Anëtari i kryesisë paralajmëron rikthimin e LDK-së, ka një kërkesë për Osmanin dhe Gërvallën

Intervista

Anëtari i kryesisë paralajmëron rikthimin e LDK-së, ka një kërkesë për Osmanin dhe Gërvallën

Arife Morina Nga Arife Morina Më 25 maj 2021 Në ora: 20:04
Anëtari i Kryesisë së LDK-së Faton Bislimi

Gjatë zgjedhjeve të fundit të brendshme, Lidhja Demokratike e Kosovës ka zgjedhur kryetarin e ri Lumir Abdixhiku dhe kryesinë e re të saj, ku me këtë ka paralajmëruar reforma brenda partisë.

Një nga anëtarët e kësaj kryesie, u zgjodh edhe Faton Bislimi.

Ish-deputeti i LDK-së dhe njëherësh anëtar i kësaj partie, Faton Bislimi në një intervistë për gazetën “Bota sot”, për ka komentuar zhvillimit e fundit në vend dhe planet dhe punën brenda LDK-së, në prag të mbajtjes së zgjedhjeve lokale.

Anëtari i kryesisë së LDK-së dha detaje nga përgatitjet e brendshme për zgjedhjet lokale, tregoi rëndësinë e unitetit dhe dallimit brenda partisë së tyre dhe tregoi kriteret që do të kenë kandidatët për kryetar komunash nga radhët e LDK-së.

Gjithashtu, Bislimi foli edhe për opozitarizmin e LDK-së përballë Qeverisë Kurti. Ai tha se ka besim të plotë tek kreativiteti dhe përkushtimi i LDK-së për t’i bërë opozitë të arsyeshme dhe të fortë pushtetit në interes të shtetit dhe qytetarëve.

Ndërsa, si studiues për administratën publike dhe zhvillim ndërkombëtar Bislimi e përkrahi iniciativën e MPJ-së për shkarkimin e ambasadorëve politik.

“Siç e kam thënë edhe më parë, diplomacia e Kosovës, për fatin tonë të keq, është dikasteri qeveritar që ka nevojën më të madhe për riorganizim, rivlerësim, dhe ri formatim thelbësor. MPJ është përdorur gati se historikisht si një ent punësimi partiak. Shërbimi ynë i jashtëm është kthyer në mundësi turizmi me buxhet të shtetit për shumëkë”, deklaroi Bislimi.

Në fund, ish-deputeti përmendi edhe dialogun Kosovë-Serbi, ku kërkoi nga spektri politik të jenë unifikues të në çështje.

“Vetëm me përkushtim e bashkërendim politik brenda dhe në partneritet të plotë me SHBA-të dhe aleatët tjerë, ne do të dalim fitimtarë nga ky proces”, u shpreh anëtari i LDK-së.

Intervista e plotë

“Bota sot”: Si e komentoni në përgjithësi situatën politike në vend?

Faton Bislimi: Kosova është në një situatë jashtëzakonisht të ndjeshme politike por edhe socio-ekonomike. Politike—kryesisht për shkak të procesit të dialogut dhe oscilimeve në qëndrime karshi këtij procesi që kemi parë nga Qeveria e vendit; dhe socio-ekonomike—kryesisht për shkak të pandemisë dhe pasojave të llahtarshme të saj në humbjen e jetëve të qytetarëve, koston e madhe të shtuar ndaj buxhetit familjar të familjeve të prekura nga virusi, si dhe barrën e rëndë financiare mbi supet e njoma të ekonomisë sonë të brishtë.

“Bota sot”: Lidhja Demokratike e Kosovës para pak kohësh mbajti edhe zgjedhjet e brendshme, ku ju jeni zgjedhur anëtar i Kryesisë së kësaj partie, cilat janë synimet e juaja gjatë këtij mandati?

Faton Bislimi: Unë kam qenë i vetmi deputet i LDK-së në legjislaturën e kaluar që në vazhdimësi ka kërkuar ribrendimin politik të LDK-së, dhe atë edhe publikisht, menjëherë pas debaklit zgjedhor që pësuam në Podujevë më 29 Nëntor 2020. Kisha vlerësuar se po i hynim në hak elektoratit tonë falë të cilit LDK kishte mbajtur primatin në zgjedhje edhe në Podujeve edhe gjithkah tjetër për shumë kohë. Fatkeqësisht, u dashtë edhe shembja elektorale e LDK-së në zgjedhjet nacionale të 14 Shkurtit për të ndodhë një kuvend i jashtëzakonshëm zgjedhor dhe për të dalë në pah një lidership i ri i LDK-së. Unë ndihem i nderuar që Kuvendi i LDK-së së pari më ka zgjedhur anëtar të Këshillit të Përgjithshëm, dhe mandej ky i fundit, më ka zgjedhur në Kryesi të partisë. Synimi im personal, por besoj edhe i shumicës së kolegëve të mi në Kryesi të LDK-së, është që t’ia kthejmë primatin politik LDK-së: një LDK që vlerëson traditën politike, por ndërton ofertën e së ardhmes; një LDK që njeh kontributin e secilit, por shtynë përpara kërkesat elektorale; një LDK që vendos shtetin mbi pushtetin, dhe qytetarin mbi pushtetarin – një LDK e ideologjisë së qendrës së djathtë, partnere e besueshme e SHBA-ve dhe aleatëve tjerë ndërkombëtar, dhe çdoherë shërbyese ndaj interesit nacional dhe qytetar!

“Bota sot”: A mendoni se LDK do të arrijë të rikthejë elektoratin e saj me reformat që po ndërmerren, deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale, që pritet të mbahen në fund të këtij viti?

Faton Bislimi: Për të qenë jashtëzakonisht i sinqertë, koha është shumë e shkurtër – nga zgjedhja e kryetarit dhe kryesisë së re të partisë deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale – për LDK-në të arrijë të ri konsolidohet fuqishëm, por indikatorët e deritanishëm janë shumë pozitiv dhe inkurajues. Andaj, unë mbetem optimist se LDK do të gjejë fuqinë brenda radhëve të veta për të dalë suksesshëm në sfidën zgjedhore të vjeshtës 2021. Reforma në parti nuk është proces aspak i lehtë e as populist; përkundrazi, është proces kompleks, skajshmërish i ndjeshëm, por edhe thellësisht i nevojshëm. Suksesi i ardhshëm i LDK-së duhet kërkuar në frymën e unitetit në dallime. Në një parti demokratike dhe të hapur siç është LDK nuk ka e as që mund të ketë uniformitet të mendimit, por duhet të ketë bashkërenditje të veprimit. Prandaj, uniteti në dallime, për mua është atribut themeltar i suksesit tonë të ardhshëm. Nuk dyshoj se nën lidershipin e Dr. Abdixhikut dhe Kryesisë së LDK-së, qytetarët në përgjithësi dhe elektorati tradicional i LDK-së në veçanti, do ta kenë jo vetëm më të lehtë, por edhe më të dëshiruar, dhënien e besimit për LDK-në dhe për vizionin që ne do të ngrisim në vjeshtë për secilën komunë.

“Bota sot”: A i keni zgjedhur kandidatët për kryetarë të komunave ende? Nëse po, na trego ndonjë emër.

Faton Bislimi: Jo, nuk ka ende asnjë vendim zyrtar të LDK-së për asnjë emër të përvetshëm sa i përket kandidaturave për kryetarë komunash. Kryesia e LDK-së ka krijuar grupe punuese të nivelit qendror për secilën degë të LDK-së nëpër gjithë Kosovën përmes së cilave po vlerësohet detajshëm situata në secilën degë dhe bazuar në të gjeturat nga terreni të këtyre grupeve punuese, Kryesia do të marrë vendimet e duhura për zgjedhje eventuale apo rikonsolidim të secilës degë. Ky proces i vlerësimit të brendshëm degë për degë ndërlidhet edhe me propozimet dhe përfundimisht nominimet që LDK do i bëjë për kandidatët për kryetarë komunash. Ne do të jemi të hapur për propozimet, kërkesat, e rekomandimet e secilit aktivist e aktiviste të LDK-së në secilën nëndegë e degë të partisë sa i përket kandidaturave. Unë besoj se një proces diskutimi transparent brenda partiak ndihmon në konsolidim të radhëve mbrapa një kandidati të suksesshëm për kryetar komune. Nuk kam dyshim se kandidatët tonë do të jenë larg më të përgatitur, më të pranueshëm, dhe më të përkrahur sesa rivalët.

“Bota sot”: Për kryetar të Prishtinës, kandidat nga LDK u përmend arkitekti Përparim Rama. Si qëndron e vërteta?

Faton Bislimi: Përderisa Kryesia e LDK-së nuk ka marrë vendim për të nominuar kandidatin për kryetar të Prishtinës, gjithçka mbetet veçse spekulim mediatik. Unë nuk e njoh personalisht z. Rama, dhe nuk dua assesi të komentoj emra të përvetshëm për asnjë komunë, përfshirë këtu edhe Prishtinën. Por ajo që mund të them është se Prishtina ka rëndësi të veçantë për LDK-në dhe neve do angazhohemi që të dalim me kandidatin që e fiton Prishtinën -- kandidatin që Prishtina e sheh, e njeh, e pranon, dhe e përkrah si të birin apo të bijën e saj; kandidatin që LDK-ja e vlerëson, e propozon dhe e ndihmon si njeriun më të çmuar të saj për kryeqytetin.

“Bota sot”: Ju keni qenë edhe deputet i Kuvendit të Kosovës, nga prespektiva juaj si e vlerësoni opozitarizmin e LDK-së, gjatë këtij mandati?

Faton Bislimi: Opozitarizmi ndaj një mazhorance solide nuk është i lehtë, kuptohet. Por, unë kam besim tek kreativiteti dhe përkushtimi i LDK-së për t’i bërë opozitë të arsyeshme dhe të fortë pushtetit në interes të shtetit dhe qytetarëve. Nuk është në kulturën e LDK-së opozitarizmi jodemokratik. Neve do mundohemi të bëjmë më të mirën për shtetin, dhe për interesin nacional do jemi të hapur për bashkëpunim me secilin në Kuvendin e Kosovës. Këtë kulturë të vendosjes së interesit të shtetit mbi interesat momentale partiake e treguam edhe me rastin e zgjedhjes se Presidentes së vendit. Thjeshtë, LDK nuk do ia kthejë me monedhën e njëjtë opozitarizmin atyre që sot e mbajnë pushtetin e dje ishin opozitë e LDK-së. Ne nuk shohim armiq në skenën politike shqiptare, por vetëm rivalë! E, rivalitetin do e shpërfaqim me alternativa më të mira për politikat publike, e jo me ndjellakeqësi e armiqësi!

“Bota sot”: Si e vlerësoni qeverisjen e vendit deri tani nga Qeveria Kurti II? Cilat janë vendimet që sipas jush i kanë sjellë dëme ose dobi qytetarëve të vendit?

Faton Bislimi: Është ende herët të kemi ndonjë vlerësim domethënës, realisht. Fillimi duket goxha anemik në vendimmarrje për probleme komplekse, si dhe shumë i zbehtë në mundësinë e materializimit të një programi qeverisës të formuluar më shumë në trajtën e prezantimit sesa të substancës karshi disa politikave publike. Mirëpo, duhet t’i japim 100-ditëshin Qeverisë dhe mandej të bëjmë bilancin fillestar në mes të asaj që është premtuar dhe asaj që realisht është implementuar. Do të ketë shumë vend për përmirësim, për angazhim shtesë, dhe për ndryshim, gjithsesi. Sot, beteja me pandeminë është imediate. Fokusi e përkushtimi përmes një qasje gjithëpërfshirëse qeverisëse duhet të jetë aty. Përndryshe, çfarëdo deklarate e papërcjellur me një veprim konkret është veçse lojë fjalësh.

“Bota sot”: Gjithashtu, Z. Bislimi duke ditur se ju keni përfunduar studimet në Harvard për administratë publike dhe zhvillim ndërkombëtar, si i komentoi shkarkimit e ambasadorëve politikë, nga ministrja e MPJ-së, Donika Gërvalla?

Faton Bislimi: Siç e kam thënë edhe më parë, diplomacia e Kosovës, për fatin tonë të keq, është dikasteri qeveritar që ka nevojën më të madhe për riorganizim, rivlerësim, dhe riformatim thelbësor. MPJ është përdorur gati se historikisht si një ent punësimi partiak. Shërbimi ynë i jashtëm është kthyer në mundësi turizmi me buxhet të shtetit për shumëkë. Ne kemi të ashtu-quajtur diplomatë nëpër misione diplomatike që jo vetëm se nuk kanë asnjë përgatitje profesionale në fushën e diplomacisë, por që nuk njohin as gjuhën e vendit nikoqir e në rastin më të keq as anglishten! Kjo, assesi nuk do të thotë se nuk kemi diplomatë të jashtëzakonshëm e të suksesshëm, ngase kemi, edhe pse jo shumë. Kemi të tillë që, siç thotë populli, “ta lënë syrin çelë,” me profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre. Kërkesa e Ministres Gërvalla, e aprovuar nga Presidentja, për të liruar nga detyra ambasadorët e emëruar politikisht është e drejtë e bartësve të politikës sonë të jashtme në aspektin legal. Secili ambasador i emëruar politikisht, besoj, e ka pasur të qartë se siç është emëruar edhe mund të lirohet nga detyra. Por, veprimi në fjalë duhet matë me zëvendësimin e këtyre që janë liruar nga detyra. Unë i bëj thirrje Ministres Gërvalla dhe Presidentes Osmani që emërimet e radhës në postet e ambasadorëve t’i bëjnë në bazë të meritave, profesionalizmit, përkushtimit, dhe aftësisë reale të individëve të caktuar për të kryer punë të suksesshme në vendet nikoqire për Kosovën dhe për shtetin tonë. Përtej afërsisë apo përkatësisë politike e partiake të këtyre individëve duhet shikuar performanca dhe kredencialet akademike e profesionale. Kur këto kritere të zënë vendin e duhur në emërimet e ambasadorëve të Kosovës, gjithçka tjetër mbetet pastaj veçse zhurmë ditore.

“Bota sot”: A keni pranuar ndonjë ofertë për të qenë ambasador i Kosovës në ndonjë shtet; e them këtë duke u bazuar në përvojën tuaj politike dhe bashkëpunimin me shumë zyrtarë amerikanë?

Faton Bislimi: Ky vit shënon njëzet-vjetorin e angazhimit tim lobues në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes organizatës sonë të vetme të regjistruar si lobi në Washington, DC, Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, themeluar më 1989, dhe udhëhequr nga gur themeli i marrëdhënieve tona unike me Amerikën, Kongresisti Joe DioGuardi dhe znj. Shirley Cloyes DioGuardi. Realisht, unë kam pasur nderin jetësor do të thosha të shërbeja në stafin e Komisionit për Punë të Jashtme të Kongresit të SHBA-ve qysh në vitin 2003. Rrjedhimisht, nga nënkryetari i këtij Komisioni asokohe, Kongresisti Tom Lantos, jam nderuar edhe me Çmimin e Mirënjohjes së Veçantë Kongresionale në Maj 2005. Gjatë këtyre dy dekadave të angazhimit intensiv në SHBA, unë kam pasur rastin të njohë e bashkëpunoj me figura kyçe të politikës amerikane, si senatorë e kongresistë, por edhe zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit e Shtëpisë së Bardhë. Së fundi, kisha nderin e veçantë që udhëhoqa platformën Albanians for Biden në kuadër të fushatës presidenciale të Joe Biden, tanimë President i SHBA-ve! Këto lidhje dhe mësimet që kam marrë për manovrimin e suksesshëm përbrenda labirintheve politike të Washingtonit janë aset paçmuar për mua; aset edhe për Kosovën, gjithsesi, nëse shfrytëzohen drejtë e mbarë. Sa i përket ndonjë oferte, jo, nuk kam pas asnjë të tillë. Realisht, kam qenë ndër tre kandidatët e përzgjedhur përmes një procesi rekrutimi që ka kaluar nëpër tri faza, përfshi këtu edhe Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës, për Ambasador në Washington, DC, qysh në vitin 2008 kur janë caktuar ambasadorët tanë të parë. Asokohe, në fund, postin e mori Avni Spahiu. Sidoqoftë, fatkeqësisht, sot Ambasada jonë në Washington, DC është pa ambasador të akredituar aty; por vetëm me të ngarkuar me punë. Shpresoj se institucionet tona nuk do e lënë gjatë vakante këtë pozitë në një vend me kaq shumë rëndësi si Washingtoni. Kurse për mua personalisht me rëndësi është se do të vazhdojë punën time për kauzën kombëtare kudo nëpër botë e veçanërisht në SHBA ashtu siç kam bërë deri më tani, për dy dekada radhazi. Ambasadorët tanë më të mirë, në fakt, janë vet mërgata jonë!

“Bota sot”: Çfarë prisni nga dialogu me Serbinë që pritet të fillojë në qershor? Sa mendoni se së shpejti mund të kemi marrëveshje finale në mes të dyja vendeve?

Faton Bislimi: Dialogu është barrë e rëndë për Kosovën dhe sa më shpejtë që të përmbyllet, aq më mirë për neve. Tanimë dihet qartë edhe pozicionimi i aleatëve tanë kryesorë ndërkombëtar për këtë çështje – dialogu duhet të përfundojë me një marrëveshje ndërkombëtare dhe ligjërisht të obligueshme për të dyja palët, e cila sjellë njohje reciproke. Këtë e tha edhe Presidenti Biden në letrën e tij drejtuar znj. Osmani. LDK do të luajë rolin e vet konstruktiv në këtë proces, sepse LDK e kupton fare mirë që çështja e dialogut nuk është çështje as vetëm e një partie politike e as veç e një qeverie. Ky ka qenë edhe qëndrimi im në Kuvendin e Kosovës sa isha i ngarkuar për punën e dialogut në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së. Fundja, siç po shihet, ka të paktën pesë qeveri që janë marrë me dialogun. Andaj, në çështje madhore të interesit nacional siç është dialogu, Kosova duhet të jetë një dhe e bashkuar karshi Serbisë! Përkundër kësaj, barra kryesore e bartjes së këtij procesi i bije Kryeministrit të vendit. Unë do të doja shumë të shihja një seriozitet më të shtuar të Kryeministrit dhe Qeverisë së Kosovës në këtë drejtim, p.sh. do të rekomandoja fuqishëm që Kryeministri Kurti të sjellë afër vetit disa nga figurat emblematike amerikane (edhe tjera pse jo), njohës të çështjes së Kosovës me dekada—nga bota akademike dhe veçanërisht ajo e politikave publike—që dinë dhe munden të ndihmojnë jashtëzakonisht shumë në procesin e dialogut. Vetëm me përkushtim e bashkërendim politik brenda dhe në partneritet të plotë me SHBA-të dhe aleatët tjerë, ne do të dalim fitimtarë nga ky proces.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat