Paralajmëron Loshi i VV-së: Pengesa ndaj Kurtit do të provokojë edhe më shumë nervin e popullit, ja me cilat parti mund të bëjmë koalicion

Intervista

Paralajmëron Loshi i VV-së: Pengesa ndaj Kurtit do të provokojë edhe më shumë nervin e popullit, ja me cilat parti mund të bëjmë koalicion

Arbnora Zhushi Nga Arbnora Zhushi Më 29 janar 2021 Në ora: 12:50
Liri Loshi

Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Liri Loshi, e ka quajtur politik dhe të paramenduar, vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ia ndaluar Albin Kurtit, kandidimin për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ai ka thënë se ky vendim është tentim për ta penguar ose ndryshuar vullnetin e popullit gjatë fushatës zgjedhore dhe në ditën e votimit.

Por, ish-mjeku i UÇK-së, është i bindur se Vetëvendosje do ta formojë vet qeverinë e re, pasi sipas tij, pengesa ligjore ndaj Kurtit, do të prodhojë edhe më shumë vota për VV-në.

Loshi në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka folur edhe për një koalicion të mundshëm pas zgjedhor të VV-së, duke thënë se preferon një me partitë politike që pranojnë kandidaturën e Vjosa Osmanit për presidente.

Për postin e ministrit të Shëndetësisë, Loshi e sheh si më meritorin ish-ministrin Arben Vitia.

Ai ka folur edhe për aktakuzat e ngritura nga Gjykata Speciale, ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, duke thënë se gjasat janë që pritjet për drejtësi mund të dështojnë.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Cila është arsyeja që vendoset t’i bashkoheshit Lëvizjes Vetëvendosje?

Liri Loshi: Arsyeja pse si opinionist isha përcaktuar publikisht për ta përkrahur Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen ishte çkapja e shtetit nga partitë që kanë qeverisur gjatë me vendin dhe sundimi i ligjit si parakusht për ndryshime të mëdha. Kam qenë konsistent dhe i paluhatur në këtë kauzë e kjo bëri që kërkesës së parë që më erdhi nga simpatizantët e Vetëvendosjes për anëtarësim në LVV t’i përgjigjem pozitivisht. Ishte një kalim aq i natyrshëm sa nuk e kisha menduar më parë. Në skenën politike të Kosovës nuk kemi një alternativë tjetër që do të provonte status quon moçalike ku është zhytur vendi. Tash për tash Vetëvendosje është e vetmja, sidomos pas dështimit të LDK-së për t’u reformuar.

“Bota sot”: Çka ju shtyu të kandidoni për deputet të Kuvendit të Kosovës?

Liri Loshi: Duket se kishte ardhur koha që nga fjalët të kaloja në vepra. Unë fjalët i kam pasur bukur të mëdha, por në fund të ditës mbetet vepra dhe jo fjala. Një vepër e vogël është më e dobishme se një fjalë e madhe. Dëshira e madhe e simpatizantëve të Vetëvendosjes për të ndryshuar dhe vullneti im i madh që e kam pasur vazhdimisht për të punuar për vendin tim u bënë bashkë sapo më erdhi propozimi për kandidim. Ishte një moment i shkurtër për të vendosur ku unë me kënaqësi pranova t’i bashkohem Listës së VV-së për deputet.

“Bota sot”: Si e komentoni vendimin e Kushtetueses, e cila ia ka ndaluar kandidimin Albin Kurtit dhe të tjerëve?

Liri Loshi: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është ekskluzivisht politik dhe i paramenduar, shembulli më eklatant i instrumentalizimit të institucioneve shtetërore nga autoritetet politike si tentim për ta penguar apo ndryshuar vullnetin e popullit gjatë fushatës zgjedhore dhe në ditën e votimit. Kjo tregon sa thellë ka metastazuar kanceri i korrupsionit në shoqërinë tonë dhe sa punë e vështirë është për ta larguar atë dhe për ta bërë ndryshimin.

“Bota sot”: A do të fitojë LVV-ja zgjedhjet mbi 50% edhe nëse përfundimisht nuk i lejohet kandidimi z.Kurti?

Liri Loshi: Të gjitha matjet e vullnetit të votuesit në Kosovë tregojnë se Vetëvendosje do ta kalojë 50 përqindëshin dhe do ta ketë mundësinë për ta bërë vet qeverinë. Pengesat ligjore të montuara nga politika për zotin Kurti do ta provokojnë edhe më shumë nervin e popullit dhe ky provokim do të prodhojë edhe më shumë vullnet për Lëvizjen Vetëvendosje. Do të kemi vota më shumë.

“Bota sot”: Me cilën parti do të preferonit koalicion pas zgjedhor, nëse i duhet Vetëvendosjes për ta formuar Qeverinë e re?

Liri Loshi: Unë preferoj të jemi në koalicion me njërën nga partitë politike që pranon mbështetjen politike të zonjës Vjosa Osmani për presidente dhe natyrisht duke zgjedhur për postet qeveritare njerëz me duar të pastra. Kemi shumë punë të mëdha dhe të ndieshme për çka na duhet unitet i forcave politike. Në këtë kontekst unë pres një qasje dhe një raport të ri pozitë-opozitë në procese të mëdha për kombin dhe për vendin.

“Bota sot”: A do ta pranonit postin, në rast se ju ofrohet pozita e Ministrit të Shëndetësisë?

Liri Loshi: Së pari më intereson vullneti i popullit për mua e pastaj pozita, për të cilën subjekti im më konsideron. Mendoj se postin e ministrit të Shëndetësisë duhet dhënë njeriut që ka dëshmuar për 50 ditët e tij dije dhe përkushtim duke menaxhuar jashtëzakonisht mirë pandeminë e COVID-19, pra zotit Arben Vitia. Do të jem në dispozicion për ta ndihmuar me përvojën dhe ekspertizën time. Menaxhimi i COVID-19 mbetet ende problem akut, ndërkohë që kërkohet një reformim i gjithanshëm i sistemit shëndetësor në Kosovë. Na presin punë të mëdha.

“Bota sot”: Si i komentoni aktakuzat dhe procesin gjyqësor ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Hagë?

Liri Loshi: Aktakuzat që kemi parë duken të bazuara në dokumentet e prokurorisë serbe. Ky proces gjyqësor që në fillim ka dhënë indikacione të implikimit në politikë, prandaj gjasat janë që pritjet për drejtësi mund të dështojnë. Sidoqoftë është tepër herët të nxjerrim përfundime. Le të punojë drejtësia në mënyrën më të pavarur të mundshme. UÇK-në nuk mund ta njollos askush, as ata që akuzojnë e as epilogu i gjyqit të akuzuarve. UÇK ka qenë dhe mbetet krenaria e kombit shqiptar që bëri luftë të drejtë. Lufta jonë ishte për liri dhe pavarësi nga okupatori serb dhe nuk mund të ishte ndryshe pos luftë e pastër.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat