“Guximtarja” e Vjosa Osmanit: Do të ulemi me z. Biden të diskutojmë për marrëveshjen e Uashingtonit

Intervista

“Guximtarja” e Vjosa Osmanit: Do të ulemi me z. Biden të diskutojmë për marrëveshjen e Uashingtonit

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 27 janar 2021 Në ora: 16:27
Doarsa Kica dhe Vjosa Osmani

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, kandidatja nga iniciativa e Vjosa Osmanit, Doarsa Kica, ka komentuar në lidhje me ngjarjet e fundit që po ndodhin në vend.

Doarsa Kica është anëtarësuar në iniciativën e Vjosa Osmanit e që do të garojë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Kandidatja për deputete ka folur për situatën politike në vend duke u shprehur që është një çështje komplekse e që pandemia e vështirësuar edhe më shumë gjendjen.

Kica vazhdoi të flas për atë se çfarë e ka shtyrë të hyjë në garën për deputete e që ajo u shpreh se ka një mori fakte, duke filluar nga ika masive të rinjve e deri tek mundësia të kontribuoj për vend edhe pse është nënë.

Gjithashtu ajo tregoi se kishte zgjedhur pikërisht iniciativën e Osmanit për arsye se ajo përfaqësimin e popullit e sheh si detyrë e jo privilegj.

Në Kuvend, Kica shprehët që do të përfaqësoj të gjithë ata që janë ngulfatur nga korrupsioni dhe se si iniciativë, së bashku me LVV-në, në fokus do ta kenë sundimin e ligjit.

Kandidatja për deputete gjithashtu preku edhe temën për dialogun Kosovë-Serbi e cila tashmë është bërë një temë diskutimi kohëve të fundit. Ajo thotë që ne do të ulemi me administratën e presidentit të ri të SH.B.A., z. Biden, dhe do të diskutojmë secilën pikë të kësaj marrëveshjeje.

Duke mos lënë anash as menaxhimin e pandemisë e që sipas Kicës niveli i lartë ii vdekshmërisë dëshmon që situata nuk është menaxhuar aq sa duhet.

Në fund, kandidatja për deputete, shprehët e bindur që LVV së bashku me iniciativën e Osmanit do të kenë një fitore të thellë duke ftuar të gjithë të votojnë pavarësisht se kë do të votoni, sipas Kicës, mos-dalja në votim i shkon për shtat vetëm atyre që e kanë sjellur shtetin tonë në pikën degraduese që është.

“Bota sot”: Si e komentoni situatën politike në vend?

Doarsa Kica: Kjo është çështje shumë komplekse. Situata politike në Kosovë aktualisht nuk ka kriza që ndërlidhen vetëm më dështimet e qeverisjeve të mëparme, por edhe me situatën e pandemisë dhe domosdoshmërinë e rimëkëmbjes ekonomike. Në anën tjetër, po bëhemi dëshmitarë të rëndësisë së eliminimit të zbrazëtirave juridike që lejojnë interpretime arbitrare nga njerëz që megjithëse mbajnë pozita ku kriter është qasja apolitike, janë çdo gjë pos apolitik, e çdo gjë pos të paanshëm.

Në anën tjetër, nga rezultatet e zgjedhjeve të kaluara dhe matjet që po bëhen së fundmi në opinionin publik, del që vetëdija popullore për rëndësinë e votës nuk ka qenë kurrë më e lartë. Njëlloj sikurse nuk ka qenë kurrë më e qartë se kush do të jetë fitues i zgjedhjeve, dhe atë me një shumicë të thellë parlamentare. Pra, në historinë e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, nuk mbaj mend që ndonjëherë lufta të ketë qenë kaq agresive për vende të dyta e treta megjithëse kjo nuk pranohet publikisht.

“Bota sot”: Cili është qëllimi që keni hyrë në skenën politike?

Doarsa Kica: Unë nuk kam pasur shtytës të vetëm, të shkëputur nga problemet tjera për ti hyrë skenës politike. Rrjedhimisht ka qenë kombinim i faktit që kemi dështuar shumë në luftimin e korrupsionit, apo fakti që kemi dështuar shumë në evitimin e ikjes së rinisë së Kosovës sepse trendët e fundit janë dëshpëruese. Në anën tjetër, kam dhe motivet personale që burojnë nga të qenurit vet nënë që refuzon të rrijë pasive karshi mundësisë për një kontribut në drejtim të përmirësimit të kësaj situate.

“Bota sot”: Pse pikërisht iu bashkuat iniciativës së Vjosa Osmanit?

Doarsa Kica: Z. Osmani e kupton shumë mirë që përfaqësimi i popullit është detyrë, e jo privilegj. E kupton shumë mirë përgjegjësinë karshi çdo premtimi që i bëhet elektoratit, sidomos kur bëhet fjalë për parimet mbi të cilat ndërtohet një shtet i të drejtës. Konsistenca e saj është e pamundur të injorohet dhe unë jam e prirur të besoj në persona që janë plotësisht të palëkundur pavarësisht presionit dhe sakrificës personale.

“Bota sot”: Cili është programi i juaj politik për qytetarët?

Doarsa Kica: Si iniciativë, së bashku me LVV tashmë kemi përcaktuar 10 prioritetet në Marrëveshjen e Parimeve. Personalisht, fokus do ta kem sundimin e ligjit, me fokus të veçantë në luftimin e korrupsionit, si dhe zbutjen e papunësisë dhe pabarazisë gjinore.

Plan programi ynë, i detajuar në sasinë që ka lejuar periudha e kufizuar kohore, del në ditët në vijim, por që sikurse theksova më parë, bazohet plotësisht në 10 parimet e zotuara.

“Bota sot”: Kënd do e përfaqësoni në Kuvendin e Kosovës?

Doarsa Kica: Personalisht, shpresoj që do ti përfaqësoj të gjithë ata që janë ngulfatur nga korrupsioni, të gjithë ata që po e shtyjnë biletën njëdrejtimëshe jashtë Kosovës në shpresën që këto zgjedhje të ndryshojnë diçka, dhe të gjithë ato vajza e nëna që e kanë provuar mbi shpatullat e tyre peshën e pabarazisë gjinore.

“Bota sot”: Cilat janë pritshmëritë e juaja nga këto zgjedhje?

Doarsa Kica: Pres që lista Vetëvendosje dhe Iniciativa e zj. Vjosa Osmani ta ketë një fitore të thellë, dhe ta kemi një qeveri shumë më stabile pas një kohe shumë të gjatë.

“Bota sot”: Si e komentoni menaxhimin e situatës së pandemisë nga Qeveria Hoti?

Doarsa Kica: Niveli i vdekshmërisë në Kosovë është tejet i lartë duke pas parasysh moshën tepër të ulët dhe kjo mbetet një ndër shqetësimet themelore sa i përket pasojave të pandemisë. Ky fakt në vetvete dëshmon që pandemia nuk është menaxhuar si duhet. Në vend se ta luftojë virusin Covid19, qeveria është dorëzuar tërësisht para tij, e në anën tjetër ka penguar një sërë iniciativash të rëndësishme siç ishte buxheti për vaksina dhe maska, për të kaluar në Kuvend, pikërisht në mes të pandemisë. Në vend që të rrisin buxhetin në këtë fushë, ata e shkurtuan atë.

“Bota sot”: Po për dialogun Kosovë-Serbi, a mendoni që marrëveshja e nënshkruar në Uashington nevojitet të rishikohet?

Doarsa Kica: Ashtu siç ka deklaruar edhe më herët zj. Osmani, ne do të ulemi me administratën e presidentit të ri të SH.B.A., Z. Biden, dhe do të diskutojmë secilën pikë të kësaj marrëveshjeje, për të parë se cilat pika është në interesat të zbatohen, e cilat duhet të sqarohen apo rishikohen.

“Bota sot”: Sa përqind mendoni se do t'i fitoni së bashku me VV-në në këto zgjedhje?

Doarsa Kica: Jemi të bindur se do të marrim shumicën e nevojshme parlamentare, nëpërmjet së cilës do të krijojmë një qeveri stabile, si dhe do të zgjedhim Presidenten për pesë vitet e ardhshme.

“Bota sot”: Nëse Kurtit nuk i lejohet definitivisht pjesëmarrja në zgjedhje, si do ta komentoni këtë?

Doarsa Kica: E konsideroj shkelje të së drejtës së tij kushtetuese, që është e drejta për tu zgjedhur, për shkak të zbrazëtirave dhe keqinterpretimeve juridike.

“Bota sot”: A do të ishte Vjosa Osmani zëvendësuesja më e mirë e Kurtit si numër një në listën e VV-së?

Doarsa Kica: Zj. Osmani nuk ka shprehur asnjë interesim që të marrë këtë pozitë në listë. Zj. Osmani dhe z. Kurti i kanë dhënë përkrahjen e plotë njëri tjetrit në këtë proces, por edhe përgjatë viteve që vijnë, sepse duke i pasur që të dy në udhëheqje të dy institucioneve kryesore, do të jetë e mundur që Kosova ti bëjë reformat e nevojshme për të ecur përpara.

“Bota sot”: Mesazhi i juaj për të gjithë votuesit për datën 14 shkurt?

Doarsa Kica: Zëri juaj është i rëndësishëm, pavarësisht që qeverisjet e kaluara ju kanë trajtuar vetëm si numër të cilit i rreken ta marrin vetëm në fushata. Unë lus secilin nga ju që të mobilizoheni, të thërrisni kë e njeh e kë se njihni, që me datë 14 shkurt të dilni e të votoni. Pavarësisht se kujt ia jepni votoni, vetëm dilni e votoni sepse mos-dalja në votim i shkon për shtat vetëm atyre që e kanë sjellur shtetin tonë në pikën degraduese që është.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat