Si e pret Kosova 22 prillin – ditën e planetit tokë

Kosova

Si e pret Kosova 22 prillin – ditën e planetit tokë

Nga: Mr.sc. Shefki Stublla Më: 21 prill 2021 Në ora: 12:53
Mr.sc. Shefki Stublla

Më 22 prill, është Dita e Tokës, apo më mirë të them, Dita e Nënës Natyrë, shtëpisë së përbashkët të njerëzimit dhe e të gjitha gjallesave dhe e gjithë botës organike dhe inorganike.

Dita e Tokës është një ngjarje e madhe që shënohet në gjithë Botën, më 22 prill të çdo viti,për të demostruar mbështetjen për mbrojtjen eNënës Natyrë.

Nga historiku i kësaj dite mësojmë,për herë të parë Bota zgjohet nga gjumi, në vititn 1970 dhe vë në spikamë ruajtjen Nënës Natyrë, nga ndotësi të mëdha. Në këtë vit industria merr hov të madh zhvillimi dhe fillon ndotja e madhe e Nënës Natyrë. Andaj,Asambleja e Përgjithshhme e OKB, këtë ditë e shpall si “Earth Day”-Dita e Tokës, që festohet në 190 vende të botës e që lidhet me ditën e parë të pranverës në hemisferën veriore, si manifestim i kësaj dite,të Planeti Tokë.

Vitin e kaluar dhe sivjet Bota po përballet me dy kriza të mëdha:me pandeminë e “C-19” dhe me ndotjen e madhe të Nënës Natyrë me plehëra të të gjitha natyrave dhe me katastrofën e ndryshimeve klimatike,me ç’rast natyra po e humb përsosmërine e saj.

DORA BAMIRËSE E NËNËS NATYRË

Nëna Natyrë jep dhe plotëson të gjitha kërkesat dhe nevojat e njeriut,por jo edhe lakminë (babëzinë) e tij, thoshte Mahatma Gandi.,disa vite para se të ngjallej vetëdija për mbrojtjen e saj. Borxhi ndaj Nënës Natyrë kurrë nuk mund të lahet në masën që ajo e meriton.Ndërgjegjja për mbrojtjen e saj duhet të rritet si kusht i domosdoshëm për bashkëjetesë me të.Njeriu duhet ta ruajë Nënën Natyrë nga barbarizmat e njeriut.Së paku ashtu siç e ruajnë kafshët dhe shpezët e egra.

Sot,më shumë sesa kurdoherë më parë, duhet të shtohet kujdesi ndaj natyrës. Roli i individit për mbrojtjen e natyrës ka rëndësi të madhe,sepse mbretëron gjendje e rëndë ekologjike.Secili individ ka për detyre të pastrojë dhe zbukurojë mjedisin e vet,mos të hedh mbeturina rrugës apo në park pas ndejës. Çdo veprim në pastrimin e natyrës është kontribut i mirë shëndetësor. Andaj,është mirë që secili,brenda mundësive që ka të mbjellë një dru në vit.Po ceku,një shembull të mirë nga Prishtina e dikurshme.Kushdo që prente një dru në oborrin e vet ishte i obliguar të mbillte tre drunj të rinj.

Përgjegjësia ndaj Nënës Natyrë është në duart tona.Kujdesi ndaj saj ka rëndësi për ne dhe për fëmijët e fëmijve tanë.Se çfarë do të jetë e ardhmja jonë vendos ti, i dashur lexues . Atëherë t’u krijojmë kushtet luleve e pemëve që të zhvillojnë jetën e tyre normale.Kujdes, o njeri,se çfarë do të jetë e ardhmja jonë vendos ti.Tërë bota e civilizuar duhet ta mbrojë Nënën Natyrë. Çdo njeri,së pari,ta mbrojë natyrënnga vetvetja.T’u krijojë luleve e pemëve mundësi për zhvillimin e jetës së tyre normale,sepse,malet janë mushkëritë e planetit tokë,kundër dioksidit të karbonit (CO2).

Çdo burim i rrallë uji është epigraf për Tokën, tregues i një dhurate që jep Nëna Natyrë,që di vetëm ajo të krijojë gjëra të ëndshme,si përshkues ëmbëlak i shpirtshëm, përherë i pranishëm për të eturit,

Të krijojë ujë të ëmbël,ujë mineral,ujë të thartë,ujë të ngrohtë si ilaç për shërimin e dhimbjeve në trupin e njeriut

Të jemi mirënjohës ndaj Natyrës që na jep jetë,na bën të lumtur me bimë ushqyese e lule zbukuruese,me male ku ruhet ozoni i nevojshëm për jetën e njeriut,

Askush nuk guxon të jetë barbar ndaj Natyrës,por të sillet njerëzishëm me të,sepse është i vetmi mit nga e cila buron jeta,

Toka na mban gjallë dhe toka i ruan eshtrat tonë,

Natyra ësht bamirëse,sepse njeriut përherë i jep gratis ajrin,ujin dhe gjërat tjera ushqimore,

Harmonia me natyrën është e nevojshme si buka,

Natyra kërkon shtrirje dore e jo grusht shkatërrues,

Dashuria për natyrën është kulturë e dijes dhe respekt,

Natyra është jo vetëm e bukur,por edhe inspirim për poetin e piktorin për të shfaqur magjinë e komunikimit me të,

Natyra nuk pranon gjueti shtrigash as përsekutim barbar as ulurima blasfemie,

Natyra nuk pranon veprim instinktiv,por veprim moral,njerëzor,bashkëveprim harmonik,

Ta duash natyrën është si të puthësh dorën e nënës që të ka lindur,që të shpërblen me produktet e saj të pazëvendësuseshme për jetë.Kjo përulje e lartësuar ndaj saj është një obligim mirënjohës i tipareve civilizuese të njeriut bamirës,përmendoren e të cilit nuk e lëkund asnjë stuhi egoiste për pasurim të pamerituar,sepse natyra mbetet një altar i shtrenjtë dhe i shenjtë.

MONUMENTET E NATYRËS NË KOSOVË

Monumentet e natyrës në Kosovë janë zona apo objekte me vlera unike,i një lloji bimor apo shtazor endemik,relikt i rrallë,me rëndësi të veçantë. Sipas vlerave që kanë ato duhet të gëzojnë kujdes dhe prezantim praktik,edukativ. Andaj,

Të ndalohet tjetërsimi apo çfarëdo qëllimi që e çnatyron natyrën dhe ndalon evolucionin e saj natyror,

Të ndalohet prishja shtretërve të lumenjve,për pak zallë të tenderëve gllabërues,

Urgjnetisht të ndalohet ndotja e lumenjve me ujëra të zeza,

Të ndalohet prerja e maleve pa leje dhe pa mëshirë,

Të sigurohen kushtet e ekologjisë natyrore,

Të ruhet e mos të bjerret rëndësia,kulturore,historike,turistike,kuruese,didaktike,fetare e monumentev e të natyrës...

SI E PRET KOSOVA DITËN E TOKËS

Më vjen keq të them,por ne në Kosovë, Ditën e Tokës e presim me një natyrë të degraduar,në çdo aspekt,sepse mungon qasja adekuate,mungon koncepti dhe veprimi praktik i mbrojtjes së monumenteve të natyrës.

Nuk kemi fytyrë as të drejtë, të dalim para Botës dhe të arsyetohemi për male të prera pa mëshirë.Dilni në Prishtinë,afër Shkollës Fillore “Gjergj Fishta”,tek Taukbahçja, shihni kamionë e traktorë me dru të njoma që shiten për ngrohje.Këta njerëz për pak para po i sakatojnë malet dhe po e shëmtojnë ambientin. Askush nga ta nuk kujdeset ta mbjellë,së paku, një dru të ri,në vendin ku e ka sakatuar malin. Kjo furtunë shkatërruese e maleve dhe bukurive natyrore vepron pa mëshirë,pa frikë dhe pa ndërgjegje në shkatërrimin e natyrës sonë të bukur që na e ka falë Zoti!

Po zhduken burimet e ujit të pijshëm.Dikur Prishtina kishte shumë çeshme publike, të ujit natyral të pijshëm,me rrjedhje të lirë nga Gërmia,e sot ka mbetur vetëm një, Çeshmja e bardhë.Nga të gjitha krojet e Prisdhtinës,ishte me nam, Çeshmja“Katër llullat”, Çeshmja e Hynilerëve dhe shumë shatërvane. Sot,asgjë nga to!

Me dremitje të njerëzve në instucionet gjegjëse nuk mbrohet natyra,

Natyra nuk mbrohet as me vajtimin e të moshuarve,të cilët me zemër të plast shikojnë zhdukjen e monumenteve të shenjta të natyrës,që i gëzonin dikur

Malet e vjetra qindvjeçare nuk mbrohen me homazh të vonuar,dhe premtime boshe,

Zhbërjen e shtretërve të lumenjve për pak zallë për tenderët gllabërues,duhet ndaluar me urgjencë,

Është i paarsyeshëm mospranimin e fajit të organeve përgjegjëse për ruajtjen e natyrës,sepse detyra e parë e tyre është të kujdesen dhe mbrojnë atë nga njerëzit e papërgjegjshëm që hedhin bërllok afër lumenjve dhe liqeneve,sidomos në ditët e vikendit. Kërkohet,në këto vende të ketë kujdestarë të cilët do të këshillonin po edhe të evidentonn ata që dëmtojnë amibientin dhe të dënoconin në bazë të ligjit për këto veprime të dëmshme për ambientin e njeriut.

Ndotja e lumenjve,liqeneve dhe zjarret e shpeshta në male të ndalohen urgjentisht.Është koha e fundit për zgjimin e vetëdijes dhe për aksione konkrete për mbrojtjken e natyrës dhe ambientit të njeriut.

Ah,më vjen të them: sikur të kishte qenë e mundur çdo shkatërruesi t’i vihej një çip për identifikimn e tij dhe populli ta sheh atë barbar që shkatërron natyrën,mjedisin ku jeton.

Nuk ka kurrëfarë kuptimi të dëmtohen dhe zhduken mrekullitë e natyrës apo të dëmtohet Ujëvara e Mirushës, ujëvaret e Radacit, Shpella e Gadimes,Bifurkacioni në lumin Nerodime,( i vetmi në Evropë dhe i dyti në Botë),të zhduken ata pak mullinj të vjetër, të dëmtohet Blini në fshatin Rastavicë,liqenet e Gjeravicës,urat e vjetra mbi lumenj,hamamet e vjetra, krojet e shatervaneve, rezervati i lulkuqeve në Gazimestan,apo rezervatet bimore:të molikës,Rrapi në Marash,pjesë e identitetit të Prizrenit,Gryka e Rugovës,burime të ndryshme të ujit mineral e shumë resurse të tjera të natyarës.

Përse kaq shumë televizione që ka Kosova,me një ushtri “analistësh”,asnjëri nga ta,nuk e cakton një termin (brenda javës apo brenda muajit), për të folur për këtë dukuri shkatërruese të natyrës.Përse nuk sigurohen mjetet për botimin e studimeve shkencoere për monumentet e natyrës,përse nuk botohen albume të nevojshme për monumentet e natyrës në Kosovë,për studiues brenda dhe jashtë Kosovës.

Përse Natyra dhe monumentet e saj, kjo pjesë e jetës së njeriut në Kosovë, ka mbetur jashtë kujdesit të duhur të pushtetit dhe menaxhuesve.Malet e bukura të Kosovës kanë mbetur si skllave dhe drurët e njomë shiten në treg të zi..Ndaj resurseve të natyrës bëhen krime gjakatare,nga njerëz pa ndërgjegje,të cilët me sharra automatike,nuk kursejnë as lis,as pishë as bre. Të gjitha i pret pa mëshirë dhe kthen malin në shkretëtirë,në kufomë kërbule.

Njeri i pandërgjegjshëm duke prerë pa mëshirë drurin e njomë

Nëna Natyrë në Kosovë kërkon rritjen e mbrojtjes dhe të kultivimit. Edhe Natyra është e lodhur nga premtimet boshe.

Nuk di të ketë pamje më të keqe mizore,sesa kur sheh një sharraxhi me sharrë automatike, moderne, duke prerë drurë të njomë.Ky shëmtues i Natyrës duhet të ndalet,të gjykohet për degradimin e natyrës,e cila për çdo ditë po zhveshet nga gjelbërimi.

BIFURKACIONI I NERODIMES -FENOMEN I SHENJTË NATYROR

Bifurkacioni (bigëzimi) është fenomen i shenjtë natyror kur uji i një lumi ndahet në dy degë dhe derdhet në dy dete të ndryshëm.Bifurkacioni në lumin Nerodime është i vetmi në Evropë dhe i dyti në botë.Nodhet,jo fort larg Ferizajt.Në botë ka edhe një bigëzim tjetër,lumi Kasikijare në Brazil derdhet një pjesë në lumin Orinoko në Venezuelë dhe pjesa tjetër në lumin Rio Negro që derdhet në Oqeanin Atlantik.Fenomeni i bifurkacionit në lumin Nerodime është një raritet natyror që tërheq shumë turistë dhe shkencëtarë,i cili nga viti 1979 mbrohet me ligj, si rezervat special i natyrës.Ky fenomen i rrallë natyror kërkon kujdes më të madh.

Anekdota:

Një qytetar i Ferizajt shkon në Haxh dhe atje takohet me një arab.Kur arabi e merr vesh se prej nga është i thotë:“Ju atje keni një fenomen të shenjtë natyre. Shko e falu aty, s’ke nevojë të vijsh në Çabe.”

SI TË SHPËTOHET SHKATËRRIMI I MËTEJM I NATYRËS

Një kromozom më tepër i dashurisë ndaj Natyrës,i çdo individi,luan rol të rëndësishëm në trashëgiminë dhe zhvillimin e qenies së mirëfilltë të saj

Vëmendje:Nëna Natyrë në Kosovë ështënë krizë.E sulmuar nga të katër anët e saj.Ajo kërkon ndihmë nga institcionet gjegjëse të mbrojtjes së natyrës dhe nga të gjithë njerëzit bamirës.Natyra po sakatoset dhe po krijohet një pamje zhgënjyese e çakorduar dhe çoroditëse e saj. Po bëhet një krim ndaj Nënës Tokë,ndaj mëmëdheut.Ajo nuk e meriton këtë. Si nuk po dëgjohet dihatja e saj dëshpëruese,dhe askush, për fat të keq nuk po e kupton këtë aritmi.Premtimet dhe obligimi ligjor ndaj natyrës nuk po mbahen,nuk po zbatohen as nuk po respektohen.Qytetari Kosovës Natyrën e ka lënë vetëm në mëshirën e Zotit.Sot në Kosovë kërkohen heronj dhe heroina për ta mbrojtur nënën Natyrë.

Nënës Natyrë,ka një qëndrim satrapi,që i përgjigjet një inkuizicioni,me prirje shkatërruese duke përdorur fjalën “kultivim”.Moto dite eçdo njeriu: ta respektojë dheta dojë Natyrën që narrethon.Ajo është më e madhe sesa ne. Dashuria e njeriut ndaj maleve le të jetë ndjenjë përgjegjësie e çdo njeriu,sepse njeriun normal e iriton kur sheh individ dhe grupe, duke hedhur shishe plastike,copa të ndryshme letrash,pasçdo vizite në natyrë! Në natyrë të dalim dhe e vizitojmë atë si miq e jo si barbarë! Ata që shkatërrojnë natyrën helmojnë veten së pari.Për natyrën duhet të jemi mysafirë,miq e jo armiq duke bombarduar atë me duça cigaresh duhani,kanaqe,qese najloni dhe me ndezje zjarri. Për natyrën duhet të kujdesemi si për shtëpinë tonë.Sepse Natyra është shtëpia jonë e përbashkët.

Për mbrojtjen e natyrës dhe ambientit është e nevojshme të ndërmirren disa hapa urgjentë:

Hapi i parë: zbatimi i Liigjit për mbrojtjen e natyrës

Hapi i dytë:angazhimi profesional i njerëzve kompetentë në evidentimin e gjendjes dhe ndërmarrja e masave urgjente sanuese për mbrojtjen e monumenteve të natyrës,sidomos, në zonat e përcaktuara me ligj,

Prindërit,të këshillojnë fëmijët që nga shembulli i tyre konkret për kujdesjen ndaj natyrës,duke filluar nga dera e shtëpisë,gjatë rrugës dhe brenda në shkollë të mos hedh mbeturina,

Arsimtarët, sidomos kujdestarët e klasëve të mbajnë orë të vaçanta për mbrojtjen e monumenteve të natyrës,dhe flasin për rëndësinë e ambientit të pastër.Moto e kësaj ore mësimi:respekto dhe duaje Natyrën.Natyra s’ka zë të thotë mos më dëmtoni,ajo nuk mund të pastrohet vetë,andaj mos e ndotni.Mos e goditni,mos e preni pa plan e pa mëshirë.Mos ndezni zjarr në mal.Mos këputni lulet,mos theni degët e njoma.E leni natyrën në gjendjen që e gjetët.Sepse ne jemi pjesë e saj.Jeta e saj është e gjatë me shekuj jo vetëm për ne, por edhe për gjeneratat që vijnë pas nesh.Pra,ta duam e respektojmë natyrën sepse ajo është shtëpia jonë e përbashkët dhe burim jete për ne. Natyra nuk është “klub nate”,mos e tremb me muzikë të lartë të teknikës moderne.Mos i trazo shtazët e egra.Dëgjo gurgullimën e ujit,këngën e zogjëve...Secili prej nesh të mendojë si të kujdesemi dhe si ta mbrojmë natyrën dhe si të rinohet ajo.

Televizionet, bashkë me OJQ -të përkatëse,të organizojnë biseda me temën mbrojtja e natyrës dhe ruajtja e ambientit të pastër,nevojë e domosdoshme për jetën.

Hoxha e prifti, në takim me “xhematin” e tyre të flasin dhe udhëzojnë dhe këshillojnë besimtarët për rëndësinë e mbrojtjes së ambientit të njeriut dhe të natyrës,

Policia,të jetë më syçelë ndaj dëmtimit të natyrës bashkë me rojen e malit.

Ndërtimi i minihidroelektranave të studiohet dhe analizohet formimi i tyre,duke pasur kujdes ruajtjen e natyrës,të florës dhe faunës,sepse një qasje jo e drejtë krijon shumë probleme për qytetarët dhe e zvetnon Natyrën.

Një bashkëveprim i këtillë është i nevojshëm si buka,sepse kur është natyra e shëndoshë edhe ne jemi të shëndoshë.Masat për mbrojtjen e natyrës janë të domosdoshme të përhershme,sidomos për mbrojtjen e florës dhe faunës.Një shembull drastik,që mund të ndodh vetëm në Kosovë:Kosova kishte Muzeun e Natyrës,të cilin pas çlirimit,organi kompetent i Muzeut e shkatërroi dhe me dhjetëra ekzemplarë të florës dhe faunës, dergjen në podrumin e Muzeut të Kosovës!

Me shembjen e të mirave që ofron Natyra po shembet qetësia shpirtërore e njerëzve.Këto pak gjëra që po i shënoj unë po i shohin edhe të tjerët,por ata që marrin vendime duhet të kujdesen më shumë sepse konflikti me natyrën është i dëmshëm.Të bëhemi bashkë dhe të reagojmë me kohë kundër çdo degradimi të natyrës, sepse çelësi i mbrojtjes së natyrës është në duart e vetë njeriut.Mos të harrohet,Nëna Natyrë e jona ka emër dhe mbiemër të Kosovës.

Çelësi i mbrojtjes së Natyrës është në dorën e njeriut

Propozoj, për Ditën e Tokës më 22 prill, të organizohen aksione për pastrimin e natyrës,mbjelljen e fidaneve dhe luleve dhe kjo ditë të bëhet dhe konsiderohet,edhe tek ne, si festë kombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat