Xhevat Qerimi simbol i rezistencës dhe flijimit

Kosova

Xhevat Qerimi simbol i rezistencës dhe flijimit

Më: 10 janar 2020 Në ora: 15:27
Xhevat Qerimi

Në 27 vjetorin e rënies është bërë rivarrimi i dëshmorit të kombit Xhevat Qerimi, në varrezat e dëshmorëve në Gjilan.

Para rivarrimit është mbajtur një akademi përkujtimore ku është vlerësuar lartë jeta dha vepra e dëshmorit të kombit Xhevat Qerimi.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se uron që arsyeja se pse ka luftuar Xhevat Qerimi të shkojë deri në fund, e që sipas tij, është që shqiptarët të jetojnë në një shtet.

Haziri: Dëshmori Xhevat Qerimi, gurthemel i lirisë

"Jam shumë i bindur se shpirti i tij bënë dritë mbi lirinë e Kosovës, ashtu siç ka bërë shpirti i tij veprimtari, mobilizim dhe bashkim të njerëzve për kryengritje në Kosovë...Të jeni krenarë për një dëshmor që është gurthemel i lirisë dhe pavarësisë së shqiptarëve. Na ka mbetur edhe një hap i madh, por shumë i rëndësishëm me e realizua, sepse shqiptarët në juglindje këtu afër neve dhe në perëndim mbeten ende të kufizuar. Unë uroj shumë që lufta dhe arsyet pse jemi kryengritur, pse ka punuar dhe është kryengritur edhe Xhevat Qerimi të shkojë deri në fund, e kjo ka qenë gjithmonë që shqiptarët të jetojnë sa më të bashkuar, në një flamur, në një atdhe dhe siç ka thënë Mulla Idrizi edhe në një diell", tha ai.

Komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, tha se dëshmori Xhevat Qerimi në rrethanat më të vështira kur ishte Kosova i është bashkuar lëvizjes për çlirimin e vendit.

Isufi: Ideali i Xhevatit ishte i pakufishëm

"Xhevati nuk arriti që ta përjetojë atë ushtri për të cilën ishte përgatitur fatkeqësisht, por që të gjithë ata që u rreshtuan në radhët e UÇK-së në Zonën Operative të Karadakut do të nisen nga shembulli i punës dhe veprimtarisë së tij. Do të nisen nga ideali i tij e do të vazhdojnë deri në çlirimin përfundimtar të vendit. Ideali i Xhevatit ishte i pakufishëm, sepse do të vazhdojë lufta në bazë të idealit të tij edhe në Preshevë, Medvegjë, e Bujanoc dhe në Maqedoni, ku jetonin shqiptarët e shtypur dhe kjo luftë si t'i jepte kuptim idesë dhe programit që ishte përcaktuar Xhevat Qerimi", tha ai.

Për dëshmorin Xhevat Qerimi ka folur edhe kryetari i shoqatës së familjeve të dëshmorëve, Xhavit Jashari, i cili tha se e gjithë jeta e dëshmorit ka pasur qëllim të vetëm bashkimin e trojeve në një Shqipëri reale.

Jashari: Xhevati kishte qëllim bashkimin në një Shqipëri reale

"Gjithë veprimtaria e Xhevatit, e bashkëluftëtarëve dhe bashkëveprimtarëve të tyre kanë pasur vetëm një qëllim, çlirimin e trojeve të pushtuara dhe bashkimin e tyre në një shtet as të madh as të vogël, por në një Shqipëri reale", tha ai.

Ai tha se Xhevat Qerimi për nga ideali ka qenë i përmasave të Hasan Prishtinës.

Në emër të shokëve dhe veprimtarëve të dëshmorit Xhevat Qerimi, foli Izmi Zeka, i cili tha se Xhevat Qerimi ishte simbol i sakrificës dhe vetëflijimit për liri të atdheut.

Zeka: Xhevati ishte simbol i sakrificës

"Sot u mbushën 27 vite dhimbje e pikëllim që Xhevat Qerimin nuk e kemi të gjallë...Jetuam me krenari dhe duke e përkujtuar gjithherë me pietet e dashuri, mu ashtu siç përkushtohen burrat e mëdhenj të atdheut që gjithçka që kishin dhënë në shërbim të luftës për çlirim kombëtar. Për një historian është përgjegjësi e madhe të shkruash për personalitetet që i kalojnë përmasat e të jetuarit njerëzor e bëhen simbol i sakrificës, vetëflijimit dhe ideator të lëvizjes të lirisë, luftës, kundër sistemeve totalitare", tha ai.

Ndërkaq, vajza e dëshmorit Xhevat Qerimi, Qëndresa Qerimi, tha se si familje vazhdojnë të jetojnë me kujtimin e më të dashurit të tyre.

Qerimi: Babë, po rritemi me fotografitë tua

"Babi u bënë plot 27 vite që të kërkojmë, të kërkojmë e nuk të gjejmë askund, vetëm në fotografi. U rritëm me fotografitë e tua, ende po rritemi me ato, sepse nuk patëm mundësi që të rriteshim me ty. Po rritemi me fjalët që na thonë për ty, sikur t’i dëgjoje vet fjalët e bukura që na mbushin shpirtërisht me dashuri neve vogëluesheve tua, se për ty fjalët nuk kanë mbarim. Por, si të mbarojnë fjalët për një njeri aq të madh siç ishte ti, nuk kemi dëgjuar asnjëherë se heronjtë vdesin, por edhe sikur të dëgjojmë prapë nuk do të arrijmë të besojmë, se ti babi ynë nuk vdes kurrë, do të jetosh tek çdo hap e çdo vepër e jona, tek çdo frymëmarrje, do të jetosh brenda nesh, sepse nuk do të lejojmë që asnjëherë të vdes kujtimi për ty. E që nga sot do të jetosh përjetësisht pranë shokëve të tu, sepse as historia nuk të harron dot", u shpreh ajo.

Rivarrimi i dëshmorit të i kombit Xhevat Qerimi është bërë nën patronatin e kryetarit të komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat