Deputetja e VV-së: Kurti nuk e shkel fjalën e dhënë, shpërdoruesit e pushtetit vështirë ta pranojnë Osmanin presidente

Intervista

Deputetja e VV-së: Kurti nuk e shkel fjalën e dhënë, shpërdoruesit e pushtetit vështirë ta pranojnë Osmanin presidente

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 9 prill 2021 Në ora: 11:05
Albin Kurti, Vjosa Osmani

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendit e Kosovës, Arijeta Rexhepi ka thënë se Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti nuk do ta shkelë fjalën e dhënë qytetarëve të Kosovës.

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ajo ka komentuar edhe situatën e krijuar gjatë procesit të zgjedhje së presidentes së Kosovës. Rexhepi ka potencuar se zgjedhja e saj shënon kompletimin e një udhëheqjeje të shtetit që i jep fund mendësisë shpërdoruese të pushtetit.

Sa i përket presidentes Vjosa Osmani, ajo ka thënë se shpërdoruesit e pushtetit e kanë të vështirë ta pranojnë këtë, pasi ajo u ka dhënë fund atyre shpërdorimeve.

Image
Arijeta Rexhepi

Gjithashtu, ajo ka folur edhe për kundërshtimet e opozitës rreth masave të marra nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht nga Ministria e Shëndetësisë për parandalimin e përhapjes së pandemisë Covid19.

“Bota Sot”: Si e komentoni situatën politike në vend?

Arijeta Rexhepi: Vendi ynë ka shumë probleme të natyrave të ndryshme, gjithsesi edhe të natyrës politike. Më ngjall optimizëm ndërtimi me sukses i institucioneve kryesore të shtetit që ndodhi pas zgjedhjeve të 14 shkurtit. Me këto institucione që e kanë mundësinë dhe vullnetin ta përqendrojnë krejt energjinë në drejtim të zgjidhjes së problemeve të vendit, besoj se kemi hyrë në një fazë të kthimit nga e mbara.

“Bota Sot”: Cilat janë pritshmëritë tuaja për Qeverinë Kurti?

Arijeta Rexhepi: Qeveria Kurti, njerëzit që e përbëjnë, janë që e mbajnë fjalën. Pres dhe jam fort e sigurt se fjalën e dhënë qytetarëve të Kosovës nuk do ta shkelin.

“Bota Sot”: Cilat janë prioritetet tuaja si deputete e Kuvendit të Kosovës?

Arijeta Rexhepi: Në situatën në të cilën ndodhemi, prioritet i të gjithë neve do të jetë çështjet nga shëndetësia e ekonomia, shkaku i pandemisë në tërë botën. Ndërsa edhe çështja e arsimit do të jetë njëra ndër prioritetet, ku unë do të angazhohem për rritjen e cilësisë në arsim.

“Bota Sot”: Si është gjendja e arsimit në Kosovë?

Arijeta Rexhepi: Nuk është e lakmueshme, fatkeqësisht. Për sa kohë që arsimi vazhdon të jetë i shkëputur nga ekonomia, gjendja nuk mund të përmirësohet dukshëm. Nxënësi, studenti duhet të kenë perspektivë punësimi të mirëfilltë, po edhe vendi e shoqëria të kenë përfitim nga ky proces.

“Bota Sot”: Është vendosur që të zhvillohet mësimi online për një kohë të caktuar, si e komentoni këtë? Sa mund të ketë efekt mësimi online, duke u nisur nga ajo se ju marrjes së mandatit keni qenë ushtruar profesionin tuaja si profesorësh?

Arijeta Rexhepi: Jam e vetëdijshme se mësimi pa praninë fizike ka shumë të meta, por kur rrezikohet shëndeti, është i domosdoshëm kujdesi dhe kalimi në forma të tjera më të sigurta.

“Bota Sot”: VV-ja pati pak vështirës për zgjedhjen e presidentes, pse mendoni se ndodhi kjo?

Arijeta Rexhepi: Përpjekjet e atyre që kundërshtonin zgjedhjen e zonjës Osmani në krye të shtetit kanë qenë të pritshme. Zgjedhja e saj shënon kompletimin e një udhëheqjeje të shtetit që i jep fund mendësisë shpërdoruese të pushtetit. Njerëz të mësuar ndryshe nga kjo, nuk e kanë të lehtë ta pranojnë.

“Bota Sot”: Opozita po e kundërshton vazhdimit qeverinë Kurti, si e vlerësoni sjelljen e tyre?

Arijeta Rexhepi: Është e natyrshme që opozita të kundërshtojë, është roli i saj. Kur kundërshtimet përcillen me ofrim alternativash, kjo e bën pozitën të reflektojë dhe është gjë e mirë, përndryshe, nëse kundërshtohet vetëm sa për të kundërshtuar, kjo s’është gjë tjetër pos zhurmë.

“Bota Sot”: Çfarë po i shtyn ata që të mbajnë inate ndaj z. Kurti e VV-së?

Arijeta Rexhepi: Inatet kurrë nuk sjellin ndonjë të mirë. Qeverisësin e mirë e shquan interpretimi i së mirës për vendin si të mirë për atë që qeverisë. Dhënia përparësi përfitimeve individuale e grupore ndaj mirëqenies së vendit është shkatërrimtare. Një pjesë e atyre që po mbajnë inat i përkasin kësaj kategorie. Nuk janë të paktë ata që u duhet pak kohë që ta kuptojnë se do të bëhet mirë edhe për ta.

“Bota Sot”: Që nga viti i kaluar Kosova po përballen pandeminë globale Covid19, si mendoni që është menaxhuar ajo?

Arijeta Rexhepi: Pandemia na ka shkaktuar dhe po vazhdon të na shkaktojë telashe. Pa hyrë shumë në hollësi të tjera, mendoj se në këto kohë të vështira nuk është bërë gjithaq për ata që janë me hallet më të mëdha; për ata që kanë të ardhura të pakta e për ata që nuk kanë fare. Pres dhe do të angazhohem që kjo kategori të marrë ndihmë.

“Bota Sot”: Në Kosovë është rritur numri i rasteve me covid19, sa mendoni se mund të kenë efekt në ndaljen e përhapjes së pandemisë pas masave të marra?

Arijeta Rexhepi: Gjendja është e rënduar sa i përket vdekjeve dhe rasteve me Covid 19 dhe masat e marra janë në përputhje me këtë gjendje të rënduar duke pasuar parasysh trendin e frikshëm të rritjes së infeksionit. Mundësia që kapacitetet shëndetësore të mos përmbyten përtej limiteve të tyre mendoj se do të kenë efekt masat e marra nga Qeveria.

“Bota Sot”: Për herë të parë në Kuvendin e Kosovës, numri i grave deputete është më i larti, si e komentoni këtë? Çfarë roli mund të kenë, kur dihet se në përgjithësi gratë në Kosovë janë të diskriminuara në shumë fusha?

Arijeta Rexhepi: Është një dëshmi se gratë mund të bëjnë edhe punë të mëdha. E shoh këtë si një rikthim të kulturës e traditës sonë të lashtë, të sulmuar e mohuar nga dashakëqij, po më së shumti nga mentaliteti i imponuar një kohë të gjatë nga ata që na krijuan rrethana jetese aspak të lehta.

“Bota Sot”: Cili është mesazhi juaj për ata që ju votuan?

Arijeta Rexhepi: Le të vazhdojnë të na mbështesin siç na mbështetën në mënyrë që ta kemi mundësinë t’i mbështesim synimet e tyre për një jetë më të mirë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat