Beteja 14-vjeçare për trashëgiminë e pronës

Kosova

Beteja 14-vjeçare për trashëgiminë e pronës

Më: 22 korrik 2019 Në ora: 09:50
Afërdita Statovci dhe nëna e saj në shtëpinë ku po qëndrojnë përkohësisht.

Ka 14 vjet që Afërdita Statovci nga fshati Sllatinë e Komunës së Fushë Kosovës, kërkon drejtësi për kthimin në shtëpinë e saj.

Në moshën 10-vjeçare, pas vdekjes së babait të saj, në vitin 1988, Afërdita thotë se familjarët e babait e dëbuan nga shtëpia ku jetonte bashkë me nënën, me arsyetimin se ato nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në trashëgimi. Pa shtëpi dhe pa pronë, ajo bashkë me nënën e saj, është detyruar që të jetojë në kushte të vështira, me qira, duke ndërruar edhe vendbanimet.

Në vitin 2006, Afërdita kishte vendosur të fillonte procedurën trashëgimore përmes sistemit gjyqësor, me qëllim të njohjes së të drejtës ligjore, si trashëgimtare e pronës pas vdekjes së babait, por thotë se ende nuk ka gjetur drejtësi.

Image
Afërdita Statovci shpalos dokumentet e Gjykatës

"Në vitin 2006 kam bërë padi për trashëgimi dhe në vitin 2009, kam marrë vendimin e formës së prerë, ku evidentohet prona në emrin tim, e kam bartur pronën në emrin tim në kadastër të Komunës së Fushë Kosovës. Pas një kohe, kryetari i Gjykatës Komunale, në atë kohë, e ka hequr vulën e plotfuqishmërisë me arsyetimin se pala e kundërt (tjetër) ka bërë ankesë. Pala e kundërt më vonë prapë ka bërë ankesë dhe Gjykata dhe e ka kthyer lëndën në rigjykim. Tash është hera e katërt që kthehet lënda në rigjykim, por kur dihen trashëgimtarët e vetëm ligjor dhe prapë kjo të zgjasë 14 vjet, për mua është vdekje", tha Afërdita për Radion Evropa e Lirë.

Statovci thotë se ka humbur besimin në sistemin e drejtësisë për shkak të zvarritjes së lëndës dhe se nuk shpreson në zgjidhjen e këtij rasti.

Image
Vendimi i Gjykatës pas ankesës së palës së kundërt

"Mua më ka shkelur sistemi i drejtësisë. Po të kishte vendosur sistemi i drejtësisë deri tash qe 14 vjet, unë kam mundur ta kthej pjesën e pronës time. Tash sërish do të përsëritet procesi dhe kjo do të zgjasë me vite të tëra, për shkak se lënda tash e ka ndërruar numrin dhe llogaritet si lëndë e re, si dhe mund të zgjasë 4-5 vjet vetëm në Gjykatë Themelore, dhe prapë pala e kundërt mund të bëjë ankesë", tha ajo.

Rasti i Afërdita Statovcit është vetëm një nga shumë lëndët e pazgjidhura në gjykata për ndarjen e trashëgimisë në familje.

Në sistemin e drejtësisë nuk bëhet një ndarje e lëndëve të kësaj natyre, por sipas perceptimeve të organizatave joqeveritare që janë të përfshira më shumë në këto lëndë, thuhet se bëhet fjalë për një numër të konsiderueshëm të rasteve të ngjashme, sikurse ai i Afërdita Statovcit.

Image
Nëna e Afërdita Statovcit

Luljeta Aliu, drejtuese e organizatës joqeveritare Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi, tha për Radion Evropa e Lirë se pabarazia gjinore në ndarjen e trashëgimisë mes çiftit apo familjes, rrjedhë nga mentaliteti patriarkal, i cili, sipas saj, reflekton edhe në sistemin e drejtësisë.

"Kur një grua dhe një burrë përballen me drejtësinë, burrat e kanë shumë më lehtë, shumë më lehtë u ofrohet e drejta për të pasur të drejtë, ndërsa gratë shumëherë diskriminohen në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme nga vet pjesëtarët e gjyqësorit, qofshin burra apo gra. Ka shumë gra që kur kërkojnë pjesën e pasurisë pas ndarjes, gjyqtarja mendon se po ja merr gjysmën burrit, kjo është shumë e padrejtë, sepse ajo pjesë nuk është e tij apo e saj, por të takon dhe nëse nuk e merr, atëherë e falë", thotë Aliu.

Aliu ka theksuar se institucionet përgjegjëse nuk kanë treguar gatishmëri për të lehtësuar zgjidhjen e kontesteve pronësore, duke i lënë të zvarriten për vite të tëra.

"Nuk është absolutisht e pranueshme që një kontest gjyqësor të zgjas 15-17 vjet. Unë e di një rast në Gjilan që ka zgjatur 17 vjet ose pret 2 vjet për të marrë një ftesë për shkurorëzim nga gjykata. Është neglizhenca e gjyqësorit, është neglizhenca e vet qytetarëve sepse siç duket jeta e grave nuk e ka vëmendjen e njëjtë si jeta e burrave. Llogaridhënie nuk ka në asnjërën nga institucionet tona, nuk shkarkohet askush, nuk largohet askush", thotë Aliu.

E drejta e trashëgimit është e garantuar me Kushtetutën e Kosovës në bazë të së cilës roli i grave dhe i burrave në shoqëri konsiderohet i barabartë.

Por, megjithë ekzistencën e një kornize ligjore, ndarja e trashëgimisë në shumë raste në Kosovë bëhet në baza zakonore apo të traditës, ku gjinia femërore nuk konsiderohet e barabartë me gjininë mashkullore.

Në Kosovë, sipas të dhënave të vitit 2018, vetëm 16 për qind e pronave të paluajtshme janë të regjistruara në emër të femrave.

Që nga hyrja në fuqi e një udhëzimi administrativ të vitit 2016, i cili stimulon regjistrimin e pronave të paluajtshme të përbashkëta në emër të dy bashkëshortëve në regjistrat publik, në Kosovë ka filluar të rritet të numri i pronave të regjistruara në emër të dy bashkëshortëve./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat