Kosova nuk ka bërë më asnjë testim për variantin e ri të COVID-19

Kosova

Kosova nuk ka bërë më asnjë testim për variantin e ri të COVID-19

Më: 25 shkurt 2021 Në ora: 21:12
Foto ilustrim

Në fund të muajit janar në Kosovë u konfirmuan tri raste me variantin e ri të Covid-19, prej 30 mostrave që ishin dërguar në Gjermani. Këto janë rastet e vetme të konfirmuara me këtë variant, por në Kosovë mund të ketë shumë të infektuar me të e nuk dihet.

Kosova nuk ka aparatura të duhura për të konfirmuar variantin e ri të virusit Covid-19, i njohur si varianti anglez, e dërgimi i mostrave jashtë vendit po konsiderohet shumë i kushtueshëm.

Laboranti i IKShPK-së, Florim Ahmeti, ka treguar për lajmi.net se në mungesë të kushteve që në Kosovë të konfirmohet prezenca e këtij variant të virusit, rastet pozitve mund ta kenë variantin e ri, por pa e ditur.

“Vetëm njëherë janë dërgu mostrat në Gjermani. Kjo prej kurreshtjes se a ekziston variant i ri edhe tek ne, jo për ndonjë arsye tjetër. Ky variant është më shumë infektues, ashtu e kemi të njohur. Problemi qëndron aty se kur infektohen më shumë njerëz, më shumë do të shtrihen në spitale dhe kapacitetet tona janë limituara. Këtu është ajo problematika. Unë nuk shoh që ka ndonjë virulencë më ta madhe se në fillim, kur virusi i ka pasë të gjitha rrugët hapur. Mundet me pasë variantin e ri, por ne për momentin nuk e dimë për arsye se nuk e bëjmë sekrecionimin. Sekrecionimi është pjesë e gjenomit të virusit i cili flet për X variantin, të cilën ne nuk mundemi ta bëjmë sepse është proces që kushton shumë. Ndoshta nuk është shumë e rëndësishme. Më e rëndësishme është me ditë a është pozitiv apo negativ”, ka shtuar ai.

Sipas tij, përveç përhapjes më të shpejtë, variant i ri i virusit Covid-19 nuk ndryshon nga ai i vjetri.

“Trajtimi nuk ndryshon i variantit të ri prej atij të vjetrit. Në thelb mirë është me bë, me ditë, por nuk është patjetër pasi trajtimi është i njëjtë. Noshta nesër do të dalë edhe diçka tjetër, pasi virusi ka me pasë mutacione të ndryshm”, ka treguar ai për lajmi.net.

Ahmeti ka bërë të ditur se përveç skrecionimit që nuk bëhet në Kosovë, nuk ka ndonjë procedurë tjetër më të veçantë për identifikimin e variantit të ri të virusit Covid-19.

“Testimi është i njëjtë. I kemi marrë disa mostra të cilat kanë qenë pozitive dhe i kemi dërgu në Gjermani për sekrecionim, që ne për momentin nuk kemi mundësi ta bëjmë në laboratorët tona dhe kemi vërejt që shtami i ri ose variant i ri anglez është prezent edhe në Kosovë. Nuk ka diçka të posaçme për me testu këtë variant. Mostra vjen dhe testohet me këto kite që i kemi dhe del pozitiv ose negative. Nuk mundemi me identifiku dhe nuk e bëjmë atë test. Nuk mundemi me identifikua nëse është variant i ri apo jo. Mirëpo me këto teste ai testohet. Me ditë saktë duhet të bëhet sekrecionim, që ne për momentin nuk kemi mundësi ta bëjmë”, ka thënë ai.

Në lidhje me mostrat që ishin dërguar në Gjermani për konfirmim të rasteve me variantin e ri të covid-19, Ahmeti ka thënë se ato ishin të rastësishme, nga rastet që tashmë kishin rezultuar pozitive.

Ndërkaq, në Kosovë deri tani janë 67 mijë e 469 raste pozitive nga 294 mije e 985 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1 mije 582 persona nga vdekur nga ky virus.

Derisa vendet e rajonit kanë filluar të sigurojnë vaksinat kundër këtij virusi, ende nuk dihet se kur pritet që Kosova t’i sigurojë dozat e para, pavarësisht se ministri në detyrë i Shëndëtësisë, Armend Zemaj kishte deklaruar se kjo të ndodhë gjatë muajit shkurt.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat