Kastrati: Ditë jo të lehta e kanë kapluar komunën e Malishevës si pasojë e vërshimeve

Kosova

Kastrati: Ditë jo të lehta e kanë kapluar komunën e Malishevës si pasojë e vërshimeve

Më: 20 nëntor 2022 Në ora: 17:50
Pamje nga vendi i ngjarjes

Kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati, ka thënë se komuna e tyre po kalon ditë jo të lehta pasi disa fshatra janë vërshuar nga reshjet e shiut.

“Vërshimet si një fenomen natyror që janë, me vështirësi menaxhohen, jo vetëm në Malishevë por kudo në botë, dhe për këtë fakt ne kërkojmë mirëkuptim qytetar, dhe shpresojmë që dëmet të jenë sa më të vogla”, ka shkruar Kastrati në Facebook.

“Mirënjohje pa fund për bashkëpunëtorët e qeverisjes sonë komunale, trupat emergjente, institucionet shëndetësore, policinë këtu në Malishevë, operatorët ekonomikë dhe gjithë vullnetarët që po bëjnë të pa mundurën që akset rrugore të jenë të kalueshme dhe qytetarët të marrin shërbimet e nevojshme”, ka shtuar tutje i pari i Malishevës.

Dryshe, për shkak të reshjeve të shiut në disa komuna të Kosovës raportohet për vërshime dhe vështirësi në qarkullim.

Pas reshjeve të mëdha që shkaktuan edhe vërshime në shumë pjesë të vendit, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook tha se janë duke e monitoruar situatën në terren.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës në një njoftim më 18 nëntor ka thënë se reshjet e shiut me intensitet dhe shtrirje të ndryshme territoriale pritet të vazhdojnë deri të hënën më 21 nëntor.

Më të theksuara reshjet e shiut, sipas Institutit do të jenë nëpër disa pjesë të Kosovës, sidomos në Gjakovë, Junik, Deçan, Pejë, Istog, Klinë, Malishevë, Rahovec dhe vende tjera.

Sipas Institutit këto reshje mund të krijojnë kushte për vërshime të shpejta, të cilët mund të shkaktojnë vështirësi dhe probleme, sidomos tek rrjedhat lumore me karakter malorë në formë të rrëkeve të shpejta, duke shkaktuar rrëshqitje të dheut, mbyllje të sistemit të kanalizimeve dhe vështirësi në qarkullim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat