​Shtabi emergjent i Podujevës kërkon zbatim strikt të masave antiCOVID-19

Kosova

​Shtabi emergjent i Podujevës kërkon zbatim strikt të masave antiCOVID-19

Më: 10 nëntor 2020 Në ora: 15:13
Foto Ilustrim

Shtabi emergjent i Komunës së Podujevës për veprime dhe masa parandaluese e mbrojtëse nga COVID-19 sot diskutoi rreth gjendjes së rënduar javët e fundit me pandeminë, masat dhe vendimet e Qeverisë gjatë fundjavës së kaluar dhe masat që mund të merren së shpejti nga Ekzekutivi vendor.

Nënkryetari Nexhmi Rudari ka paraqitur shqetësimin e tij në lidhje me masat e ndërmarra për mbylljen totale të bizneseve për fundjavë, në theks për sektorin e gastronomisë, por njëkohësisht është angazhuar për respektim strikt të masave antiCOVID me qëllim të shmangies së mbylljes totale siç u praktikuan në fundjavë.

Ai tha se komuna është e gatshme për të shtuar masat e kontrollit dhe sigurisë në bashkëpunim me policinë, inspektoratin dhe punëtorët shëndetësorë.

Epidemiologia Bedrie Rama tha se gjendja me pandeminë aktualisht është e menaxhueshme, pavarësisht shtimit të numrit të rasteve. Ajo raportoi se deri më tani, nga paraqitja e COVID-19 në këtë komunë janë 954 persona të infektuar, prej tyre 679 janë shëruar, 248 raste janë aktive, ndërsa 27 kanë vdekur.

Drejtori i Arsimit, Agim Blakçori, tha se deri tani procesi mësimor është duke u zhvilluar sipas udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit dhe institucioneve shëndetësore.

Sipas tij, nga 114 testimeve të kryera tek personeli arsimor, 31 punëtorë arsimorë kanë rezultuar pozitiv, ndërsa te nxënësit, prej 98 testimeve, 23 raste kanë rezultuar pozitivë me COVID-19.

Shtabi Emergjent apelon qytetarëve të Komunës së Podujevës, që t’i respektojnë masat antiCOVID, pasi vetëm kështu do të luftojnë pandeminë.

Ndryshe, Podujeva si një ndër komunat me numër më të lartë infektuarve gjatë ditëve të fundit, mund të përballet me masë të karantinimit apo izolim të qytetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat