Sejdiu: PDK-ja e LDK-ja opozitarizmin e shohin vetëm në Kuvend

Kosova

Sejdiu: PDK-ja e LDK-ja opozitarizmin e shohin vetëm në Kuvend

Më: 4 shkurt 2022 Në ora: 00:58
Dardan Sejdiu

Analisti politik Dardan Sejdiu ka komentuar opozitën ndaj të cilës po përballet kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Sejdiu tha se Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës e kanë tejkaluar një traumë të madhe, ajo e 14 shkurtit, dhe sipas tij, për më pak se një vit kanë arritur të korrin sukses në zgjedhje lokale.

Sipas Sejdiut, lajm i mirë është ndërrimi i udhëheqjes në këto dy subjekte, në mënyrën më të mirë të mundshme, dhe se dy liderët e rinj, të PDK-së dhe LDK-së, janë në kërkim të një paradigme të re për vetën dhe kjo, sipas Sejdiut, merr kohë.

“Edhe LDK-ja edhe PDK-ja janë në një aspekt të kurthuar nga e kaluara, sepse janë institucionaliste dhe opozitarizmin e shohin vetëm në suaza të kuvendit. Shumë pak e shohin opozitarizmin si një lloj orvatjeje të përditshme për të shpërfaqur kundërshti jokoherente”.

“VV-ja ka ardhur në pushtet, jo për shkak të konsistencës së saj, por për shkak të inkonsistencës së pushteteve, sepse VV-ja ka ndërruar qëndrime edhe në opozitë”, ka thënë Sejdiu.

Ndërsa, sa i përket Partisë Socialdemokrate dhe protestës së fundit të saj, Sejdiu tha se kauza ishte e drejtë.

“Për PSD-në, për mua kauza e protestës kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike është kauzë e drejtë, kauzë që prek qytetarët dhe do të isha i befasuar për numër më të vogël në protestë”, ka thënë Sejdiu.

Më tej, ai ka komentuar edhe protestat e subjektit në pozitë, Vetëvendosjes, që bënte sa ishte në opozitë, ku tha se numri më i madh i protestuesve ishte në kohën e koalicionit VV-AAK-NISMA.

“Pra, protesta që kanë shkuar në numra të jashtëzakonshëm, ndërsa protesta kur VV ka qenë e vetme, kanë qenë protesta me 7 deri në 10 mijë njerëz kur ka qenë kauza e madhe. Ndërsa, PSD këtu, është protestë e mesme e VV-së. Përkundër një etikete që ia ka vendosur makineria e VV-së, PSD-së”, ka thënë Sejdiu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat