Banorët e Rugovës ankohen për rrugët e pakalueshme nga bora

Kosova

Banorët e Rugovës ankohen për rrugët e pakalueshme nga bora

Më: 14 dhjetor 2021 Në ora: 21:00
Rugovë

Bora ditëve të fundit iu ka dhënë një pamje të bukur fshatrave të Rugovës së Pejës, por ka vështirësuar qarkullimin e njerëzve dhe automjeteve.

Megjithëse rruga kryesore është e kalueshme, në rrugët dytësore ka vështirësi në lëvizje.

Besnik Lajçi, banor i Rugovës, thotë se disa pjesë të zonës janë bërë të rrezikshme për banorët dhe për turistët që frekuentojnë vendin.

“Unë jam banor i kësaj zone. Prej 10 vitesh asnjëherë nuk na është hapur rruga. Neve po na kushton hapja e rrugës. Ne paguajmë tatimin e shtëpisë dhe komuna është e obliguar të na hapë rrugët. Ne banojmë këtu gjatë gjithë vitit dhe kemi kafshë që na duhen rrugët”.

Nga Komuna e Pejës thonë se kanë kontraktuar tri kompani për të bërë pastrimin e rrugëve nga bora në qytet fshatra përreth dhe në zonën turistike të Rugovës.

Nënkryetari i Pejës Fatmir Asllani thotë se prioritet janë rrugët e qytetit, por nuk do të mbeten jashtë vëmendjes edhe rrugët dytësore.

“Kemi pasur disa ankesa për rrugët sekondare. Por kemi pasur pengesa për të dërguar makinerinë pasi rrugët janë të ngushta. Kur nuk bie borë në dërgojmë makinerinë kohë pas kohe për të pastruar ato rrugë”, deklaroi Asllani.

Pos borës, sipas banorëve të Rugovës problematikë është edhe ndërprerja e rrymës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat