Mbrojtjes nuk është ekskluzivitet  i askujt. Sidoqoftë, nëse autoritetet e LDK-së ma vazhdojnë besimin për ministër të mbrojtjes unë natyrisht që do ta pranoj me konsideratat më të larta, për të vazhduar me përkushtim punët që na presin në të ardhmen.

“Bota Sot”: Na tregoni cilat janë raportet e juaja me znj/Vjosa Osmani, aktualisht kryetare Kuvendi. Shumë herë janë diskutuar raportet e juaja të ngushta të bashkëpunimit, a mendoni se Osmani duhet të gjykohet kaq ashpër nga njerëz brenda LDK-së vetëm pse ka qenë kundër rrëzimit të Qeverisë?

Anton Quni: Nuk njoh demokraci të mirëfilltë ku të gjithë janë te njëzëri. Unë e çmoj lart personalitetin e zonjës Osmani dhe guximin e saj për të mbrojtur qëndrimet dhe për te ju përmbajtur bindjeve të saja. Raportet tona gjithnjë janë ne frymën e ruajtjes së vitalitetit dhe qëndrueshmërisë së LDK-së.

“Bota sot”: A mendoni se Vjosa osmani i duhet më shumë se kurrë LDK-së, dhe a do e meritonte tashmë Osmani udhëheqjen e LDK-së? 

Anton Quni: Unë vlerësoj lart çdo personalitet që kurdo që të mbahen zgjedhjet do të marrin iniciativën t`i futen garës për të parin e partisë, natyrisht do ta mbështesë atë të cilin e konsideroj të denje për të udhëhequr me LDK-ne. Në këtë kuptim, edhe zonja Osmani edhe kolegë të tjerë do të inkurajohen nga unë që ta sfidojnë veten dhe të na bindin për t`ua dhënë besimin tonë.

“Bota sot”: Si e keni pritur mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër, mendoni se ka qenë veprim I duhur, apo keni e keni parë ju si mundësi për këtë pozitë?

Anton Quni: Kam besim të plotë se zoti Hoti me një kabinet të mirë do t`iu ofroj qytetarëve qeverisje shumë të mirë. Tanimë ai e ka besimin e strukturave të LDK-së dhe ne të tjerët duhet ta mbështesim në përmbushjen e agjendës shtetërore dhe obligimeve të shumta karshi qytetarëve të Kosovës.

“Bota Sot”: Polemikat e vazhdueshme që keni pasur më presidentin aktual Hashim Thaçi sidomos në Kuvendin e Kosovës janë diskutuar shumë dhe vazhdojnë të diskutohen, vazhdoni ta keni mendimin e njëjtë për Thaçin, dhe mendoni se gjithë këto kriza në Kosovë i shkakton ai?

Anton Quni: Çdo jo stabilitet politik e fuqizon figurën e zotit Thaçi si president, i cili nuk ka hezituar të jap sinjale se nuk ngurron të projektojë fatin e Kosovës larg opinionit dhe institucioneve të tjera shtetërore. Prandaj, kemi shumë nevojë për stabilitet politik dhe institucional afatgjatë prej nga përgjegjësitë e vendimmarrjes për secilin institucion shtetëror burojnë nga Kushtetuta e Republikës se Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat