Rrëfim i padëgjuar më parë: Xhevdet Qeriqi tregon detaje nga rënia heroike e Mujë Krasniqit

Intervista

Rrëfim i padëgjuar më parë: Xhevdet Qeriqi tregon detaje nga rënia heroike e Mujë Krasniqit

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 13 dhjetor 2018 Në ora: 08:13
Xhevdet Qeriqi

Në 20-vjetorin e rënies heroike të Mujë Krasniqit dhe 40 luftëtarëve të tjerë, bashkëluftëtari dhe Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, ka kujtuar me emocion momentet më të lavdishme nga Beteja e Pashtrikut, e zhvilluar te vendi i quajtur “Likenet e Hasit”. Qeriqi në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka rrëfyer për të pathënat e luftës së zhvilluar 20 vite më parë. Ai gjithashtu ka folur edhe për mundësinë se mund të jenë tradhtuar, për çka ka thënë se edhe në atë kohë dhe pas gjithë asaj që kishte ndodhur në atë betejë, ka pasur zëra se mund të jenë tradhtuar.

Bashkëluftëtari i Krasniqit dhe Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së në ketë intervistë ka folur edhe për formimin e Ushtrisë së Kosovës dhe për Gjykatën Speciale.

“Bota sot”: Z. Qeriqi po bëhen 20 vite që nga Beteja e Pashtrikut. Si një nga protagonistët kryesor të kësaj ngjarje, a mund të na përshkruani këtë betejë? Si rrodhi e gjithë kjo ngjarje?

Image

Xhevdet Qeriqi: Më datë 14 dhjetor bëhen 20 vite nga rënia e komandant Mujë Krasniqit dhe 40 dëshmorëve të tjerë në betejën e Pashtrikut. Ishte 13 dhjetori i vitit 1998 ku një grup luftëtarësh të UÇK-së me vendim të komandës ishim nisur nga Cahani i Shqipërisë në drejtim të Kosovës, ishte një rrugë bukur e gjatë sepse duhej të kalonim nëpër bjeshkët e Pashtrikut, ishte një acar dhe një borë shumë e madhe, secili prej nesh i kishim më së paku nga dyzet kilogram municion të ngarkuar, pjesë e këtij rrugëtimi ishim diku 140 luftëtarë, në krye me komandant Mujë Krasniqin dhe shumë eprorë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas një rrugëtimi të gjatë në orët e hershme të datës 14 dhjetor te vendi i quajtur “Likenet e Hasit”, kemi hasë në pritë të forcave serbe, ku pas luftimeve të ashpra që qenë zhvilluar atje ranë Mujë Krasniqi dhe 40 dëshmorë të tjerë, po ashtu ishim të plagosur edhe shumë të tjerë, në mesin e të plagosurve isha edhe unë. Tani pas 20 viteve në vendin e rënies është rregulluar një pllakë përkujtimore, ku pritet të zbulohet me datë 13 të këtij muaji.

“Bota sot”: Kush i printe Betejës së Pashtrikut, cili ishte roli i komandantit Mujë Krasniqi në ketë betejë?

Xhevdet Qeriqi: Po betejës atë ditë i ka prirë Komandant Mujë Krasniqi-Kapuqi, pra qysh prej fillimit të luftimeve e deri në rënie ne kemi qenë nën urdhrat e tij. Ai ka vendosur se si të lëviznim dhe si të bëheshim gati dhe si të vepronim, distanca e luftimeve ka qenë 20 metra. Pas fillimit të luftimeve ka qenë shumë e vështirë që të kujdesej për ne. Aq luftime të ashpra zhvilloheshin atë mëngjes, sa që secili prej nesh e luanim at rolin tonë, pasi që të gjithë ishim me përvojë lufte. Më kujtohet sikur sot zëri i tij kur ka kërkuar nga një ekip i bashkëluftëtarëve të merren me tërheqjen e neve të plagosurve në atë moment isha unë dhe bashkëluftëtari im Enver Deliu të cilët ishim të plagosur më rënd.

Image

“Bota sot”: Sa persona kanë qenë pjesëmarrës në ketë betejë?

Xhevdet Qeriqi: Pjesë e asaj beteje kemi qenë diku 140 persona, këtu duhet ta përmendi se kemi qenë Njësi të ndryshe të Zonës të Drenicës, të zonës të Pashtrikut, dhe zonës të Nerodimes, po ashtu pjesë e këtij grupi kanë qenë edhe disa eprorë anëtar të Shtabit të Përgjithshëm dhe disa komandant të cilët vepronin nëpër këto tri zona të luftës, ku disa prej këtyre komandantëve edhe kanë rënë në atë betejë.

“Bota sot”: Ka informacione se dikush ju ka tradhtuar në ketë pritë, pasi që edhe pritjet e forcave serbe ishin të gjata? Cila është e vërteta?

Xhevdet Qeriqi: Po edhe në atë kohë pas gjithë asaj që kishte ndodhur në atë betejë, kishte zëra se mund të jemi shpinuar nga dikush apo mund të jemi tradhtuar, edhe pas luftës ka pasur diskutime të tilla, mirëpo deri më sot nuk kemi arritur të zbulojmë asgjë. Sa i përket brenda atij grupi nuk kam asnjë dyshim vazhdoj edhe sot ta kem atë bindje. Mirëpo, tash e shohë nëpër rrjetet sociale ku ka deklarime të serbëve se po kemi qenë të njoftuar se do të kaloj një grup i madh dhe i kemi pritur, kjo se çka deklarojnë serbet është e mundshme duke pasur parasysh se edhe sot nëse shkoni në vendin e ngjarjes nëpër pikat ku kanë qenë të pozicionuar serbët mund të vëreni grumbuj të metaltë të konservave të tyre po ashtu edhe koftorra e të cilat të bëjnë me dyshuar se dikush i ka informuar se do të ketë kalim të një grupi, edhe nëse kanë qenë të informuar jam i bindur se kjo mund të ketë ndodhur nga dikush tjetër jashtë atij grupi.

“Bota sot”: Z. Qeriqi, ndërrojmë temë. Si i komentoni zhvillimet aktuale politike në lidhje me formimin e ushtrisë?

Image

Xhevdet Qeriqi: Zhvillimet e fundit politike në lidhje me formimin e ushtrisë, i shoh si një hap shumë pozitiv. Iniciativa e institucioneve të Republikës të Kosovës, për formimin e ushtrisë duhet përshëndetur, është një veprim i mirë për arsye se tashmë jemi shtet dhe si një shtet sovran dhe i pavarur duhet që ta kemi edhe ushtrinë tonë e cila do ta mbroj territorin dhe vendin tonë në rast të ndonjë rreziku eventual. E rëndësishme tjetër është se kjo po bëhet në koordinim me aleatët tanë siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pra ne si popull duhet të ju jemi shumë mirënjohës miqve tanë Amerikan, të cilët na mbështetën në kohën e luftës, kjo mbështetje nuk mungoi as në shtet-ndërtimin tonë e nuk po mungon as sot. Vendimi i marrë nga institucionet e vendit pikërisht me 14 dhjetor, më ka bërë që të ndihem jashtëzakonisht shumë i lumtur, për arsye se është njëra ndër datat më të përgjakshme të luftës për liri të njëzet viteve më parë. Caktimi i kësaj date për formimin e ushtrisë, nderon dëshmorët e kombit dhe gjakun e tyre të derdhur për liri.

“Bota sot”: Gjykata Speciale tashmë edhe zyrtarisht ka filluar punën e saj. Nga Haga kanë ardhur edhe ftesat për personat e parë që do të intervistohen. Cili është komenti juaj? 

Image

Xhevdet Qeriqi: Sa i përket Gjykatës Speciale, qysh prej fillimit ne kemi qenë kundër formimit të kësaj gjykate, për shumë arsye. Të gjithë ndërkombëtarët e dinë se kush ka kryer krime në Kosovë, pra është makineria ushtarake dhe paramilitare e organizuar nga shteti serb, ajo që ka kryer shumë masakra, plaçkitje, dëbime, dhunime, djegieje të pronave të shqiptarëve, burgosje të popullatës civile. Për të gjitha këto është e informuar shumë mirë e gjithë bashkësia ndërkombëtare, si rezultat i këtyre krimeve të kryera nga aparati shtetëror serb, ka reaguar bashkësia ndërkombëtare, pra për t’i ndalur këto krime, ju është dashur të merrnin vendim për ta bombarduar Serbinë. Mos të harrojmë se shumë varreza masive janë gjetur në Serbi. A thua kush i ka kryer këto krime, pse nuk u dënua askush për to? Po bëhen 20 vite prej përfundimit të luftës, ende i kemi diku edhe 1700 persona të zhdukur, kemi Mejën e Gjakovës, Izbicën, Rezallen, Reçakun e shumë vende të tjera të cilat janë një pasqyrë për ndërkombëtarët për krimet dhe masakrat e kryera nga kriminelët serb, pse heshtin ndërkombëtaret apo nuk u intereson se çka ka ndodhur me popullatën shqiptare. Kjo është arsyeja se pse jemi kundër kësaj gjykate e cila e them me bindje se është e padrejtë.

Vazhdoj të besoj në luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kjo do të dëshmohet nga të akuzuarit e kësaj gjykate. Qëllimi i gjithë kësaj ka qenë që Serbia ta paraqesë Kosovën para botës se gjoja këta kanë kryer krime, e që nuk është e vërtetë. Edhe sot Serbia me politikën e saj po vazhdon të propagandojë kundër vendit tonë. Pra kjo gjykatë sikur të ishte e interesuar të punoj drejt, e dinë se kush ka kryer krime gjatë luftës në Kosovë, adresa e kriminelëve është në Beograd.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat