Deputeti i VV-së: Kryeministri Kurti ua tha në fytyrë BE-së, turpin e Serbisë në Kosovë

Intervista

Deputeti i VV-së: Kryeministri Kurti ua tha në fytyrë BE-së, turpin e Serbisë në Kosovë

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 21 qershor 2021 Në ora: 18:20
Albin Kurti, Aleksander Vuçiq, foto ilustrim

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Alban Bajrami, në një intervistë për “Bota sot” ka folur për çështjet aktuale të cilat e karakterizojnë vendin tonë.

Ndër tjera Bajrami ka folur për situatën politike në Kosovë duke e vlerësuar si gjendje normale.

Ai për takimin mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq ka thënë se Kurti ka treguar gjindshmëri dhe guxim në atë takim, ku sipas tij, të gjithë duhet të mësohen me një përfaqësim të tillë dinjitoz të kryeministrit, për të cilin është lavdëruar edhe nga kundërshtarët e tij politik.

Sa i përket çështjes së të pagjeturve dhe padisë për gjenocid, deputeti i VV-së ka thënë se këto nuk kanë qenë vetëm premtim elektoral por ai është i vetmi që ua tha në sy evropianëve dhe Serbisë turpin që serbët kanë bërë në Kosovë, gjenocidin.

Kurse, për zgjedhjet lokale, Bajrami është shprehur se presin shtrirje të VV edhe më të gjerë, por se deklaron që nuk kanë ndryshim nga zgjedhjet qendrore.

E, sa për kandidatëve, ai ka thënë se VV ka primar programin pastaj kandidatin më të përshtatshëm.

Image
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Bajrami

 

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen aktuale politike në vend?

Alban Bajrami: Gjendja politike aktualisht është më normale nga sa paraqitet në baza ditore nga mediumet. Edhe pse është e pritshme që me një pozitë siç është Lëvizja Vetëvendosje, vazhdimisht tentohet që të portretizohet si gjendje e jashtëzakonshme e që në fakt kjo e tillë është vetëm për ata të cilët pushtetin e kanë pasur si jorgan për t'i mbuluar veprimet dhe përfitimet e paligjshme.

“Bota sot”: Kryeministri Albin Kurti është takuar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq në Bruksel, ku i ka bërë 4 propozime. Si e vlerësoni paraqitjen e tij?

Alban Bajrami: Paraqitjen e kryeministrit Kurti po detyrohen ta përshëndetin edhe kundërshtarët politikë, duke u habitur nga gjindshmëria dhe guximi në përfaqësim. Kjo në fakt për z. Kurti nuk do të mbetet as i pari por as i fundit dhe se kundërshtarët politik të Lëvizjes duhen të mësohen që një përfaqësim i tillë dinjitoz dhe i guximshëm me plot fakte do vazhdojë të praktikohet edhe në të ardhmen.

“Bota sot”: Ai po ashtu ka dashur të flas për të pagjeturit dhe padinë ndaj Serbisë për gjenocid e jo për Asociacionin. A tregon kjo se kryeministri Kurti po i mban premtimet për këto dy çështje?

Alban Bajrami: Kryeministri Kurti asnjëherë të pagjeturit nuk i ka trajtuar si premtim elektoral por si një detyrë e një kryeministri që do të duhej zbatuar edhe në të kaluarën nga të tjerët. Edhe padia për gjenocid edhe pse e portretizuar si diçka e vështirë, tashmë kemi një kryeministër që në sy të evropianëve por edhe në fytyrë të Serbisë u tregon që ata nuk mund ta fshehin e as pengojnë turpin e tyre, që është gjenocidi në Kosovë.

“Bota sot”: Sa ka shpresa që së shpejti mund të arrihet marrëveshja finale me njohje reciproke nga Serbia?

Alban Bajrami: Ne nuk duhet t'i varim shpresat shumë në njohje të Serbisë, sepse pastaj i bije që sa më shumë shpresa në njohje nga Serbia aq më pak shtetësi për Kosovën, pasi dihet se Serbia në deklarimet e veta Kosovën e njeh vetëm të tjetërsuar.

“Bota sot”: Si e vlerësoni punën e Qeverisë deri tani?

Alban Bajrami: Qeverisje model e cila në vazhdimësi do të ngritë standardin e menduar e lëre më të provuar në Kosovë. Duke marrë parasysh gjendjen e rëndë dhe kaotike që ka dominuar në të kaluarën, treguesit deri tash janë shumë pozitiv për Kryeministrin Kurti dhe qeverinë e tij.

“Bota sot”: Jeni anëtar në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione. Dhuna që po ndodh në familje në Kosovë, ku mendoni se qëndroni problemi?

Alban Bajrami: Problemi qëndron tek zinxhirët institucionalë dhe vetëdijesimi shoqëror që kemi si vend, një ligj i ri është duke u punuar kundër dhunës në familje dhe besoj që një numër të madh të boshllëqeve nga e kaluara do të përmbushen me këtë ligj.

“Bota sot”: Çfarë prisni nga zgjedhjet lokale?

Alban Bajrami: Nga zgjedhjet lokale pres një shtrirje edhe më të gjerë të politikave të Lëvizjes që do vijë nga besimi që do marrim kudo nëpër Kosovë. Tashmë qytetarët e kanë të qartë çfarë duan dhe nga kush i duan ndryshimet dhe se zgjedhjet lokale nuk do jenë ndryshe nga ato qendrore.

“Bota sot”: A keni caktuar ndonjë kandidat për kryetar në ndonjë nga komunat?

Alban Bajrami: Lëvizja Vetëvendosje shumë shpejt do të dalë me kandidatët nëpër komuna. Ne nuk ndjejmë nguti për të dalë me emra të përveçëm, pa dalë fillimisht me programin dhe se edhe kësaj herë kështu do jetë. Fillimisht programi pastaj kandidati më i përshtatshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat