Demokracia Plus: Kosova, nga agjenda në agjendë të reformave evropiane

Kosova

Demokracia Plus: Kosova, nga agjenda në agjendë të reformave evropiane

Më: 17 dhjetor 2020 Në ora: 16:28
Paneli i diskutimit

Demokraci Plus të enjten mbajti panel të diskutimit me temën: “Agjenda e Reformave Evropiane II: Një perspektivë e re për Kosovën” në të cilin publikoi analizën e titulluar “Katër vjet, katër kryeministra nga Agjenda për Reforma Evropiane në Agjendën për Reforma Evropiane II: Ku qëndrojmë”?!

Albana Rexha - analiste e lartë e politikave në Demokraci Plus, e cila moderoi këtë debat, vuri në pah se për një periudhë 4-vjecare pati jostabilitet politik dhe potencoi se për këto 5 vite, Republika e Kosovës është drejtuar nga 4 kryeministra të ndryshëm.

“Ky jo stabilitet politik ka ndikuar fuqishëm në kufizimin e qëndrueshmërisë së reformave, kjo pasi me ndërrimin e qeverisë të gjitha politikat apo reformat janë kthyer në pikën zero. Padyshim që ERA në një mjedis të ashpër politik, si ky yni, e humbi rëndësinë e saj, kështu duke rezultuar në zbatimin e vetëm të gjysmës së veprimeve të planifikuara edhe pse qeveria e atëhershme kishte proklamuar përkushtim dhe ishte bashkëpjesëmarrëse në draftimin e këtyre masave”, theksoi ajo.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Driton Selmanaj, e pranoi se agjenda evropiane ka pasur ngecje si pasojë e zhvillimeve politike në vend.

“Për shkak të zhvillimeve politike, të cilat kanë ndodhur, ndërrimet e shpeshta të qeverive, nuk është që jemi të kënaqur edhe ne si qeveri e re për nivelin e zbatimit të atyre planifikimeve, të cilat kanë qenë, por jemi të bindur që tashmë ka një energji tjetër, ka një dinamikë tjetër dhe ka një zotim të qeverisë që vërtetë këto hapa të ecin me një dinamikë tjetër.

Ne jemi zotuar që të çojmë përpara zbatimin e marrëveshjes së MSA-së. Kemi rënë dakord edhe për fazën e dytë të Agjendës së Reformave Evropiane - ERA II”, tha ai.

Tutje, Selmanaj deklaroi se çështja e liberalizimit të vizave nuk është më në dorën e Kosovës.

“Dua të them shqetësimin e Qeverisë së Kosovës për mungesën e një vendimi shumë meritor për popullin e Kosovës - që është liberalizimi i vizave. Kjo situatë nuk është më në dorën tonë. Kosova ka kryer detyrat e saj, ato detyra që na janë listuar nga ana e BE-së. Tash kemi disa rekomandime ose vlerësime, qoftë të Parlamentit Evropian, qoftë të Komisionit, që ky vendim të merret sa më parë nga ana e shteteve anëtare të BE-së”.

Tomas Szunyog - shef i Zyrës së BE-së në Kosovë, përmendi prioritetet e ERA 2, e cila, siç tha ai, fokusohet në shtetin e së drejtës, investimet, zhvillimin e qëndrueshëm, arsimin, punësimin dhe shëndetësinë. Po ashtu, theksoi rolin e shoqërisë civile dhe vullnetin politik për t’i shtyrë para këto çështje.

“BE konsideron se Agjenda e Reformave Evropiane është mjeti kryesor orientues për zbatim nga ana e institucioneve të Kosovës në reformat e lidhura me BE-në, duke ndihmuar në shtyrjen para dhe përqendrimin në përparësitë kryesore të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA-së) të nënshkruar mes Kosovës dhe BE-së.

Jo vetëm BE-ja, por edhe organizatat e shoqërisë civile janë konsultuar për procesin dhe përgatitjet për planin e ERA II. Në presim që lansimi i ERA II dhe plani i saj të përmbushet në janar të vitit 2021”, tha Szunyog.

Edhe Fatmir Curri, drejtor i Programit për Grantdhënie në KCSF vuri në dukje rolin e madh që ka shoqëria civile sa i përket agjendës se reformave evropiane.

“Ne kemi rol shumë të madh për të komunikuar si duhet, sepse reformat që janë të parapara me zbatimin e MSA-së dhe ato të listara në ERA 1 dhe 2 ndikojnë në jetën e qytetarëve. Ne si shoqëri civile jemi tradhtuar në agjendë; nuk ka pasur gjithmonë transparencë, është përzier procesi duke ia shtuar elementet me dialogun me Serbinë”.

Ky aktivitet u mbështet nga Konrad Adenauer Stiftun (KAS).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat