Kundërshtohet heqja e emrit të Hasan Prishtinës nga UP-ja

Kosova

Kundërshtohet heqja e emrit të Hasan Prishtinës nga UP-ja

Më: 2 maj 2023 Në ora: 13:19
Pamje nga UP-ja

Fondacioni “Hasan Prishtina”, Shoqata “Luma” nga Kukësi dhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup (ITShKSh), me anë të një aksioni simbolik, kanë kundërshtuar propozimin e heqjes së emrit të Hasan Prishtinës nga Universiteti i Prishtinës.

Profesori Shefqet Hoxha, përfaqësues i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Luma”, foli për jetën dhe veprën e Hasan Prishtinës, duke e quajtur çmenduri propozimin për heqjen e emirit të tij nga UP-ja.

Madje sipas tij, as populli nuk do ta pranojë një gjë të tillë.

“Hasan Prishtina ishte organizator i protestave të vitit 1915 dhe punoi pareshtur për çlirimin e territoreve të Kosovës. Hasan Prishtina jeton në zemrat e kuksianëve, i lavdishëm qoftë kujtimi i tij”.

“Të hiqet emrin prej këtij Universiteti për mua është një çmenduri, sepse është një prej figurave më të ndritshme të Kosovës dhe Shqipërisë. Populli nuk do ta pranojë këtë. Kategorikisht nuk duhet t’i hiqet emri Universitetit të Prishtinës”.

Nipi i Hasan Prishtinës, Mehmet Prishtina, që përfaqëson edhe Fondacionin “Hasan Prishtina”, i ka kërkuar rektorit të UP-së që të tërhiqet nga ky propozim e të merret me cilësinë e arsimit në këtë institucion, raporton EO.

Madje ai ka kërkuar që të largohet nga pozita rektori i ri, duke e quajtur këtë nismë si të pakuptimtë.

“Mos na e prekni Hasan Prishtinën”, u shpreh ai i revoltuar duke e quajtur ofendimin më të rëndë për heroin, heqjen e emrit të tij nga UP-ja.

“Kemi ardh sot këtu që ta kundërshtojmë rreptë iniciativën e rektorit të UP-së që ta tërheqë emrin e Hasan Prishtinës nga Universiteti. Pra, sot kemi ardh me i thënë stop, mos na e prek Hasan Prishtinën. UP-ja ka probleme të tjera, ai duhet që të merret me ngritjen e cilësisë së arsimit”.

Sipas Prishtinës, rektori e ka nisur mbrapsht reformën arsimore, e cila është e nevojshme, por jo edhe heqja e emrit të “kolosit tonë ndërkombëtar”.

“Një nismë e një rektori të porsazgjedhur duhet të përfundojë me largimin e tij. Ai e ka nisur mbrapsht reformën. Reformat rrënjësore janë të nevojshme, por ata duhet të nisen mbarë dhe jo me heqjen e emrit të kolosit tonë ndërkombëtar. E dimë të gjithë se Hasan Prishtina ishte arkitekt i Shqipërisë. Ai ndau gjithë pasurinë e tij që t’i shkollojë nga të gjitha trojet etnike djemtë që i ka dërguar në Normalen e Elbasanit”.

“Kjo është e pakuptimtë për të gjithë shqiptarinë. Le të dalë dhe të shpjegojë arsyen e heqjes së emrit. Të gjitha grupet e partive politikë kanë shprehur gatishmërinë që të vijnë sot këtu, si dhe unionet e studentëve, por ne kemi zgjedhur që ta dërgojmë mesazhin tonë në mënyrë të qetë. Edhe njëherë, mos na e prek Hasan Prishtinën! Ofendim më i rëndë mund të bëhet që pas 11 vitesh të hiqet emri i tij”.

Kryetari i ITShKSh-së, Skender Asani, ka paralajmëruar kryeministrin Albin Kurti se do të këtë manifestime nga Kukësi në mbarë trojet shqiptare në kundërshtim të këtij propozimi të çoroditur.

“Është një moment që udhëheqësi e Universitetit të Prishtinës duhej të sillej ndryshe, kur jemi në prag të 90 vjetorit të vdekjes dhe 150 vjetorit të lindjes së Hasan Prishtinës. Kryeministrin e Kosovës e paralajmërojmë se do të ketë manifestime që nga Kukësi e në mbarë trojet shqiptare”.

“Në 150 vjetorin e lindjes së tij, në Shkup dhe gjithë Maqedoninë e Veriut do ketë manifestime ku do të përurohet edhe bulevardi në Shkup me emrin e Hasan Prishtinës. Në vend që rektori të shpalostë manifestime për Hasan Prishtinën, del me një ide të çoroditur për ta ndërruar emrin e Universitetit të Prishtinës. Hasan Prishtina nuk reshti për Kosovën dhe gjithë çështjen shqiptare. Pas vdekjes së tij, u vazhdua fryma e tij. Një propozim i tillë e shlyen historinë dhe Hasan Prishtina është shtylla kryesore e çështjes”.

Profesori i Historisë, Bujar Dugolli, tha se nëse kjo është  një nismë politike duhet që të diskutohet në Kuvend dhe se janë të gatshëm që të argumentojnë për figurën e Hasan Prishtinës.

“Fati i mirë është që asnjë instancë e Universitetit nuk ka vendosur për një gjë të tillë. Në rast së është ndonjë nismë politike le ta diskutojnë në Kuvend. Jemi të gatshëm qe të argumentojmë se është figura më e ndritur e historisë së Kosovës, por jo vetëm”.

“E dimë se është një universiteti paralel në pjesën veriore që mban mësim në gjuhën serbe, por nuk është i njohur ligjërisht. Nuk duhet që ky institucion ta ndërrojë emrin, por ai. Ky është shqetësim edhe i studentëve dhe i stafit akademik. Është dashur të ketë debat kur është emëruar, e jo pas 11 vitesh”.

Pjesëmarrësit gjatë aksionit vendosen edhe kurora lulesh para bustit të Hasan Prishtinës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat