​Nagavci: Buxheti për arsimin në vitin 2023 do të jetë mbi 82 milionë euro

Kosova

​Nagavci: Buxheti për arsimin në vitin 2023 do të jetë mbi 82 milionë euro

Më: 15 nëntor 2022 Në ora: 16:25
Arbërie Nagavci

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë se buxheti për arsimin në vitin 2023 do të jetë mbi 82 milionë euro, apo 9.7 për qind më i lartë se i këtij viti.

Në raportimin në Komisionin për Arsim të martën, pjesë e së cilës nuk ishin deputetë të PDK-së dhe të LDK-së, ministrja Nagavci paralajmëroi se shumë shpejt do të miratohet Projektligji për arsimin e lartë në qeveri. Nga ana tjetër, ajo tha se pjesëmarrja e nxënësve në kompensimin e orëve të humbura ka qenë e ulët në javët e para, porse siç tha ajo, ka shenja të përmirësimit për javët në vazhdim.

Gjatë raportimit, ministrja Nagacvci u përfshi në debat me deputetët edhe sa i përket verifikimi të titujve akademikë të profesorëve në arsimin e lartë dhe plagjiaturën.

Nagavci: Buxheti për arsim në vitin e ardhshëm është mbi 82 milionë euro

“Buxheti i paraparë për MASHT për vitin 2023 do të jetë mbi 82 milionë euro, apo 9.7 për qind më shumë se në vitin 2022. Kjo paraqet një rritje prej 12 për qind me vitin 2022, i cili vit po ashtu ka pasur një rritje prej 12 për qind në krahasim me vitin paraprak 2021... Vëmendje të veçantë i kemi kushtuar edhe përmirësimit të infrastrukturës fizike, përveç ndërtimit të disa shkollave dhe vënies së gurthemelit të disa çerdheve të reja. Jemi në bashkëpunim me komunat në mënyrë që identifikojmë hapësirat e nevojshme, qoftë tokën apo objektet të cilat mund të ri adoptohen për çerdhe. Kemi parapa edhe buxhetin e nevojshëm për vitin e ardhshëm”, tha ministrja Nagavci.

Përmes Projektligjit për arsimin e lartë, ministrja Nagavci tha se do të vendosen kritere për themelimin e institucioneve të arsimit të lartë dhe do të përcaktohen standarde dhe kushte minimale për emërimet akademike.

Nagavci: Së shpejti do të miratojmë Projektligjin për arsimin e lartë

“Kemi finalizuar Projektligjin për arsimin e lartë i cili shumë shpejtë do të votohet në qeveri dhe pastaj do të procedohet në Kuvend. Ndër risitë që i sjell janë kriteret e qarta për themelimin e institucioneve të arsimit të lartë, përcaktimin e obligimeve, strukturave qeverisë dhe institucioneve publike të arsimit të lartë. Përcaktimi i standardeve dhe kushteve minimale për emërimet akademike”, shtoi ajo.

Para deputetëve, ministrja Nagavci foli edhe për kompensimin e orëve të humbura nga greva e SBASHK-ut gjatë muajit shtator.

Nagavci: Sfidë kompensimi i orëve të humbura, gjendja po vjen duke u përmirësuar

“Vazhdon të mbetet sfidë puna dhe angazhimi për të kompensuar humbjet që janë bërë për nxënësit. Kalendari i miratuar nga ministria së paku në dy të shtunat e para ka pasur vështirësi serioze në implementim. Gjendja po vjen duke u përmirësuar dhe pres që në ditët në vijim pjesëmarrja të jetë më e madhe”, tha ajo.

Mirëpo, asaj i reagoi deputetja e AAK-së. Albena Reshitaj, e cila tha se duhet të krijohet një mundësi e realizimit dhe kompensimit të duhur të orëve.

Reshitaj: Duhet të krijohet një mundësi e realizimit dhe kompensimit të duhur të orëve

“Po rezulton me një dështim në mbajtjen e këtyre orëve të humbura. Ju e thatë se është një sfidë, por konsideroj se duhet të trajtohet dhe të rregullohet, pasi këto orë të humbura, meqenëse keni deklaruar se orët duhet të zëvendësohen për fëmijët, pasi janë ata që kanë pasur më së paku faj në gjithë këtë situatë. Duhet të krijohet një mundësi e realizimit dhe kompensimit të duhur dhe jo vetëm për të thënë se po zëvendësohen, ndërsa në realitet është duke ndodhur diçka tjetër”, deklaroi Reshitaj.

Lidhur me verifikimin e titujve të profesorëve, në kuadër të draftit fillestar të Projektligjit për arsimin e lartë, kryetari i Komisionit për arsim, Ardian Gola tha se është një nen që ka qasje paradoksale sa i përket punimeve shkencore.

“(Neni) Na futë në një situatë paradoksale meqë rast detyrohemi të bëjmë vlerësim retroaktiv të dispozitës në relacion me thirrjet që janë bërë përpara këtij ligji. Këto standarde minimale, njëri prej tyre që është se profesori i asocuar duhet të ketë minimalisht dy punime prej thirrjes së fundit, ky nuk ka qenë standard më herët. Tash hipotetikisht një thirrje që është marrë në 2010 dhe i nënshtrohet këtij standardi, automatikisht ka me ra, kam përshtypjen se mundet me u prish sistemi”, tha Gola.

Mirëpo kolegu i tij nga radhët e LVV-së, deputeti Jahja Kokaj, nuk u pajtua me këtë konstatim, pasi nënvizoi se punimet shkencore të profesorëve duhet të jenë të nivelit të standardit botëror.

Kokaj: Punimet duhet të jenë të nivelit të standardit botëror dhe pikë

“Këto që sapo e the jam shumë kundër, kategorikisht kundër. Arsyeja është se një prej nevojave të domosdoshme të zhvillimit të prosperitetit kombëtar është zhvillimi i universitetit. Komponenti kryesore është internacionalizmi. Kjo do të thotë se punimet duhet të jenë të nivelit të standardit botëror dhe pikë. Kam pas problem me kolegët, pasi ata donin të zvogëlonin nivelin e botimit, pasi ishte një revistë që pranohej më herët në Universitetin e Prishtinës... Pa punime ndërkombëtare nuk kemi universitet, pa universitet nuk kemi profesor, po them universitet të nivelit ndërkombëtar”, theksoi deputeti Kokaj.

Në debat u përfshi edhe ministrja Nagavci, e cila tha se integriteti akademik i profesorëve është shumë i rëndësishëm.

Ajo foli edhe qasjen ndaj plagjiaturës në arsimin e lartë, për të cilën kërkoi që mos të adresohet ndaj personave të caktuar, por të ketë trajtim të njëjtë për të gjithë.

Nagavci: Integriteti akademik i rëndësishëm, qasja ndaj plagjiaturës mos të adresohet vetëm ndaj personave të caktuar

“Jemi munduar me bërë maksimumin që të punojmë sa i përket integritetit akademik dhe përmirësimit të performancës dhe rritjes së konkurrencës. Ndërkombëtarizimi mbetet një ndër synimet tona... Jemi të interesuar që të kemi një qasje që përdorë kritere dhe parime për të gjithë. Në rastin konkret unë mendoj se është një numër që është drejtuar apo për të cilat është marrë vendim nga Universiteti i Prishtinës në këtë rast. Me sa di unë kanë qenë shtatë raste të adresuara, dy prej tyre janë adresuar nga Këshilli i Etikës. Masat të cilat janë dhënë për mendimin tim kanë qenë joproporcionale në raport me evidentimet që janë bërë. Për këtë arsye si ministri jemi të vendosur që të trajtohen në mënyrë të njëjtë dhe shumë profesionalizëm për të gjithë. Mos të kemi adresime nga persona apo organizata të caktuara apo vetëm ndaj personave të caktuar, por të jetë një qasje që i trajton në mënyrë të njëjtë të gjitha institucionet e arsimit të lartë”, theksoi ajo.

Në anën tjetër, deputeti Kokaj i kërkoi ministres Nagavci që të bëhet unifikim i teksteve shkollore Kosovë-Shqipëri në mënyrë urgjente.

Kokaj: Unifikimi i teksteve Kosovë-Shqipëri të bëhet në mënyrë sa më urgjente

“Unifikimi i teksteve Kosovë-Shqipëri të bëhet në mënyrë sa më urgjente. Pse vetëm abetaret, rritet jo vetëm konkurrenca, por edhe potenciali. Rritet pastaj mundësia e shfrytëzimeve të laboratorëve këtu dhe atje. Këtu nuk na pengon Evropa, neve po na pengon për atë të cilën unë jetojë dhe shpresoj pa e përjetu, bashkimin Kosovë-Shqipëri, për të cilin jam edhe në Vetëvendosje mbi të gjitha”, deklaroi ai.

Në kuadër të raportimit të saj para komisionit, ministrja Nagavci, mes tjerash tha se edukimi parafillor është i obligueshëm për gjithë fëmijët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat