Haxhiu: Me qeverinë Kurti regjimi i vjetër u trazua, le të bëhen bashkë në zgjedhjet e ardhshme

Intervista

Haxhiu: Me qeverinë Kurti regjimi i vjetër u trazua, le të bëhen bashkë në zgjedhjet e ardhshme

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 26 maj 2020 Në ora: 18:16
Albulena Haxhiu

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një intervistë për gazetën “Bota sot” ka folur për vendimet e saj si ministre që nga 3 shkurti si dhe për arsyet e rrëzimit të qeverisë Kurti. Ajo thotë se mocioni i mosbesimit ndaj kësaj qeverie u bë nga “Klubi i Politikanëve të Stërvjetëruar”, të cilëve sipas saj, nuk iu pëlqyen vendimet e mira të qeverisë Kurti.

Ajo thotë se atyre iu prish strofulla, siç thotë vet Haxhiu, nga e cila kanë përfituar në mënyrë direkt e indirekte, e në këtë mënyrë regjimi i vjetër u trazua.

Haxhiu ka theksuar se ajo ka ofruar mbështetjen për organet kompetente në rastin “Dehari” dhe njofton se ekspertiza zvicerane do të vijë në Kosovë sapo të hapen kufijtë dhe përmirësohet gjendja me COVID-19.

“Bota sot”: Si e keni gjetur ministrinë e Drejtësisë pasi e keni marrë postin e ministres në shkurt të këtij viti? Cilat ishin problemet e theksuara që ishte mbetur në këtë ministri nga qeverisja e kaluar?

Albulena Haxhiu: Me pranimin e detyrës së Ministres së Drejtësisë jam angazhuar në marrjen e vendimeve të cilat janë të rëndësishme dhe e kthejnë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Në Ministrinë e Drejtësisë pas skenimit që e kemi bërë me stafin tim, kemi parregullsi, shpenzime enorme dhe të paarsyeshme, kontrata mbi shërbime të veçanta, keqmenaxhim të aseteve publike, punësime pa kritere dhe pa konkurse, gradime/avancime të jashtëligjshme etj. Të gjitha këto vendime dhe keqpërdorime jemi duke i shqyrtuar dhe në bazë të legjislacionit në fuqi do t'i adresojmë tek organet kompetente në mënyrë që të gjithë shkelësit e ligjit të ballafaqohen me drejtësinë.

“Bota sot”: Në ditët tuaja të para si ministre, jeni marrë dhe keni anuluar procesin e noterisë, i cili u përcoll me shumë zhurmë. Pse pikërisht procesi i noterisë ishte aq i rëndësishëm që të anulohej?

Albulena Haxhiu: Siç jeni në dijeni organizata të shumta të shoqërisë civile si dhe përfaqësues të ambasadave në Kosovë e kanë shprehur shqetësimin e tyre për procesin e komprometuar të noterisë. Natyrisht lidhja e ngushtë me politikën e atyre që kanë kaluar provimin si dhe dyshimet e bazuara të lidhjes familjare të anëtarëve të komisionit me personat që kanë kaluar provimin kanë krijuar bazë të arsyeshme për anulimin e këtij provimi si dhe fillimin e hetimit penal nga prokuroria e Republikës së Kosovës. Ministria e Drejtësisë duhet jetë shembull i promovimit të parimeve thelbësore siç janë ligjshmëria, transparenca e meritokracia prandaj vetëm nëpërmes kësaj rruge do të arrijmë të kthejmë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

“Bota sot”: Ligji antimafia kur mund të procedohet në kuvend dhe rrëzimi i qeverisë a i prishi planet për miratimin e këtij ligji?

Albulena Haxhiu: Unë si Ministre kam angazhuar ekipin për krijimin e draft koncept dokumentit për konfiskimin e pasurisë të pajustifikueshme i cili është afër përfundimit. Pas konsultimeve publike për të cilat na obligon rregullorja atëherë do ta dërgojmë për miratim ne Qeveri.

“Bota sot”: Nëse pas datës 29 maj 2020, Gjykata Kushtetuese vendos në favor të dekretit të presidentit Thaçi për t’i dhënë dritë jeshile qeverisë Hoti, cilat do ishin veprimet që do i ndërmerrni ju si Lëvizjes Vetëvendosje? A do pranoni një vendim të tillë të Gjykatës Kushtetuese?

Albulena Haxhiu: Nuk mund të jap mendime nën paragjykime. Gjykata Kushtetuese sipas Kushtetutës ka mandat vetëm interpretimin e Kushtetutës prandaj nëse Gjykata nuk del jashtë mandatit dhe vepron e pavarur, atëherë nuk ka arsye për të mos e pranuar aktgjykimin.

“Bota sot”: Cili është bashkëpunimi juaj si qeveri me SHBA-të, e në veçanti ministria juaj?

Albulena Haxhiu: Raportet e Qeverisë Kurti me SHBA-në janë të shkëlqyera. Unë si Ministre e Drejtësisë kam takime në baza javore me zyrtarë nga Ambasada Amerikane të cilët vazhdimisht na ofrojnë ekspertizat e tyre në lidhje me konceptet apo projektligjet që dalin nga Ministria e Drejtësisë, në veçanti për rishikimin funksional të sistemit të drejtësisë apo vettingun dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme por edhe çështje tjera përkitazi me programin qeverisës.

“Bota sot”: Si Ministre e Drejtësisë, çfarë keni ndërmarrë apo çfarë ka shkuar tutje në rastin “Dehari”. A do ketë gjasa që instituti zviceran të vijë në Kosovë për t'i ndihmuar institucioneve për zbardhjen e të vërtetës?

Albulena Haxhiu: Unë si Ministre e Drejtësisë së pari kam kërkuar gjitha dokumentet që ka Ministria e Drejtësisë. Tashmë i kam disa raporte, sikurse kam disa shqetësime me disa çështje në këto raporte. Kam pasur po ashtu takim me përfaqësues të institucioneve të drejtësisë të cilëve ju kam ofruar të gjithë mbështetjen dhe po ashtu nevojën për të sjellë sa më shpejtë Institutin Zviceran i cili  ka qenë i angazhuar për të kryer Raportin e vdekjes së aktivistit politik Astrit Dehari. Po ashtu në vizitën time të fundit tek Kryeprokurori i shtetit jam informuar se Instituti ka paraparë vizitë për ballafaqimin e provave dhe fakteve në Prill, por për shkak të pandemisë vizita do të bëhet ne Qershor, gjithnjë nëse masat dhe kufijtë ajror do të hapen. Ne do të jemi në dispozicion gjatë gjithë kohës duke ofruar të gjithë ndihmën financiare dhe institucionale.

“Bota sot”: Znj. Haxhiu, sipas teje cila mendoni se është arsyeja kryesore që u rrëzua qeveria Kurti dhe a kishte skenar të përgatitur?

Albulena Haxhiu: Fillimisht dua të theksoj një pikëprerje që ka ndodhur me gjithë mendësinë qeverisëse të pasluftës në Kosovë. Kjo është data 6 tetor e vitit të kaluar kur qytetarët vendosën që jo vetëm të fitojë opozita por edhe asaj t’i printe Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe kur e lexon këtë mesazh nga sot është një lexim i qartë nga qytetarët dhe fascinues mund të them, pra qytetarët e deshën ndryshimin, ata e votuan opozitën por ata e dalluan se kush përbën dallimin përbrenda vet opozitës së asokohshme.

Albulena Haxhiu: Zotimet e fushatës ne i përkthyem në program të harmonizuar e këtë të fundit e përkthyem në program qeverisës të votuar nga partnerët e koalicionit. Kishim shumë objektiva por në terma më makro ishim të fokusuar nga ndalja e gjakderdhjes financiare te çkapja e shtetit, nga lufta ndaj korrupsionit te rimëkëmbja ekomomike e sovraniteti i vendit edhe sjellja si shtet në arenën ndërkombëtare. Duket që veprimet tona si qeveri ishin shqetësim për Klubin e Politikanëve të Stërvjetëruar të cilëve ju shkund strofulla nga e cila kanë përfituar në mënyrë direkt e indirekte, regjimi i vjetër u trazua. Kësisoj në fillim u përballëm me sabotim, deri në paralajmërimet e para për dalje nga koalicionin kinse për çështje të taksës/reciprocitetit ani pse ato ishin zotime të përbashkëta zgjedhore, por edhe ishin të theksuara decidivisht në programin qeverisës të votuar më unanimitet.

“Bota sot”: Selim Selimi i AAK-së, i propozuar për Ministër të Drejtësisë në qeverinë Hoti, ka paralajmëruar se nëse ai merr këtë detyrë, nuk do të lejohet të bëhet vetting në sistemin gjyqësor. Si e komentoni këtë?

Albulena Haxhiu: Po kjo deklaratë nuk përbën befasi për mua, prandaj dhe siç theksova më lartë qytetarët kanë vendosur për ndryshime. Vettingu është projekt i ri për rilegjitimimin e rifreskimin e organeve të drejtësisë në Republikë dhe kjo bëhet në të gjitha vendet më normale të botës kështu që natyrshëm ky proces nuk do të bëhej nga një qeverisje tjetër sepse atyre që ju konvenon drejtësia e kapur gjithnjë do të fshihen prapa klishesë së vjetër “mosndërhyrje në drejtësi”, por kjo është shumë e vjetërsuar për të qenë legjitime. Edhe nga kjo deklaratë sikurse shumë deklarata të tjera ne shohim tentativën për rikthim të mendësisë së vjetër qeverisëse, PLAN, por që siç kemi deklaruar disa herë tashmë koha nuk mund të kthehet mbrapshtë. Nuk mund të kthehemi para 6 tetorit. Procesi i vettingut, projektligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme e shumë reforma të tjera në gjyqësi mund t’i vonojnë edhe për disa ditë, por këto janë procese që nuk kthehen mbrapa.

“Bota sot”: Si komenton deklaratat e presidentit Thaçi për kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe u.d të MPB-së, Xhelal Sveçlën, të cilët “i ftoi” në shtëpi të tij së bashku. Si i vlerësoni këto deklarata të presidentit?

Albulena Haxhiu: Presidenti shihet qartazi që është i frustruar, sipas të gjitha gjasave kjo vjen prej së paku dy dështimeve të tij për të qenë protagonist me qëllime të këqija. E para ka të bëjë me dështimin e tij që nga vizita në ShBA të vinte me marrëveshje dhe dyta, me dështimin e tij për të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme për të kontrolluar më pas vendin përmes kompetencave shtesë. Frustrimi në një anë dhe arroganca në anën tjetër po sjell si rezultat deklarata të tilla që janë edhe kërcënuese por që shprehin edhe një lloj “kapadaillëku” që flet shumë për personalitetin e tij. Ishte me të vërtetë e turpshme kur për vizitën e tij në Shqipëri në pyetjen e gazetarëve për arsyet e vizitës u përgjigj “Për qejf”. Këto janë simptoma të qarta të një frustrimi që vjen si rezultat i pafuqisë.

“Bota sot”: Lëvizja Vetëvendosje është rritur sipas sondazheve, por ju vet a mendoni se keni përkrahje aq të madhe sa ta arrini 51% të elektoratit. Nëse po, cilat mendoni se janë arsyet që ju mund të jeni dyfishuar që nga tetori i vitit të kaluar?

Albulena Haxhiu: Qytetarët e këtij vendi nuk është se nuk i kanë dhënë mundësinë edhe partive të tjera, por janë zhgënjyer dhe janë gënjyer nga fjalët e fushatës dhe punët që janë bërë gjatë gjithë qeverisjeve të pasluftës. Mos të harrojmë korrupsioni, papunësia, varfëria, largimi i të rinjve na vendi nuk janë fatkeqësi natyrore, ato kanë ardhur si rezultat i politikave të gabuara të shoqëruar nga njerëz të cilët për synim e kanë pasur pasurimin për vete. Në këto rrethana Lëvizja VETËVENDOSJE! ka qenë për gjithë këto 15 vite kundërpozicion dhe në kundërshtim të kësaj mendësie dhe me 6 tetor u bë ndryshimi i madh, pra kjo është rritja e madhe e Lëvizjes, ndërkaq dyfishimi ka ndodhur kur besimin e dhënë nga qytetarët me 6 tetor nuk e kemi tradhtuar dhe ashtu siç kemi dhënë fjalën e kemi mbajtur, çka është thënë në fushatë është hedhur në letër në programin e Qeverisë sonë. Andaj edhe populli është shumë i irrituar me regjimin e vjetër sepse atë që e votuan qytetarët, ajo qeveri që më në fund po kthen shpresën në vend filloi të sabotohej e pengohej nga klasa e vjetër e e korruptuar politike.Tash për tash jemi në rrethana ku opsioni i vjetër janë zgjedhjet dhe ata që nuk arritën të ndahen nga njëri-tjetri për këto 20 vite dhe që u bënë bashkë ndaj Qeverisë Kurti le të bëhen sërish bashkë dhe në anën tjetër do të jemi ne dhe populli dhe le ta shohim rezultatin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat