Pendarovski: Të drejtat e shqiptarëve nuk janë në dëm të maqedonasve

Intervista

Pendarovski: Të drejtat e shqiptarëve nuk janë në dëm të maqedonasve

Më: 15 gusht 2021 Në ora: 06:56
Stevo Pendarovski

Vendimtare për suksesin në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit ishte se ata që e nënshkruan atë nuk kishin ndërmend ta pengonin realizimin e saj, thotë Presidenti maqedonas Stevo Pendarovski në një intervistë për DW.

“E vështirë me të, edhe më e vështirë pa të”, ishte fraza që shoqëroi Marrëveshjen e Ohrit dhe përmendet madje edhe pas 20 vjetësh

Për maqedonasit, përmbajtja e marrëveshjes dhe të drejtat që marrin shqiptarët nuk ishin aq të diskutueshme, sa mënyra se si u arrit. Sipas mendimit tim, kjo është arsyeja kryesore pse marrëveshja kurrë nuk mori mbështetjen e shumicës mes maqedonasve dhe kjo është arsyeja pse unë e shoh sfidën kryesore për të gjithë ne, brezin aktual të politikanëve, për të shpjeguar se askush nuk mund të humbasë nëse dikush tjetër fiton të drejtat , veçanërisht në një situatë ku të drejtat që morën shqiptarët me Marrëveshjen e Ohrit nuk ishin në kurriz të humbjes së të drejtave të maqedonasve.

Ceremonia e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit

Në të njëjtën kohë, u shfaq një problem tjetër, i cili ekziston edhe sot. Gjegjësisht, të zhgënjyer nga mënyra se si bashkësia ndërkombëtare i zhvilloi negociatat, disa politikanë maqedonas filluan të hedhin në publik tezën se diplomatët e huaj, veçanërisht ata amerikanë, gjoja ndjekin politikë pro-shqiptare me qëllimin përfundimtar të shkatërrimit të vendit. Edhe pse motivet pse e bënë këtë janë krejt të parëndësishme, kjo shkaktoi dëme të mëdha në marrëdhëniet me partnerët strategjikë, sepse ata që përhapnin teza të tilla nuk ishin të gatshëm të shihnin logjikën e të huajve që këmbëngulën për një armëpushim të menjëhershëm që Maqedonia të mbetet një shtet unitar brenda kufijve të saj, sepse përhapja e konfliktit me siguri do të kishte sjellë një numër të madh viktimash dhe shpërbërje të shtetit.

Angazhimi i vazhdueshëm ndaj marrëveshjes ishte i nevojshëm për udhëheqësit e të dy bashkësive etnike, sepse për shumicën e maqedonasve marrëveshja konsiderohej kapitullim, dhe prej disa shqiptarëve vinin kritika se ajo nuk shkonte plotësisht në përputhje me kërkesat e UÇK-së në deklaratat e saj të para – për një zgjidhje territoriale të problemeve etnike. Sigurisht një parakusht kritik ishte sinkronizimi i pjesës evropiane dhe atlantike të aleancës perëndimore, e cila ndodhi në kohë, ndryshe nga konfliktet e mëparshme ballkanike.

Cili ishte gabimi më i madh i negociatave të Ohrit?

Sipas mendimit tim, gabimi më i madh i negociatave të Ohrit është se nën presionin e dinamikës jashtëzakonisht të pafavorshme të ngjarjeve në terren, pjesëmarrësit në negociata nuk kishin kohë të angazhoheshin për të drejtat dhe statusin e bashkësive të tjera etnike dhe prandaj marrëveshja me të drejtë cilësohet si binacionale dhe kjo sigurisht që nuk është përparësi në një shoqëri multikulturore. Mbaj mend që atëherë presidenti u kritikua ashpra nga një pjesë e gardës së vjetër të nacionalistëve maqedonas të Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe të Arteve, që në vitin 2001 propozoi shkëmbimin e njerëzve dhe territoreve si zgjidhje të konfliktit.

Dy dekada më vonë, si e vlerësoni rëndësinë e Marrëveshjes së Ohrit?

Sa herë që i referohem rëndësisë së Marrëveshjes kuadër në një perspektivë historike, i kthehem rregullisht tezës kryesore të tekstit që kam shkruar për raportin e Komisionit të Tretë Ndërkombëtar për Ballkanin në 2004. Domethënë, si atëherë edhe sot besoj se marrëveshja ishte përgjigja më e mirë e mundshme e udhëheqjes politike ndaj sigurisë së brendshme të asaj kohe, kontekstit politik dhe historik. Argumenti më i mirë në favor të kësaj teze është se si atëherë dhe sot, edhe kritikët më të zjarrtë nuk janë në gjendje të ofrojnë një alternativë të zbatueshme për logjikën e saj themelore.

Suksesi në zbatimin e marrëveshjes nuk është për shkak të strukturës së saj pa të meta normative ose zgjidhjeve unike politike, sepse standardet kryesore të saj me modifikime të vogla janë në të gjitha dokumentet e ngjashme që përfunduan konfliktet, jo vetëm në rajonin tonë. Ishte vendimtare që ata që e nënshkruan atë nuk kishin ndërmend të falsifikonin realizimin e saj dhe të thoshin një gjë para të huajve dhe të bënin një gjë tjetër përpara elektoratit të tyre lokal. Pse e bënë këtë? Sepse nëse një marrëveshje politike nuk do të ishte arritur, alternativa për të gjithë ishte më se e qartë: shteti do të ishte ndarë brenda disa muajsh sipas linjave etnike me një numër të madh të vdekurish dhe të plagosurish nga të dy palët. Parimi im udhëzues në politikë ka qenë gjithmonë se paqja nuk ka alternativë. Kështu mendoja atëherë, kështu mendoj edhe sot.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat