25 vjeçarja kandidate për deputete nga LDK: Do të jem zëri i të rinjve në Kuvend, Hoti do të jetë kryeministër i Kosovës

Intervista

25 vjeçarja kandidate për deputete nga LDK: Do të jem zëri i të rinjve në Kuvend, Hoti do të jetë kryeministër i Kosovës

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 1 shkurt 2021 Në ora: 21:47
Kandidatja për deputete nga LDK, Ardita Rrahmani

Është vetëm 25 vjeçare, e re por shumë ambicioze. Bëhet fjalë për Ardita Rrahmani nga Kaçaniku, e cila në këto zgjedhje është në garë për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, me numrin 60 në listë.

Ajo është kandidatja më e re nga LDK, e vetmja që garon nga komuna e Kaçanikut nga kjo parti dhe shpreson të dalë faqebardhë. Ajo ka funksionin e këshilltares së ministres së Kulturës, Vlora Dumoshi, për të cilën thotë se ka respekt të veçantë.

Në një intervistë për gazetën "Bota sot", ajo ka thënë se fokusi i saj është tek rinia, kultura dhe arsimi, të cilat kanë nevojë për dorën e shtetit dhe se pa këto, sipas saj, një shtet nuk mund të jetë në binarë.

Ajo shprehet thellësisht e bindur se me 14 shkurt do të flasin qytetarët e Kosovës përmes votës dhe se LDK do të jetë subjekti fitues dhe Avdullah Hoti do të jetë kryeministër i qeverisë së ardhshme.

Ajo beson në ideologjinë e prijësit të kësaj Lidhje, Presidentit Historik Ibrahim Rugova, por mendoj që kjo ideologji ka nevojë të tregohet dhe trashëgohet nga një gjeneratë e re.

"Bota sot": Jeni propozuar nga dega e LDK-së në Kaçanik si kandidate për deputete nga kjo komunë, e vetmja nga LDK. Çfarë do të thotë kjo për ju?

Ardita Rrahmani: Po, me propozim e degës së LDK ne Kaçanik, kam marrë besimin që në këto zgjedhje të jashtëzakonshme të 14 shkurtit, të jem pjesë e garës. Fillimisht vlerësimi dhe besimi nga strukturat e LDK-së në Kaçanik, për mua përveç që është nder, është edhe përgjegjësi, por që uroj që të dal faqebardhë në fund.

"Bota sot": A ishit në dyshime që t’i hyni kësaj gare, derisa jeni pjese e kabinetit te ministres Vlora Dumoshi?

Ardita Rrahmani: Jo aspak, përkundrazi angazhimi im në MKRS ka ndikuar që t'i njoh edhe më mirë preokupimet që i kanë të rinjtë kosovarë. Përderisa je në politikë, është vota ajo e cila e tregon fuqinë tënde brenda subjektit që je. Përndryshe, angazhimi im në kabinetin e znj.Dumoshi dhe puna ime me të gjatë këtij mandati sa ajo është ministre, më ka dëshmuar se si një femër, pavarësisht sfidave, mund të jetë një vendimmarrëse shumë e mirë dhe që punon për të mirën e përgjithshme. Pikërisht kjo është arsyeja që kam një respekt të veçantë për ministren Dumoshi.

"Bota sot": Çfarë rezultatesh prisni nga këto zgjedhje?

Ardita Rrahmani: Padyshim që unë besoj në vlera që ndër vite Lidhja Demokratike e Kosovës i jep shtetit, besoj fuqishëm se LDK është alternativa më e mirë që i duhet shtetit në këto kohë, dhe po ashtu pres që nga këto zgjedhje LDK të jetë subjekti i parë në vend.

"Bota sot": Cila do të jetë puna e parë që do të bëni, nëse merrni votat e duhura për të qenë përfaqësuese e popullit në Kuvend?

Ardita Rrahmani: Prioritet i imi është rinia, kultura dhe arsimi. Të tria këto kanë nevojë të menjëhershme për dorën e shtetit, sepse mendoj se pa këto të tria, një shtet nuk mund të jetë në binarë. Pa një arsim të zhvilluar, rini dhe kulturë, atëherë do të mbeteshin vetëm kornizat e shtetit dhe kaq.

Image

"Bota sot": Sondazhet deri tani nuk e kanë nxjerrë mirë LDK-në. Çfarë rezultatesh pritni për partinë tuaj me 14 shkurt?

Ardita Rrahmani: Në fakt, LDK padrejtësisht kohës së fundit po atakohet nga të gjitha subjektet politike, ku si pasojë e saj edhe po aludoni se LDK nuk është mirë me sondazhe. Me datë 14 shkurt janë kutitë e votimit ato që do ta japin përgjigje dhe jo sondazhet. Dhe padyshim që uroj dhe jam thellësisht e bindur që qytetarët e Republikës së Kosovës do ta vlerësojnë kontributin e LDK-së dhe nevojën që LDK-ja të jetë udhëheqëse e qeverisë së ardhshme në krye me kryeministrin Hoti.

"Bota sot": Cili do të jetë fokusi i LDK-së për të përmirësuar jetën e qytetarëve gjatë qeverisjes së ardhshme?

Ardita Rrahmani: Lidhja Demokratike e Kosovës e ka tashmë një program që po e shpalos para qytetarëve Republikës së Kosovës, ku prioritet duke pasur parasysh edhe situatën me virusin COVID-19 është shëndetësia. LDK jo vetëm tash, por gjithmonë ka qenë subjekti i vetëm politik i cili prioritet e sheh gjithmonë qytetarin dhe mirëqenien e secilit.

"Bota sot": Si e komenton vendimin që kandidatët që kanë probleme me ligjin të mos kandidojnë në zgjedhje?

Ardita Rrahmani: Në fakt, ne gjatë gjithë kohës flasim për një shtet ligjor, por jemi vet ata që biem në kundërshtim me ato çka edhe i proklamojmë. Po ashtu unë mendoj se gjykatat janë ato që e japin verdiktin e fundit, e ne qytetarët jemi ata të cilët duhet respektuar ato vendime, sepse në fund të fundit ata punojnë sipas legjislacionit në fuqi, të votuar/aprovuar nga vetë ligjvënësit.

"Bota sot": Sipas jush, sa është e duhur që të mbahen tubime elektorale, derisa jeni në kohë pandemie dhe shumë aktivitete prej kohësh janë anuluar për shkak të gjendjes pandemike?

Ardita Rrahmani: Të jem shumë e sinqertë, gjatë gjithë këtij viti pandemik kam bërë thirrje si qytetare që të respektohen masat anti-Covid dhe ende do të vazhdoj të bëj. Janë zgjedhje të jashtëzakonshme, ndaj mendoj që edhe fushata duhet të jetë kësaj here e tillë. Bëj thirrje tek të gjitha subjektet politike dhe kandidatët që t'iu përmbahen atyre masave, sepse ne duhet të jemi shembull për qytetarin.

"Bota sot": Pse qytetarët duhet ta votojnë Ardita Rrahmanin për deputete?

Ardita Rrahmani: Ardita është një e re, e lindur dhe rritur në një vend të vogël si Kaçaniku, por shumë krenare që jam nga ky vend. Kush më mirë se një e re e cila ballafaqohet çdo ditë me sfidat që i ka jetesa në Kosovë, mund të jetë zë i adresimit të atyre sfidave se sa vet unë. Ardita beson në ideologjinë e prijësit të kësaj Lidhje, Presidentit Historik Ibrahim Rugova, por mendoj që kjo ideologji ka nevojë të tregohet dhe trashëgohet nga një gjeneratë e re. LDK është parti e vlerave dhe vlerë e LDK-së është të menduarit dhe shprehurit lirshëm dhe brezat që janë në LDK.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat