​Bulliqi në prezantimin e programit qeverisës: Llapi e Gollaku nuk njohin kthim prapa

Kosova

​Bulliqi në prezantimin e programit qeverisës: Llapi e Gollaku nuk njohin kthim prapa

Më: 1 tetor 2021 Në ora: 20:35
Shpejtim Bulliqi

Lëvizja Vetëvendosje në Podujevë po shprehet e bindur në fitore në zgjedhjet e 17 tetorit. Kandidati për kryetar nga kjo parti, Shpejtim Bulliqi ka premtuar investime të rëndësishme për Llapin, në mesin e tyre ndërtimin e parkingut nëntokësor, lirimin e hapësirave të gjelbra, ndërtimin e stacionit të autobusëve dhe qendrën për qëndrimin ditor për të moshuarit.

Në prezantimin e programit qeverisës për katër vjet mandat, Bulliqi tha se Llapi gjithmonë i ka prirë ndryshimeve pozitive për krejt Kosovën.

Para nëntë muajsh, ai tha se Podujeva hapi derën e parë për fitoren e madhe të LVV-së.

Bulliqi: Kemi bërë digjitalizimin e administratës

“Shpejtim Bulliqi fitoi vitin e kaluar pa balotazh, sepse, qytetarët e Llapit dhe Gollakut me zemrën e tyre bujare ja dhanë mbështetjen. Sigurisht ne e dimë se për 9 muajt nuk do të mund të realizonim të gjitha ato kërkesa dhe nevojat e tyre. Por, një gjë e kemi bërë, dhe ajo është puna e përditshme dhe serioze pa u lodhur. Kemi pasur arritje dhe kemi marrë vlerësime, sepse kemi bërë shërbime të shpejta në administratën komunale. Kemi bërë digjitalizimin e administratës dhe midis shumë te arriturave të tjera, dua të përmend fermerët, blegtorët dhe bujqit llapjanë të cilët i kemi ndihmuar me subvencione”, ka thënë ai.

Më tej, ai u zotua se do të punojnë për përmirësimin e jetës së qytetarëve , duke u shprehur i bindur në fitoren e 17 tetorit.

Bulliqi: Llapi e Gollaku nuk njohin kthim prapa

“Do të fitojmë, sepse Llapi e Gollaku nuk njeh kthim mbrapa. Do të qeverisim me qytetarët, do të qeverisim me gratë dhe me burrat, me të rinjtë dhe me pleqtë, me bizneset dhe me fermerët, me intelektualët dhe me artistët dhe do të sjellim zhvillimin në Podujevë. Në katër vitet e ardhshme ne do të bëjmë investime të rëndësishme në komunën tonë. Do të ndërtojmë parkingun nëntokësor që do të zgjidh problemin e trafikut dhe të parkimit në qytet. Dhe do të lirojmë hapësira për gjelbërim dhe trotuare. Do të ndërtojmë stacionin e autobusëve, por edhe prioritet për linjat ndër-urbane dhe ato që lidhin qytetin me fshatra”, ka premtuar Bulliqi në këtë tubim.

Po ashtu, ai premtoi edhe ndërtimin e Qendrës së Mjekësisë Urgjente në periferi të qytetit dhe hapjen e katër çerdheve të reja. Për fëmijët nga klasa e parë deri në të pestën, ai ka thënë se do u ofrojnë shujta falas.

Bulliqi: Do të ndërtojmë një qendër moderne për personat e moshuar

“Ne do të ndërtojmë një qendër moderne për qëndrim ditor për personat e moshuar, për gjyshërit dhe gjyshet tona. Personat e moshuar nuk janë të padukshëm për ne, por i shohim ata si një pjesë të rëndësishme të jetës sonë. Sa i përket biznesit, ne do të ndërtojmë një zonë industriale në periferi të qytetit me një sipërfaqe prej 37,2 hektarësh. Në këtë hapësirë do të ndërtohet infrastruktura e nevojshme dhe do i jepet në shfrytëzim bizneseve prodhuese”, ka shtuar Bulliqi.

Me tej, kryetari aktual i Podujevës tha se do të krijojnë një fond për mbështetje të prodhuesve vendor, me qëllim të subvencionimit të shpenzimeve e interesit për kreditë investimeve në zgjerimin e kapaciteteve prodhuese.

E, deputetja Fitore Pacolli tha se me një vit qeverisje u dëshmua që qeverisja lokale mund të bëhet mirë dhe drejtë. Ajo u shpreh e bindur që Besiana sërish do të udhëhiqet nga partia në të cilën ajo bën pjesë.

Pacolli: Zhvillimi i qytetit fillon nga lagjet

“Zhvillimi i qyteteve, por edhe i shtetit fillon nga lagjet, fshatrat dhe vazhdon tek qyteti e shteti. Qyteti e ka për detyrë që të siguroj mirëqenie, shkollë, shëndetësi, rrugë, parqe, autobusë për qytetarët. Qyteti e ka për detyrë që të avancojë tutje, pra të mos mbetet qysh ka mbetur në qytetet tona. E kryetari Bulliqi e nisi me një mision të veçantë, që qyteti i Podujevës, Besianës, t’i bashkohet qyteteve të Evropës. Jo vetëm qyteteve të cilat kanë ndoshta kanalizim dhe ujë, sepse kjo është e drejtë e njeriut dhe duhet t’i kemi”, ka thënë ajo.

Gjatë prezantimit të programit qeverisës, Shpejtim Bulliqi ka premtuar edhe funksionalizimin e kinemasë së qytetit dhe mbështetjen e aktiviteteve artistike dhe kulturore. Ai ka përmendur edhe problemet me ujin e pijes, ku theksoi se në bashkëpunim me qeverinë do të investojnë për zgjidhjen e këtij problemi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat