​Specializantët me vetëfinancim kërkojnë të kthehen në të rregullt dhe tu paguhet kujdestaria

Kosova

​Specializantët me vetëfinancim kërkojnë të kthehen në të rregullt dhe tu paguhet kujdestaria

Më: 2 dhjetor 2021 Në ora: 12:26
Foto ilustrim

Specializantët me vetëfinancim dhe ata me financim sot kanë protestuar para Qeverisë së Kosovës. Marshi i tyre protestues nisi nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK). Këta mjekë të rinj po kërkojnë që specializantët me vetëfinancim të kthehen në të rregullt dhe po ashtu t’u paguhen kujdestaritë.

“20 vite u harruam mos na harroni edhe ju”, “Familja nuk mund të na financojë gjatë gjithë jetës”, “Na trajtoni me dinjitet”, “Kryeministër ndaloni traditën e neglizhencës së mjekëve të rinj”, ishin disa nga mbishkrimet që mbanin në duar protestuesit të cilët i vendosën para Qeverisë së Kosovës dhe para objektit të Kuvendit të Kosovës.

Arianit Zajmi, njëri nga përfaqësuesit e Këshillit të Specializantëve tha se kjo protestë buron nga pakënaqësia kolektive e gjithë specializantëve të ShSKUK-së që lidhet me statusin e tyre social, ekonomik dhe profesional. 

Derisa theksoi se specializantët janë kategoria më e lënë pas dore në 20 vitet e pasluftës, Zajmi shpalosi kërkesat e tyre kryesore për të cilat edhe po protestojnë. 

E në rast të mos reflektimit nga institucionet përgjegjëse tha se do vazhdojnë me protesta. 

Zajmi: Specializantët me vetë financim të kalojnë në të rregullt 

“Pika e parë që ne kërkojmë është që mjekët me subvencione të fitojnë statusin e rregullt. Subvencionet janë ndihma sociale për të cilat specializantët duhet të dërgojnë raporte të veçanta që me marr atë pagesë, disa e marrin e disa se marrin fare e disave iu vonohet. Paramendoni çfarë katastrofe është kur kemi ende specializantë që mbështetjen e tyre kryesore e kanë familjen... Statusi i rregullt i specializantit nënkupton që specializanti në fund të muajit ashtu siç e marrin të gjithë punëtorët tjerë edhe specializanti me marr pagën e rregullt. Kërkesa jonë e dytë është që të gjitha kujdestaritë të paguhen, sot specializantët mbajnë kujdestari 24-orëshe, punojnë 24 orë e kryejnë 70 deri në 80 përqind të punës vetëm në klinika dhe nga kjo marrin zero cent... Sa i përket çështjes së kujdestarive të vikendit të cilat nuk po na paguhen kjo nuk ka vetëm kosto ekonomike, më shqetësuese është profesionale... Kemi kërkuar paga të dinjitetshme për neve dhe të lëshohet udhëzimi administrativ sa i përket pagave të dinjtetshme. Tek kjo pikë nuk kemi cekur asnjë koeficient, as asgjë, shtrohet pyetja pse. Ne nuk dëshirojmë të bëhen aso lojëra që janë lozur me mjekët paraprak”, u shpreh ai.

Doktoresha Dile Rrusta, e cila specializimin po e kryen në Klinikën e Kirurgjisë Plastike me vetëfinancim u shpreh se përmes kësaj proteste po kërkojnë vetëm të drejtat që po u mohohen.

Rrusta: Po kërkojmë të drejtat tona minimale 

“Subvencionet kanë qenë vetëm një zgjidhje e përkohshme për arsye se nuk i marrim shtesat, nuk paguhen të gjitha kujdestaritë, nuk i marrim subvencionet me rregull. Ne nuk mund ta llogarisim se si kemi me shpenzu rrogën mujore kur nuk dihet a del më 15 apo me 20 apo nuk del fare sepse ndodh që vijueshmëritë nuk dërgohen mirë... Ne vetëm po e kërkojmë atë që meritojmë, të na paguhet mundi, kujdestaritë 24-orëshe mund të thirrin rreth 20 herë në Emergjencë, mund të mos flesh as 1 orë është minimumi që po kërkojmë”, tha ajo. 

Ndërsa, Uran Halimi, specializant me vetëfinancim në Klinikën e Kirurgjisë Orale u shpreh se impakti i specializantëve në buxhetin e shtetit është tejet i ulët, prandaj konsideron se me një vullnet politik do arrihej deri tek realizimi i kërkesave të tyre. 

Halimi: Impakti jonë në buxhetin e Kosovës është i ulët 

“Impakti buxhetor i zgjidhjes se problemit tonë është 2.75 miliardë euro. Për t’u zgjidhur ky problem mjaftohen të ndahen vetëm 0.12 përqind e tërë kostos së shtetit. Pra, është një impakt shumë i ulët buxhetor dhe mendoj që nuk është problem për Qeverinë as për shtetin për sistemin tonë shëndetësor. Duhet të kemi strategji afatgjate dhe jo tani për tani, mendoj se një vullnet i mirë politik duhet ta zgjidhte këtë problem që ekziston tash e sa vite”, theksoi Halimi. 

Kujtojmë, që në nëntor të vitit të kaluar rreth 1 mijë e 500 specializantë ishin bërë pjesë e sistemin publik shëndetësor në Kosovë. Punësimi i tyre ndodhi gjatë udhëheqjes së ministrisë së Shëndetësisë nga Armend Zemaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat