Mbi 1 mijë raste të sulmeve ndaj personave zyrtarë për 5 vjet

Kosova

Mbi 1 mijë raste të sulmeve ndaj personave zyrtarë për 5 vjet

Më: 24 dhjetor 2018 Në ora: 16:53
Foto ilustrim

Rastet e sulmeve ndaj personave zyrtarë janë shtuar së fundi. Vetëm këtë vit në vend janë raportuar 188 raste, ndërsa në pesë vitet e fundit janë regjistruar mbi 1 mijë sish

Një prej shtëpive në fshatin Ozdrim të Pejës, të premten ishte cak i bastisjes. Por, gjatë bastisjes zyrtarët policorë u sulmuan nga tre burra dhe një grua.

Ata u arrestuan nga Policia e Kosovës, derisa në shtëpinë e tyre si dëshmi u gjetën dhe konfiskuan një pistoletë me 25 fishekë, 13 fishekë të llojeve të ndryshme, një karikator i zbrazët dhe një gëzhojë e fishekut.

Përveç policëve në vend po sulmohen edhe mësimdhënësit. Një rast i tillë kishte ndodhur po këtë ditë në Istog.

Policia kishte arrestuar një person pasi që ai pas një mosmarrëveshjeje kishte sulmuar një prej arsimtarëve në një shkollë të Istogut.

Por, këto nuk janë rastet e vetme kur personat zyrtarë janë sulmuar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. Madje, me kalimin e viteve, numri i rasteve të tilla vetëm sa po shkon duke u rritur.

Vetëm këtë vit në vend janë regjistruar 188 raste të sulmeve ndaj personave zyrtarë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Gjithë kjo sipas statistikave që ka siguruar Gazeta Express nga Policia e Kosovës.

Në bazë të këtyre të dhënave, në pesë vitet e fundit janë raportuar më shumë se një mijë raste të sulmeve ndaj personave zyrtarë, duke përfshirë kështu zyrtarë prej të gjitha institucioneve.

Ndërkohë, që sipas Nenit 410, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “kushdo që sulmon ose kanoset seriozisht se do ta sulmojë personin zyrtar, gjyqtarin, prokurorin apo personin i cili ndihmon në kryerjen e detyrave zyrtare lidhur me sigurinë e përgjithshme, sigurinë e  Republikës së Kosovës apo ruajtjen e rendit publik, dënohet me burgim prej tre (3) muaj deri në tre (3) vjet.”

Dënimi mund të rritet edhe më shumë, nëse sulmi rezulton me lëndime trupore, deri në 10 vjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat