Shifra alarmante: Brenda një viti në Kosovë ndodhin deri në 120 aksidente me fatalitet

Kosova

Shifra alarmante: Brenda një viti në Kosovë ndodhin deri në 120 aksidente me fatalitet

Më: 15 nëntor 2022 Në ora: 13:04
Foto ilustrim

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave në Trafikun Rrugor, dje ka filluar fushata “Përkujto, mbështet, vepro”, e cila organizohet që tetë vjet në vendin tonë.

Për të folur më shumë rreth kësaj dite dhe aktiviteteve që do të organizohen, të ftuar në emisionin “Aktual” ishin Sami Mazreku, drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve dhe Muhamed Krasniqi nga Asociacioni Kosovar i Motorizimit.

Mazreku tha se numri i të vdekurve dhe i të lënduarve në aksidente të trafikut është shumë i madh.

“Çdo vit ndodhin 100 deri 120 aksidente me fatalitet në Kosovë. Që nga viti 2002 deri më tani, mbi 2.000 persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve në trafik. Nëse flasim për të lënduarit, është numër shumë më i madh. Më e keqja është se ky trend po rritet”, tha ai.

Mazreku falënderoi Asociacionin Kosovar të Motorizimit (AMRKS) për organizimin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave në Trafikun Rrugor.

Ai tregoi se të premten do të mbajnë edhe një tryezë, në të cilën do të japin të dhëna të plota për aksidentet me fatalitet, me të lënduar dhe me dëme materiale në trafik.

Ndërsa Muhamed Krasniqi nga Asociacioni Kosovar i Motorizimit bëri me dije se fushata “Përkujto, mbështet, vepro” bëhet për parandalim e aksidenteve në trafikun rrugor.

“Prej 2015-s jemi duke organizuar në Kosovë Javën ose Ditën Botërore të Përkujtimit të Viktimave në Trafikun Rrugor. Secilin vit kemi organizuar aktivitete të ndryshme. Kjo fushatë organizohet në gjithë botën për të njëjtën kauzë: për siguri më të madhe në rrugë dhe për parandalimin e aksidenteve në trafikun rrugor”, – tha Krasniqi.

Sipas tij, problem në shkallë botërore është neglizhimi për ta gjetur arsyen e këtyre aksidenteve.

“E gjithë bota po kërkon zbardhjen e shkaqeve të aksidenteve në trafik. Edhe Kosova po kërkon zbardhjen dhe hetimin e plotë të këtyre aksidenteve mirëpo, ashtu si këtu, në gjithë botën kemi një problem, pasi në disa raste persona të caktuar i neglizhojnë këto aksidente. Të aksidentuarit apo familjarët që e kanë humbur më të dashurin e tyre në aksident trafiku asnjëherë nuk e marrin arsyen dhe shkakun”, tha Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat