Sot në Klinë, është bërë zbulimi i bustit të Gjergj Kastriotit–Skënderbeut

Kosova

Sot në Klinë, është bërë zbulimi i bustit të Gjergj Kastriotit–Skënderbeut

Nga: Lekë Mrijaj Më: 1 shkurt 2019 Në ora: 19:41
Pamje nga zbulimi i bustit të Gjergj Kastriotit–Skënderbeut

Sot, në orën 11:00, në Qendrën e Kulturës "Jehona e Dukagjinit" në Klinë, para mbi njëmijë të pranishmëve u mbajt një Akademi Përkujtimore në kuadër të 575-Vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës, njëkohësisht në qytetin dukagjinas të Klinës është bërë zbulimi i bustit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Përveç të pranishmëve të tjerë morën pjesë edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ministri i Infrastrukturës dr. Pal Lekaj, zv/ministri i diasporës Anton K. Berisha, deputetja e parlamentit të Kosovës, Mirjeta Kalludra, n/kryetari i Klinës, prof. Besim Hoti,  kryetari i Komunës së Rahovecit z. Smajl Latifi, prof. dr. Frashër Dema, z. Sali Cacaj, e shumë klerik fetar shqiptar të të dyja besimeve fetare e shoqata të tjera nga mërgata e Rrësheni, si veprimtari Pjetër Gjergji, me bashkpuntorët Dedë M. Martini, Gjerë Simonaj,  SH.K. “Ndue Perlleshi” nga Zvicra e Pjetër Marku e Aleksandër Ndoja nga Shoqëria Kulturore “Mirdita” Rrëshen etj. Ky manifestim është organizuar në patronazhin e Komunës së Klinës, përkatësisht kryetarit të Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj dhe asociacionit të Forumit të Intelektualëve "Luigj Gurakuqi" në Klinë.

Ishte moderatoja Loreta L. Mrijaj, e cila e shpalli të hapur Akademinë Përkujtimore në kuadër të 575-Vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës dhe të zbulimit të bustit Gjergj Kastrioti–Skënderbeu në qendër të Klinës, vepër që është realizuar mjeshtërisht nga skulptori mitrovicas, Sabri Behramaj.

Image

Akademia nisi me intonimin e të dyja himneve, të Flamurit Kombëtar dhe Shtetëror të Republikës së Kosovës. Me këtë rast, që në fillim në fjalën e tij, kryetari i  Komunës së Klinës, prof. dr. Zenun Elezaj  theksoi: “Sot qyteti ynë i bukur, Klina jonë e dashur ka festë. Dhe, pikërisht, në këtë festë, në këtë ngjarje të madhe, kemi vendosur ta kujtojmë,  ashtu siç është  kujtuar edhe shumë shekuj më parë, njëherësh edhe  ta sjellim në qytetin tonë,  të lartësuar në bronz, bustin e Kryeheroit të kombit, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, i  cili përfaqëson figurën më emblematike të historisë sonë, krenarinë dhe në mbamendjen tonë kombëtare. Ky përkujtim i sotëm dhe kjo vepër e lartësimit të bustit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut,  organizohet për nder të jubileut historik të 575-vjetorit  të  Kuvendit të Lezhës dhe krijimit të Besëlidhjes Shqiptare, të vitit 1444 në Lezhë, si ngjarje  kulmore, e cila zë vend nderi në panteonin e  historisë së kombit tonë. Mesazhet që i la si trashëgim Skënderbeu për popullin e vet, janë ato mesazhe që rrezatojnë edhe sot e kësaj dite dhe të cilat nuk janë shuar asnjëherë, por janë rikthyer fuqishëm këtu në Klinën. Ky kujtim që vjen me këtë jubile dhe ky bust të cilin po e lartësojmë në sheshin e qytetit tonë,  përjetësojnë  momente  të rëndësishme në historinë tonë kombëtare, momentin kur ky Hero Kombëtar ka bashkuar kombin përballë rreziqeve të kohës.”

“Skënderbeu ishte këtu, ishte gjithandej në Kosovë, Shqipëri dhe në zemrën e gjithë shqiptarëve të të gjitha trojeve të gjeografisë sonë etnike. Ai është pjesë e dritës dhe ndriçimit në rrugën tonë. Kjo vepër e artit monumental e ngjall edhe një herë Kryeheroin Skënderbe, e fisnikëron dhe e lartëson veprën e tij të pavdekshme në shërbim të kombit. Breza të tërë shqiptarë që përhapën thirrjen për veprim në unitet në të gjitha anët e atdheut, porosinë e idealit të Gjergj Kastriotit për të drejtën e shqiptarëve e rizgjuan dhe e mbajtën gjallë për shumë shekuj.  Shqiptarët qëndrojnë të vendosur për të drejtën e tyre të plotë, të lirë në trojet e veta dhe të bashkuar me familjen perëndimore. Ky bust që po e lartësojmë  është edhe një çmim i angazhimit të pushtetit lokal të Klinës për vlerat e shenjta të luftës së këtij populli qysh nga thellësitë e shekujve, më në kryer Kryeheroin Gjergj Kastriotit –Skënderbeun, më vonë edhe shumë të tjerë e deri te lufta e lavdishme e  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krye me komandantin legjendar Adem Jashari, Mujë Krasniqin, i cili me shumë krenari  afër vetes po e pret Heroin Skënderbe, dhe që nga sot dhe më tutje kohërat dhe historitë që do të rrjedhin  do t’i kaptojnë bashkë.  Prandaj, e sotmja po i shpërblen vuajtjet e popullit tonë me ata lumenj gjaku, të bijave dhe bijve tanë,  që skalitën faqet e lavdisë, të nderit e të historisë së kombit tonë.  Klina ka veshur petkun festiv për këtë kremte të madhe të lartësimit të figurës më emblematike të kombit, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Këtë kremte do ta  madhështojë busti i Kryeheroit Skënderbe, i cili zbriti në vendin e vet, mes njerëzve të vet, popullit të tij, që i ruajnë dhe i kultivojnë vlerat e tij si një kristal i çmuar. Sot, dhe përgjithnjë, Skënderbeu, këtu mes nesh do të jetë madhështor më tepër se kurdoherë më parë. E gëzofsh Klinë Bustin e Kryeheroit të Pavdekshëm!  Lavdi jetës dhe veprës së Kryeheroit Gjergj Kastrioti – Skënderbeut! Lavdi të gjithë heronjve dhe  dëshmorëve të kombit!”, është shprehur ndër të tjera kryetari I Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj.  

Image

Tutje në vazhdim të pranishmëve iu drejtua edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, andaj veç tjerash u shpreh se në shënimin e 575-vjetorit të Lidhjes së Lezhës, Kryeheroi ynë, Gjergj Kastrioti, vjen në Klinë si mesazh i vazhdimësisë së një rrugëtimi qindravjeçar për liri të kombit tonë dhe do të shërbejë jo vetëm si kujtesë për veprën, doktrinën dhe trashëgiminë e jashtëzakonshme të Skënderbeut, por si frymëzim për të ndjekë hapat e tij tha Haradinaj.

Në vazhdim ishte prof, Pal Canaj, kryetar i Forumit të Intelektualëve “ Luigj Gurakuqi” në Klinë i cili tha se ishte nisma e Forumi i Intelektualeve “Luigj Gurakuqi “ në rrugëtimin drejt realizimit dhe finalizimit të ngritjes se bustit të Gjergj Kastriotit -Skënderbeut, që nga fillimi ka hasur në përkrahjen dhe  ndihmën e pakursyer të institucioneve komunale, duke ja filluar nga kryetari i Komunës , nënkryetari , kryesuesi i kuvendit, shefat e grupeve parlamentare dhe asambleja komunale. “Pikërisht ishte asambleja e cila me miratimin unanim në përkrahje të projektit ka dhënë  shëmbëlltyrën e Kuvendit të Besëlidhjes se Lezhës, veprim i cili meriton respektin qytetarë. Andaj falënderim i veçantë  u takon të  gjithë atyre njerëzve vullnetmirë, të cilët kontribuan, që në participimin me Komunën mundësuan dhe përshpejtuan   inaugurimin e bustit në Vitin Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut përkatësisht në përvjetorin e  Besëlidhjes së Lezhës”- tha mes tjerash prof. Canaj.

Image

Me një kumtesë studimore u paraqit edhe shkrimtari mirënjohur shqiptar prof. Prend Buzhala. Ndersa rapsodët Lekë e Gjokë Duhani, ishin ata të cilët e begatuan këtë event permes këngës e telave të çiftelisë dedikuar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Pas përfundimit të kësaj akademie përkujtimore, në qendrën e qytetit në Klinë u përurua busti i heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Zbulimi është bërë nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj,  kryetari i Komunës së Klinës, prof. Dr. Zenun Elezaj, Prof.  Pal Canaj, kryetar i  asociacionit të shoqatës   së intelektualëve në Klinës “Luigj Gurakuqi” dhe Halil Krasniqi, babai i heroit të Kombit, Mujë Krasniqi.

Me mesazhe pergëzimi për këtë ngjarje me peshë u paraqiten edhe disa intelektualë - veprimtarë si prof. Hajdin Morina i cili tha se: “Urime Klina ime për shtatoren e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Ishte Ai autori i projektit të parë europian të shqiptarëve. Është Ai që na la në Europë dhe ne, pasardhësit e Tij, tash e 550 vjet trokasim në dyert e Europës me na e hap derën. Respekt për ata që kontribuan që Kryezoti i Arbërisë të vijë në Klinë”.

Nga Bjellovari-Republika e Kroacisë, doli Prend Gjergjaj, veprimtar i cili tha se: "Sot, kur Shtatorja e Kryetrimit tonë kombëtar, e derdhur në bronz me shumë dashuri, sapo zuri vend mu në mjedis të vendlindjes sime, se ç'më bie ndër mend t'i shpreh falenderimin e pafund, tani të ndjerit, mixhokut tonë (Gjokë N. Gjergjaj), i cili në vjeshtën e vonshme (apo në dimër) të '68-tës, na tuboi dhe na priu drejt Pejës, përkatësisht kinemasë së qytetit, atje, grupit prej 10-15 të rinjsh e të moshuarish, për të shikuar filmin e famshëm mbi Kryetrimin tonë, Gjergj Kastrioti -Skendërbeu. Pushofsh në paqe, Mixhok! Dhe, t'a dijsh, tani s'kemi më nevojë të shtegëtojm në Pejë, Kastrioti mbërrini në Klinë! Gëzuar, e gëzofshim nder breza këtë figurë emblematike kombëtare e europiane” , tha zGjergjaj.

Image

Ishte edhe “Nderi i Qarkut të Lezhës-2013”, veprimtari e humanisti Gjon M. Krasniqi, nga CH.  i cili i pergëzon qytarët klinas duke thënë:  Sot është një ditë e veçantë, në të cilën ne si Arbëror të gjakut të Gjergjit, të Bashkohëmi si dikur Skënderbeu në Besëlidhjën e Lezhës, pikërisht t’i flakim me zjarr flamujt e ndarjes kunderjt njërit-tjetrit pa dallim…  dhe tamam të ndërgjegjësuar, të e tregojm vetën tonë se kemi një gjenezë kastriotane e europiane. Gëzuar bustin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, ju miqtë e mi të Klinës sime të dashur ju nismëtarët e mbeshtetësit vullnetmirë të projektit madhor. Ju priftë mbarë” tha Krasniqi.     

Image                                         
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat