Gjykimi për vrasjen e rëndë në Klinë, ekspertët e AKF-së tregojnë gjetjet në provat e lëndës

Kosova

Gjykimi për vrasjen e rëndë në Klinë, ekspertët e AKF-së tregojnë gjetjet në provat e lëndës

Më: 4 korrik 2023 Në ora: 18:00
Foto ilustrim

Në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Pejë, në gjykimin ndaj të akuzuarit për vrasjen e V.B., Fatlum Deliu, ekspertët e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë (AKF), Sokol Dedaj,

Lutfi Ismajli dhe Lutfi Raci, sqaruan ekspertizat e tyre të grimcave të barotit, ADN-së dhe Balistikës.

Për grimcat e barotit, eksperti Dedaj tha se në dy mostrat e dërguara, ka munguar prezenca e grimcave unike të barotit, çka rezultoi negativ, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përpiluesi i ekspertizës për grimcat e barotit, eksperti Sokol Dedaj tha se ata e bëjnë përshkrimin sipas kualifikimit të paketimeve të përshkrimeve, e në rastin konkret tek dy dëshmitë e paketuara tha se brenda kanë pasur një disk të karbonit që është mjet për mbledhjen e grimcave të dyshuara të barotit nga personi që dyshohet apo mund të ketë shtënë me armë zjarri.

“Në rastin konkret, pasi që mostrat janë marrë me disk karboni, atëherë mostrat janë nënshtruar përmes mikroskopit skanues apo siç e kanë emërtuar ata analizimi dhe identifikimi i mbetjeve të grimcave të barotit nga kapsola inicuese pas qitjes me armë të zjarrit përmes metodës me mikroskop magnetues”, tha eksperti Dedaj.

Ai tha se sa i përket kërkesës për ekzaminim, ato dy dëshmi kanë qenë dëshmitë e vetme, ndërsa lidhur me përshkrimin e zinxhirit të provave tha se kishin vërejtur se ka pasur edhe prova të tjera për ekzaminim në laboratore apo fusha tjera, në ADN, Balistikë dhe në tjera.

Eksperti Dedaj theksoi se grimcat e barotit mbesin pas shkrepjes me armë dhe zakonisht gëzhojat e dala nga arma pas gjuajtjes me armë, nuk iu sjellen për ekzaminim të grimcave të bartotit.

Ai tha se ato prova iu janë nënshtruar ekzaminimit me mikroskop elektronik skanues, metodë kjo që bëhet me tri mbetjet, të cilat janë pjesë përbërëse e mbushjes së kapsolës inicuese dhe unike.

Eksperti tha se është plumbi, antimoni dhe variumi, të cilat janë unike dhe në këto prezenca e tyre kërkohet pas gjuajtjes dhe shkrepjes me anë të armës.

“Në rastin konkret, ka mungu prezenca e këtyre elementeve dhe rezultati ka qenë negativ për përmbajtjen e këtyre grimcave unike”, tha eksperti Dedaj.

Eksperti Dedaj tha se ka raste kur vijnë rrobat e personit të dyshuar dhe rrobat e viktimës dhe ato i ekzaminojnë varësisht prej kërkesave dhe rrethanave që kërkohen, por në rastin konkret kanë qenë vetëm dy mostra dhe nuk është kërkuar për ekzaminim edhe pse ka pasur rroba si provë.

Ai tha se zakonisht provat pranohen nga zyrtarë përgjegjës përpranimin e provave në Agjencia e Kosovës për Forenzikë, të cilët bëjnë evidentimin e tyre dhe shpërndarjen e tyre në fushat e ekzaniminimit pavarësisht kërkesave, urdhëresave nga mekanizmat kompetent.

Eksperti tha se grimcat e barotit merren dhe trajtohen 4-5 orë pas rastit, si element shumë i rëndësishëm.

Më pas, u dëgjua eksperti i ADN-së, Lutfi Ismajli, punonjës për analiza biologjike në Agjencionin e Kosovës për Forenzikë, në këtë rast përpilues i ekspertizës së ADN-së.

Sipas ekspertit Ismajli, në urdhëresë fillimisht kishin qenë të renditura gjithsej 14 prova, dhe se në dëshminë 7 tha se nuk ishte identifikuar ADN me origjinë njerëzore. Ai shtoi se kjo nënkupton se jo çdo herë nga çdo provë mund të fitojnë ADN dhe ta nxjerrin profilin.

“Jo çdo herë mundem të nxjerrim ADN në çdo send që mund të prek njeriu”, tha eksperti Ismajli.

Eksperti tutje deklaroi se nga konstatimi i disa proave të dëshmisë 4 dhe 5, është fituar një profil i njëjtë i ADN-së së një personi të panjohur, i gjinisë mashkullore.

I panjohur tha sepse sipas tij ata i kanë pasur dy strandarte të dy personave të njohur, është krahasuar me ta dhe nuk është përputhur dhe ka mbetur si i panjohur derisa të krahasohet me ndonjë person të njohur eventual në të ardhmen.

Më pas, ai tha se nëse bëhet krahasimi në bazë të përvojës së tij duke i analizuar profilet, ky profil i fituar nga dy provat 4-5, me gjasë supozoi se mund të jetë vëllau i Valdrin Balajt, e kjo në bazë të ngjashmërisë së profileve në mes të vëllezërve.

Ai shtoi se për t’u krahasuar ato duhet të sjellen mostrat e profileve standarte dhe ai tha se kanë konstatuar vetëm ato që i kanë ardhur.

Pas tij, u dëgjua edhe eksperti i Balistikë, Lutfi Raci, i cili tha se ata i përgjigjen kërkesës së Prokurorisë dhe përpilojnë ekspetizë në bazë të pyetjeve të cilat ata i parashtrojnë, ndërsa tha se nuk kishte qenë prezent në vendin e ngjarjes.

I pyetur se a kishte qenë prezent gjatë autopsisë, ai tha se kishte qenë mirë që të ftohet nga ana e mjekësisë ligjore, por ata duke vepruar sipas kërkesës nuk kishin qenë pjesëmarrës.

“Jo çdo herë kërkohen shkresat tjera të lëndës dhe nuk kanë qenë pjesë shkresat e lëndës, kishte qenë mirë të kemi më shumë informata nga ana e mjekësisë ligjore”, tha eksperti Raci.

Kryetarja e trupit gjykues Nushe Kuka-Mekaj, e pyeti se a kërkojnë prova shtesë nese ka dilemë në mes dy apo tre personave, ai tha se për ta nuk është me rëndësi se kush ka qenë i involvuar, një apo dy persona.

“Në bazë të këtij rezultati, kemi ardhur në përfundim se nga dëshmitë 1-2-3-6 me gëzhojat e qitura nga dëshmia 7 nga krahasimet e kryera janë të qitura gëzhojat nga deshmia 7”, tha eksperti Raci.

Sipas tij, në përshkrimin e detyrave të tij si ekspert i Balistikës, e bëjnë edhe rikostruimin por me urdhëresë të Prokurorisë, por në atë urdhëresë ai tha se nuk ka qenë e parashtruar.

Eksperti tha se ata mund të nxjerrin konkluzion nga eksplozivët lidhur me prezencën apo mosprezencën e grimcave të barotit të nxjerra apo të hequra nga vendi i ngjarjes dhe mund të thonë se distanca ka qenë e afërt apo e largët.

Sipas tij, nëse plaga ka qenë nga prapa dhe dalja përpara, pozita e kryerësit ka qenë nga ana e pasme, dhe nëse janë konstatuar faktorët ekspozues të qitjes me armë përreth plagës, distanca ka qenë deri në një metër dhe nëse është përdorë arma e shkurtë apo pistoleta, ndërsa nëse nuk ka prezencë të këtyre, distanca ka qenë në mbi një metër.

Por sipas ekspertit Raci, në rastin konkret ka qenë afër dhe me armë të shkurtër.

Arma objekt i ekzaminimit tha se është një pistoletë, e cila i realizon qitjet në gjysmë automatike dhe pas çdo tërheqje të këmbëzes bëhet qitja.

Tuje, ai shtoi se në karikator nuk ka pasur municion, por ka pasur fishekë për të njëjtin kalibër dhe armë, e gjithashtu shenjat në bazë të fishekve tregojnë prodhuesin dhe kalibrin që në rastinkonkret tre nga fishekët kanë qënë nga prodhuesit e njëjtë dhe një nga një prodhues tjetër.

Pas kësaj, seanca u ndërpre për shkak të angazhimit gjykatëses Kuka-Mekaj dhe e radhës tha do të caktohet në vazhdim.

Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur më 4 korrik 2022 nga Prokuroria Themelore në Pejë, i pandehuri Fatlum Deliu ngarkohet se më 16 qershor 2021, në Klinë ka privuar nga jeta V.B., dhe me dashje ka vënë në rrezik jetën e personave tjerë për shkak të një mosmarrëveshje të vazhdueshme për rreth një javë që kishin me Valdrin Balaj, vëllain e tani të ndjerit V.B.

Sipas aktakuzës, i pandehuri kishte qenë nën shoqërimin e vëllait të tij të mitur dhe vërejnë vëllezërit V.B dhe Valdrin Balaj, ku pastaj i pandehuri nga brezi nxjerr revolen e tij të tipit “M57” dhe në distancë rreth 20 m shtie tri herë në drejtim të viktimës duke e goditur atë me një predhë në pjesën e pasme të kokës dhe duke e rrezikuar edhe jetën e V.B.

Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga 173, par.1, pika 1.5 të Kodit Penal.

Po ashtu, i pandehuri ngarkohet për armëmbajtje pa leje dhe atëpistoletë të llojit “M57”, një karikator dhe katër fishekë.

Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, par.1 të KPRK-së.

Kurse, i mituri R.D., sipas Prokurorisë ngarkohet për përdorimtë armës dhe armëmbajtje pa leje, pasi thuhet se kur vëllai i të ndjerit kishte filluar të ikte, kishte shtënë më armë në ajër sepse frikësohej se mund të sulmohej. /BetimipërDrejtësi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat