VV në Podujevë e bindur në fitoren e Bulliqit, nënkryetarja e komunës flet dhe për kandidatin e LDK-së

Intervista

VV në Podujevë e bindur në fitoren e Bulliqit, nënkryetarja e komunës flet dhe për kandidatin e LDK-së

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 25 gusht 2021 Në ora: 19:11
Shpejtim Bulliqi

Nënkryetarja e Komunës së Podujevës, Marigona Lahu në një intervistë për “Bota sot” ka folur për punët në qytetin e Podujevës dhe për përgatitjet për zgjedhjet lokale.

Ajo shprehet e bindur se kryetari aktual i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i cili është dhe kandidat i VV-së për këtë komunë, do të jetë sërish kryetar.

Sa i përket punëve të kryera në komunë, ajo ka thënë se rëndësi të veçantë i kanë dhënë sektorit të shëndetësisë ku kanë rritur gamën e shërbimeve që ofrohen për pacientët, përmes funksionalizimit të shumë aparaturave.

Image
Marigona Lahu

Kurse për zgjedhjet lokale të cilat po afrojnë, nënkryetarja Lahu ka thënë se VV së shpejti do të dalë me programin e saj për qeverisje edhe pse nuk ka dyshime për fitoren.

Për kandidimin e Ekrem Hysenit të LDK-së, për kryetar ajo thotë se i shton garës atraktivitetin dhe për herë të parë në fushatë do të diskutohet në një nivel tjetër. Por, që sipas saj qytetarët e Podujevës e kanë ndarë mendjen, ata vetëm se do e rikonfirmojnë kryetarin Bulliqi.

Për rritjen e rasteve ajo thotë që të gjithë qytetarët duhet të vaksinohen, nuk e sheh një mbyllje sepse po shkon ne dëm të vendit sa i përket ekonomisë. Ajo për situatën në Podujevë thotë që janë shtuar rastet me Covid-19, por edhe vetëdijesimin që të vaksinohen qytetarët.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Jeni nënkryetare e Vetëvendosjes në Podujevë, çfarë prisni nga zgjedhjet lokale?

Marigona Lahu: Si Nënkryetare e Komunës, pres që besimi i qytetarëve ndaj nesh të rikonfirmohet dhe ne të mund të vazhdojmë ta implementojmë programin tonë, i cili ka në fokus qytetarin dhe zhvillimin e Podujevës.

“Bota sot”: Sa janë gjasat që sërish Bulliqi të udhëheq me Podujevën?

Marigona Lahu: Përmes takimeve të përditshme me palë, ne shohim që përkundër kohës së shkurtër të qeverisjes sonë, qytetarët janë të kënaqur me shërbimet e ofruara nga komuna, punët e kryera dhe punët që po kryhen, kështu që nuk kemi fare mëdyshje që besimi i qytetarëve për Kryetarin Bulliqi të vazhdojë edhe për 4 vitet e ardhshme.

“Bota sot”: Cilat janë disa nga punët që ju si VV me qeverisje në Podujevë i keni përfunduar?

Marigona Lahu: Gjatë kësaj kohe kemi kryer mjaft punë të mira. Fokus të madh kemi pasur në shëndetësi, ku kemi rritur gamën e shërbimeve që ofrohen për pacientët, përmes funksionalizimit të shumë aparaturave, të cilat u mundësojnë qytetarëve ekzaminime të ndryshme dhe ka lehtësuar barrën financiare. Ndryshime pozitive vërehen edhe në administratë, ku qytetarët lehtë e shpejtë i kryejnë shërbimet e tyre, përmirësim në infrastrukturën rrugore, ndriçim, pasurim të jetës artistike e kulturore në qytet, përmirësim të kushteve infrastrukturore në shkolla. Punë të mëdha janë kryer edhe në fushën e bujqësisë ku janë mbështetur një numër i madh i fermerëve, gjë që do të ndikojë në shtimin e prodhimtarisë së tyre. Rëndësi të veçantë i kemi kushtuar edhe mbështetjes me fonde e pajisje të ndryshme grave të qytetit tonë dhe janë kryer mjaft punë që kanë lehtësuar jetën e secilit nga ne.

“Bota sot”: Cili është programi juaj për qeverisje në Podujevë?

Marigona Lahu: Programi ynë është në fazën finale të hartimit dhe në të janë duke punuar ekspertët më të mirë të fushave. Programi ynë së shpejti do t’ju prezantohet qytetarëve dhe qytetarët do ta shohin vizionin dhe projektet tona për 4 vitet e ardhshme. Ne presim që pas zgjedhjeve lokale ta implementojmë këtë program në plotëni dhe të vazhdojmë me qeverisje të mirë e të drejtë për të gjithë.

“Bota sot”: A do të ndryshojë pozita juaj pas zgjedhje lokale?

Marigona Lahu: Është tejet e rëndësishme që ta instalojmë mentalitetin e rëndësisë së kompetencës profesionale e të integritetit personal para çdo dëshire për pozitë institucionale sepse vetëm kështu arrijmë ta çojmë vendin përpara.

“Bota sot”: A e shihni rrezik kandidimin e Ekrem Hysenit të LDK-së për një rikthim në Podujevë?

Marigona Lahu: Është shumë gjë e mirë që për herë të parë Komuna e Podujevës ka kandidatë interesantë që synojnë pozitën e kryetarit, pavarësisht që nuk i njoh personalisht asnjërin, i vlerësoj dhe besoj që kandidimi i tyre do ta shtojë atraktivitetin e garës dhe për herë të parë në fushatë do të diskutohet në një nivel tjetër, mirëpo qytetarët e Podujevës kanë vendosur për ndryshim nëntorin e kaluar dhe në tetor vetëm se do e rikonfirmojnë kryetarin Bulliqi.

“Bota sot”: Infektimet janë shtuar javët e fundit, si qëndron puna në komunën tuaj?

Marigona Lahu: Edhe në Komunën e Podujevës si në gjithë vendin janë shtuar rastet me Covid-19, ku vetëm në dy javët e fundit kemi 723 raste aktive. Fatmirësisht është rritur edhe vetëdijesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar, ku deri tash në komunën tonë janë administruar 31,333 doza të vaksinës.

“Bota sot”: Si duhet vepruar për të parandaluar rritjen e numrit të rasteve të reja me Covid, derisa gjendja vetëm po përkeqësohet?

Marigona Lahu: Për të parandaluar rritjen e mëtejshme të numrit të të infektuarve, është shumë e rëndësishme që të respektohen në përpikmëri masat e marra nga autoritetet kompetente, të mbahet distanca, të mbahet maska si dhe më kryesorja mos hezitimi i qytetarëve për t’u vaksinuar.

“Bota sot”: Një mbyllje tjetër a do te ishte e dëmshme për vendin?

Marigona Lahu: Në kushte dhe rrethana normale, çdo mbyllje do të ndikonte negativisht në ekonominë e një vendi si dhe në jetesën e qytetarëve, mirëpo meqenëse jemi në një situatë pandemie, secili veprim që do të merrej në bazë të rekomandimeve të profesionistëve, e që për qëllim kryesor do të kishte mbrojtjen e jetës së qytetarëve, do të duhej të pranohej nga të gjithë, në fund të fundit rëndësi ka vazhdimi i ekzistencës së njeriut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat