​Statistikat e Arsimit të Lartë 2021/22, në këto fusha kishte interesim më të madh për regjistrim

Kosova

​Statistikat e Arsimit të Lartë 2021/22, në këto fusha kishte interesim më të madh për regjistrim

Më: 16 nëntor 2022 Në ora: 14:19
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikoi për herë të parë, raportin statistikor mbi Statistikat e Arsimit të Lartë në Kosovë, sipas fushave të studimit për vitin akademik 2021/2022.

Publikimi i të dhënave për numrin e studentëve të regjistruar, sipas fushave të studimit, është një e dhënë e rëndësishme për të bërë një krahasim rreth fushave të studimit, për të cilat po përcaktohen studentët në studimet e tyre Bachelor dhe Master.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim del se numri më i madh i studentëve të regjistruar, për herë të parë, në arsimin e lartë në nivelin Bachelor është shënuar në fushat biznes, administratë dhe ligj me gjithsej 5 184 studentë, ose shprehur në përqindje, 28.1% e numrit të përgjithshëm të studentëve.

Ndërkaq, sa i përket numrit të përgjithshëm të studentëve, të cilët ndjekin arsimin e lartë në nivelin bachelor, vërehet diferencë e madhe gjinore në fushën e Arsimit, ku nga 4 352 studentë, 92.6% janë femra dhe 7.4% janë meshkuj.

Ndërsa nga numri i përgjithshëm i studentëve të regjistruar për herë të parë në nivelin master, 1 849 studentë janë regjistruar në fushat biznes, administratë dhe ligj ose 37.2% e numrit të përgjithshëm. Ndërsa, vërehet numër i vogël i studentëve të regjistruar në fushat: bujqësi, pylltari, peshkim dhe veterinari, me gjithsej 90 studentë ose 1.8%.

Po ashtu, edhe krahasuar me numrin e përgjithshëm të studentëve, të cilët ndjekin arsimin e lartë në nivelin Master, dominon numri i studentëve, të cilët ndjekin studimet në fushat: biznes, administratë dhe ligj, me gjithsej 5 149 studentë ose 43.4% e numrit të përgjithshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat