Si të ktheheni në gjumë pasi zgjoheni në mes të natës me ankth?

Këshilla mjekësore

Si të ktheheni në gjumë pasi zgjoheni në mes të natës me ankth?

Më: 11 tetor 2022 Në ora: 23:44
Foto ilustrim

Zgjimi me ankth në mes të natës mund t’ju prishë gjumin. Kur shtriheni sërish me ankth mund të keni vështirësi të ktheheni në gjumë.

Ankthi dhe gjumi janë të lidhura ngushtë. Ankthi mund të përkeqësojë çrregullime të gjumit, siç është pagjumësia. Por vështirësia për të fjetur mund të përkeqësojë gjithashtu ankthin.

Si të shmangni ankthin gjatë natës?

Reduktimi i ankthit mund të përmirësojë gjumin tuaj. Disa strategji mund të ndihmojnë në menaxhimin e ankthit dhe stresit:

Meditimi: Frymëmarrja e thellë dhe ushtrimet e vizualizimit mund t’ju ndihmojnë të relaksoheni. Kjo zakonisht përfshin thithjen dhe nxjerrjen ngadalë të ajrit duke u fokusuar në frymëmarrjen tuaj dhe duke imagjinuar një vend të qetë.

Ushtrimet fizike: Studimet tregojnë se aktiviteti fizik mund të zvogëlojë simptomat e çrregullimeve të ankthit. Ushtrimi i rregullt në mëngjes dhe pasdite mund të përmirësojë gjithashtu gjumin.

Menaxhoni detyrat tuaja: Mund t’ju ndihmojë të shkruani atë që duhet të bëni gjatë ditës. Ndani detyrat stresuese në hapa më të vegjël dhe më të menaxhueshëm. Mundohuni t’i jepni përparësi gjërave më të rëndësishme.

Aktivitete relaksuese: Çlodhuni nga dita dhe përgatituni për gjumë me një rutinë aktivitetesh relaksuese para gjumit. Provoni të dëgjoni muzikë, të lexoni, të shkruani ditar ose të bëni një banjë.

Ridrejtoni ankthin tuaj: Të qenit më i angazhuar, si vullnetarizmi ose thjesht t’i ndihmoni fqinjit tuaj, mund t’ju ndihmojë të largoni mendjen nga stresi dhe ankthi juaj.

Kërkoni ndihmë profesionale: Nëse keni një çrregullim ankthi ose stresi ose dyshoni se keni, ia vlen të flisni me një psikiatër ose terapist. Ata mund të ofrojnë trajtime të tilla si medikamente dhe terapi.

Si të ktheheni në gjumë pasi të zgjoheni?

Mos shikoni orën

Nëse jeni zgjuar me ankth duke ditur se sa është ora vetëm sa mund t’ju shtojë shqetësimet. Kjo mund të kontribuojë në ciklin vicioz të ankthit dhe gjumit.

Shmangni pajisjet teknologjike

Nëse po përpiqeni të flini përsëri, shmangni kontrollimin e telefonit në shtrat, mos shikoni televizor dhe mos e përdorni laptopin.

Ngrihuni dhe bëni diçka relaksuese

Nëse kanë kaluar 15 minuta dhe nuk mund të flini, shkoni në një dhomë tjetër. Uluni në një karrige të rehatshme dhe lexoni ose bëni disa ushtrime të frymëmarrjes. Pasi të relaksoheni, provoni të shkoni sërish në shtrat.

Kur duhet të kërkoni ndihmën e profesionistëve shëndetësorë?

Meqenëse vështirësitë e gjumit mund ta përkeqësojnë ankthin dhe ankthi mund të ndërhyjë në gjumin tuaj është e rëndësishme të dini se kur të kërkoni ndihmë. Çrregullimet e ankthit janë shumë të zakonshme ku rreth 30% e të rriturve i përjetojnë ato në një moment të jetës së tyre.

Nëse keni ankth dhe humbje gjumi, bisedoni me një profesionist shëndetësor për diagnozën dhe trajtimin. Ata do të jenë në gjendje të ofrojnë mënyra për të menaxhuar gjendjen tuaj, të tilla si terapi ose mjekim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat