Thaçi: Nëse konfirmohet se ndonjë deputet/e ka mashtruar për shpenzimet e udhëtimit, të dorëhiqet

Kosova

Thaçi: Nëse konfirmohet se ndonjë deputet/e ka mashtruar për shpenzimet e udhëtimit, të dorëhiqet

Më: 4 shkurt 2022 Në ora: 00:13
Jusuf Thaçi

Opinionisti Jusuf Thaçi ka reaguar pas publikimit të shpenzimeve të deputetëve për udhëtimin. Ai thotë se nëse ata kanë mashtruar, duhet të dorëhiqen. Nëse një gjë e tillë nuk ndodh, Thaçi ka treguar se cilët hapa do të duhej të ndiqeshin.

Shpenzimet e larta të deputetëve për naftë kanë ngjallur reagime të shumta. Raportohet se deputetët kanë mashtruar për të përfituar paratë e shtetit.

Jusuf Thaçi thotë se një deputet që mashtron s’ka legjitimitet për të përfaqësuar qytetarin.

“Nëse konfirmohet se ndonjë deputet/e ka mashtruar në lidhje me shpenzimet e udhëtimit, përkatësisht ka përvetësuar para publike përmes mashtrimit, atëherë:

1. Ai/ajo duhet të japë dorëheqje nga pozita e deputetit, sepse më nuk e ka as integritet e as legjitimitet për ta përfaqësuar qytetarin.

2. Nëse ai/ajo nuk jep dorëheqje, atëherë është detyrë e subjektit politik që i përket ai/ajo që ta largojë nga grupi parlamentar dhe nga partia (meqë mandatin e deputetit nuk mund t’ia marrë). Nëse partia nuk ndërmerr asgjë ndaj tij/saj, atëherë është bashkëfajtore për këtë mashtrim.

3. Prokuroria dhe gjyqësia duhet të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme ndaj atij/asaj deputeti/eje për mashtrim dhe përvetësim të parasë publike në mënyrë të kundërligjshme, sepse deputetët nuk kanë imunitet për vepra penale.

Ndërsa, rastet tjera kur deputetët e shfrytëzojnë këtë të drejtë që ua mundëson legjislacioni në fuqi, pa e keqpërdorur, ky është diskutim krejt tjetër.”, shkroi Thaçi në llogarinë e tij në Facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat