​Manifesta 14 prezanton vizionin urban dhe kuratoren

Kosova

​Manifesta 14 prezanton vizionin urban dhe kuratoren

Më: 12 tetor 2021 Në ora: 16:52
Hajrullah Çeku,

Manifesta 14 Prishtina ka prezantuar sot vizionin urban të këtij edicioni, i cili është se si mund të rimerret hapësira publike nga qytetarët e saj. Po ashtu, është bërë e ditur se Chatherine Nichols do të jetë ndërmjetësuese kreative e edicionit të 14 të Manifesta.

Vizioni urban i krijuar për Manifesta 14 Prishtina nga CRA-Carlo Ratti Associati ka krijuar themelin i cili do të çojë në zbatimin e një programi bienal të qëndrueshëm dhe eksperimental 100-ditorë në Prishtinë dhe rajon.

Fabrika e Tullave dhe hapësira përreth Bibliotekës “Hivzi Sylejmani” do të jenë hapësirat e para në të cilat do të ndërhyhet në kuadër të këtij edicioni të Manifesta.

Në këtë ngjarje mori pjesë ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, i cili tha se Kosova po bëhet gati për ndryshime të rëndësishme në kulturë.

Çeku tha se ministria që e udhëheq është e dedikuar në mbështetje të aktiviteteve të Manifestës dhe të gjithë komunitetit artistik të Kosovës, që së bashku të përfitojnë nga bashkëpunimi i ndërsjellë.

Çeku: Manifesta ofron kushte për të testuar modele të reja të planifikimit hapësinor në kulturë

“Manifesta si një prej platformave më kreative dhe alternative të formatit të bienales zë vend shumë natyrshëm në ambientin kulturor të Kosovës. Manifesta vjen po ashtu në këtë periudhë të zhvillimit në Kosovë, komuniteti artistik dhe i gjithë ekosistemi i kulturës është gati për ndryshim dhe ndikim afatgjatë. Pikërisht këtu vjen në shprehje bashkëpunimi, i cili duhet të jetë deri në shterjen e çdo kapaciteti që e ofron kjo platformë e Manifestës që padyshim se do t’i shërbejë kulturës në vendin tonë. Ky bashkëpunim do të kontribuojë në ridefinimin, rikonceptimin, eksperimentimin e të gjitha kapaciteteve vendore artistike në nivel shumë më të gjerë në rajon dhe përtej rajonit. Ky është moment po ashtu për të parë ndryshimet me mënyrën se si i organizojmë hapësirën kulturore dhe si e organizon kulturën në kohë. Manifesta ofron kushte për të testuar modele të reja të planifikimit hapësinor në kulturë. Këtu pra tash të gjithë ne e kemi një rast unik për të eksperimentuar edhe në hapësirën publike, për ta ridestinuar përdorueshmërinë e saj, por më me rëndësi për ta rikthyer hapësirën publike tek vet publiku i Kosovës”, tha ai.

Ndërkaq, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se çështja kryesore ka qenë se si të ruhej dhe si të rimarrën hapësirat publike, teksa ka pasur një mesazh për kryetarin e ri të kryeqytetit që të mbrojë atë që ka mbetur nga hapësira publike.

Ahmeti: A mund ta përdorim artin dhe edukimin për rigjenerim të hapësirave urbane?

“A mund ta përdorim artin dhe edukimin për rigjenerim të hapësirave urbane, si mund të përdorim këto projekte dhe po shoh shumë kandidat për zgjedhjet në Prishtinë se do të jetë një edukim kulturore, nuk po bëhet fjalë për shtëpinë private, por për një hapësirë publike që do të përdoret prej publikut. E dyta, është një nga lagjet më të varfra të Prishtinës, zonat më të varfra dhe me anë të këtij projekti a mund ta kapërcejmë këtë hendekun midis zonave më të pasura të Prishtinës me atë zonë, pra cili është ndikimi që do të kishte ai projekt. E treta, ishte se a do të mund ta përdorim trashëgiminë kulturore, kuptohet se është luftë e vazhdueshme me ministrin aktual të kulturës, sepse e ka bërë një prej prioriteteve të veta dhe kjo është një trashëgimi kulturore sepse askush nuk do t’i rrëzonte dy oxhaqe, është identitet i Prishtinës e kemi parë pothuajse në çdo kartolinë, si do ta ruajmë trashëgiminë kulturore në këtë qytet. Menduam që këto tri pyetje do të përdoreshin si standard për të gjitha zonat e tjera të qytetit apo si do të luftonim për hapësirat publike, si do ta mbrojmë historinë e Prishtinës”, tha Ahmeti.

Drejtoresha themeluese e Manifesta, Hedvig Fijen, tha se vizioni urban i këtij edicioni të Manifesta 14 është se si Prishtina do të mund të transformohet në një qytet të gjelbër dhe të qëndrueshëm.

Fijen: Prishtina të transformohet në një qytet të sigurt, të pastër, të qëndrueshëm

“Shpresa jonë bazohet në mundësinë që ky vizion urban i Carlo Ratti të përdoret si udhërrëfyes për atë se si qyteti i Prishtinës do të mund të transformohet në dekadën e ardhshme në një qytet të sigurt, të gjelbër, të pastër, të qëndrueshëm”, tha ajo.

Ndërsa, Carlo Ratti, nga CRD-Carlo Ratti Associati, ka prezantuar disa nga punët që kanë bërë gjatë gjashtë muajve të fundit ne Prishtinë.

Ratti: Rikthimi i hapësirave publike në Prishtinë

“Gjetjen e mënyrave të reja për të analizuar ambientin në Prishtinë dhe siç u tha është mënyrë për të angazhuar njerëzit, diçka që kemi punuar shumë në konceptin e arkitekturës, në këtë rast ua paraqesim juve diçka që mendojmë që do të ishte me interes. Prishtina do të bëhet model për qytetet e tjera si burim urban. Kjo është logjikë e shendosh, rikthimi i hapësirave publike në Prishtinë”, tha ai.

Në anën tjetër, Ndërmjetësuesja Kreative e Manifesta 14 Chatherine Nichols, ka treguar propozimet për hapësirat publike në kryeqytetin e Kosovës se për çka do të mund të përdoreshin.

Nichols: Propozimi im i parë është qendra për praktikë narrative në Bibliotekën Hivzi Sylejmani

“Propozimi im i parë është qendra për praktikë narrative në Bibliotekën “Hivzi Sylejmani”, propozimi i dytë është qendra për të mësuarit urban në Tulltore, propozimi i tretë është qendra me intervenime të ndryshme si pjesë e studimit urban. Propozimi i katërt është të transformohet Hoteli Grand në qendër hulumtuese shumë disiplinare, propozimi i pestë është të krijojmë një radiostacion online, propozimi i gjashtë është të zhvillohet një seri e ecjeve për të ndjerë dhe për ta dëgjuar rrëfimin e qytetit në mënyra të tjera”, tha ajo.

Manifesta 14 do të organizohet nga 22 korriku deri më 30 tetor 2022 në Prishtinë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat