Përurohet shkolla “Ismet Raci” në Klinë

Kosova

Përurohet shkolla “Ismet Raci” në Klinë

Më: 18 shtator 2019 Në ora: 11:41
Është përuruar sot objekti i ri i shkollës fillore të mesme të ulët “Ismet Raci” në Klinë

Është përuruar sot objekti i ri i shkollës fillore të mesme të ulët “Ismet Raci” në Klinë, e cila me kushtet moderne pritet të shënojë rritje të vlerës dhe cilësisë në arsim.

Ministri në largim i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, tha se kjo shkollë e cila mban emrin e një patrioti të madh, po i bën krenar nxënësit e saj.

Sipas tij, me investimet moderne që po bëhen në shkollat e vendit, pritet që këto të fundit të jenë konkurrente edhe jashtë vendit.

Bytyqi: Shkolla “Ismet Raci” do të ketë rritje të vlerës dhe rritje të cilësisë në arsim

“Kjo godinë kaq e bukur, kaq moderne, nuk do të jetë vetëm për t’u parë, por brenda saj do të kemi rritje të vlerës dhe rritje të cilësisë në arsim. Dhe, kjo do të bëhet falë përkushtimit dhe angazhimit të mësimdhënësve të kësaj shkolle. Ne si ministri, si nivel qendror, në bashkëpunim të ngushtë me nivelin lokal çdo ditë po angazhohemi me modernizimin e infrastrukturës shkollore, por mbi të gjitha kjo është vetëm bazë për të vazhduar drejt rrugëtimit që në shkollat tona do të kemi cilësi, e cila do të jetë konkurrente edhe jashtë Kosovës”, tha ai.

Me një urim për ditën e kësaj shkolle, para të pranishmëve foli edhe kryetari i komunës, Zenun Elezi.

Ai tha se komuna e Klinës në bashkëpunim dhe me përkrahje të qeverisë, ka investuar vazhdimisht në krijimin e kushteve më të mira në edukim.

Elezi: Prioriteti kryesor i qeverisë dhe komunës tonë ka qenë investimi në edukim

“Komuna e Klinës në bashkëpunim dhe me përkrahje të Qeverisë të Republikës të Kosovës, ka vazhduar investimet në krijimin e kushteve moderne në shkolla, duke investuar në përmirësimin e infrastrukturës së brendshme, ndërtimin e fushave sportive e po ashtu kemi filluar ndërtimin e çerdhes së re në Klinë, duke i dhënë mundësi për një zhvillim shumë më të avancuar të procesit mësimor për fëmijët tanë dhe duke dëshmuar se prioriteti kryesor i qeverisë dhe komunës tonë ka qenë investimi në edukim, i cili do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, tha ai. 

Drejtori i shkollës, Ahmet Krasniqi, tha se u deshën afër tri vite punë e mbikëqyrje për të arritur deri tek finalizimi i këtij objekti të ri.

Ai bëri të ditur se në këtë shkollë, këtë vit shkollor, mësimin vijojnë afër 1 mijë e 500 nxënës.

Krasniqi: Në kushtet e reja të shkollës kërkohet përgjegjësi dhe angazhim më i shtuar nga të gjithë ne

“Objektit të ri të ndërtuar i gëzohemi pa masë të gjithë pasi që si i tillë ofron mundësi e kushte të shumta, të cilat çojnë drejt përmirësimit të cilësisë në mësimdhënie dhe nxënie. Në kushtet që neve na janë mundësuar, kërkohet përgjegjësi dhe angazhim më i shtuar nga të gjithë ne, duke filluar nga drejtori, mësimdhënësit, nxënësit, prindërit, punëtorët teknik dhe gjithë akterët tjerë dashamirë të arsimit tonë”, u shpreh ai.

Me këtë rast, nxënësit e kësaj shkolle kishin përgatitur një program të pasur kulturor, të përgatitur me rastin ditës së shkollës dhe përurimin e objektit të ri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat