Podujeva në zonë të kuqe, shkon në 322 numri i rasteve aktive me koronavirus

Kosova

Podujeva në zonë të kuqe, shkon në 322 numri i rasteve aktive me koronavirus

Më: 21 mars 2021 Në ora: 22:40
Foto ilustrim

Është rritur dukshëm numri i rasteve ditor me COVID-19, duke bërë kështu që të rritet edhe numri i rasteve aktive në Komunën e Podujevës.

Vetëm sot në këtë Komunë janë regjistruar 15 raste pozitive. SIc ka njoftuar IKSHPK, prej tyre, 8 janë në qytet, 2 në fshatin Peran dhe me nga një rast në fshatrat; Halabak, Letanc, Lupç i Epërm, Lupç i Poshtëm dhe Pakashticë e Epërme.

Epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), Bedrie Rama, ka deklarua se tani për tani aktivë me koronavirus janë mbi 320 qytetarë.

“Të dielën janë konfirmuar me virusin korona 15 qytetarë llapjanë. Këto raste të fundit bëjnë që në Podujevë tani të jenë 322 raste aktive me këtë virus”, është shprehur Rama.

Më tej, Rama ka theksuar se janë edhe 75 qytetarë llapjanë në pritje të rezultateve nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Që nga fillimi i pandemisë, e deri më tani, numri i të infektuarve në Llap ka arritur në rreth 3 mijë e 500. Deri tash janë raportuar 48 viktima, kurse 3130 pacientë janë shpallur të shëruar.

Si pasojë e rritjes së lakores së të infektuarve të rinj, Komuna e Podujevës ditë më parë është vendosur në zonë të kuqe sa i përket rrezikshmërisë së përhapjes së virusit korona.

Ditë më parë, Shtabi Emergjent në Podujevë, në një mbledhje të mbajtur, ka kërkuar nga qytetarët zbatim të masave mbrojtëse kundër COVID-19

Në anën tjetër, IKSHPK ka bërë të ditur se bazuar në 4.838 mostra të testuara, pozitivë në koronavirus kanë rezultuar edhe 793 persona.

Nga sëmundja COVID-19 janë shëruar edhe 352 pacientë, ndërsa raste aktive aktualisht janë 12.342.

Prej regjistrimit të rasteve të para me koronavirus në Kosovë, më 13 mars të vitit të kaluar, autoritetet shëndetësore kanë regjistruar 82.185 raste të infektimit. Prej tyre 1.760 kanë vdekur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat