Pavarësisht rritjes së sipërfaqes me grurë, fermeri nga Arllati parashikon humbje

Kosova

Pavarësisht rritjes së sipërfaqes me grurë, fermeri nga Arllati parashikon humbje

Më: 29 korrik 2023 Në ora: 14:21
Fermeri, Hajredin Bujupi

Fermeri, Hajredin Bujupi nga fshati Arllat i Drenasit, ndonëse sivjet ka rritur sipërfaqet e mbjella me grurë, parashikon që të ketë ketë humbje, shkaku i rënies së çmimit.

Fermeri Bujupi që kultivon drithërat prej më shumë se dy dekadash, nga pesë hektarë sa kishte më herët, këtë vit ai e rritur numrin në 12 hektarë. Ai vlerëson se ndihma e shtetit është e pamjaftueshme. Në rast se vazhdon kështu, ai nuk premton se do të merret me bujqësi në vitet e ardhshme.

Duke folur për vështiresitë, Bujupi thotë se breshëri që ka rënë para disa ditëve ka dëmtuar rreth 10 për qind të sipërfaqeve të mbjella.

Bujupi: Këtë vit kam rreth 12 hektarë të mbjellë me grurë, ndërsa vitin e kaluar kanë qenë rreth pesë hektarë

“Këtë vit kam rreth 12 hektar të mbjellë me grurë, ndërsa vitin e kaluar kanë qenë rreth pesë hektarë. Ky vit është pak më i mirë, por breshëri që ka rënë para disa ditëve e ka dëmtuar, diku rreth 10 për qind të drithit e ka dëmtuar. Por, për momentin ende nuk kemi arrit të përfundojmë gjithë sipërfaqen, kemi fshirë rreth pesë hektarë dhe janë dorëzuar rreth 15 mijë kilogram janë dorëzuar...Por, sivjet çdo gjë ka filluar më vonë, edhe te gruri jemi për dy javë me vonesë, edhe pjesën e sipërfaqes që kemi pas për misër jemi rreth 3 javë me vonesë...”, thotë Bujupi.

Derisa thotë se sfidë kanë qenë edhe çmimet e larta, fermeri Bujupi shton se nuk shpreson që këtë vit të marrë rendimentin me grurë, të cilin e ka pritur.

Bujupi: Sivjet janë shumë më të larta, janë rreth 30 centë më shumë për naftë që shpenzojmë

“Sivjet janë shumë më të larta, janë rreth 30 centë më shumë për naftë që shpenzojmë, por edhe për hektarë rreth 30 euro shpenzojmë më shumë hektar, 130 euro e kemi hektarin sivjet për me fshi...Në fitim nuk mund të themi se jemi, sepse nuk kemi mbërri atë që kemi dashtë. Nëse edhe sipërfaqja tjetër paguan sikur sipërfaqja tjetër, jemi rreth 3 mijë kilogram për hektar, jo më shumë...Për rreth 12 hektarë rreth 30 mijë kilogramë rendimenti...Investimet e mëdha janë shumë, në bujqësi për momentin kush i ka mjetet teknike ka llogari diçka, ndërsa momentin kur paguan çdo gjë, nuk ja vlen të merresh me bujqësi”, shprehet Bujupi.

Duke renditur sfidat, brengë për Bujupin është edhe rënia e çmimit të drithit.

Bujupi: Është zvogëluar edhe çmimi, kilogrami i drithit është rreth 22 centë

“Është zvogëluar edhe çmimi, kilogrami i drithërit është rreth 22 cent, ndërsa vitin e kaluar ka qenë rreth 35 centë...Ndërsa, 70 për qind e tokës është me qira...150 euro hektari”, thotë mes tjerash Bujupi.

Sipas tij, nëse qeveria nuk i ndihmon bujqit më shumë, shumica e tokave do të mbesin të papunuara.

Bujupi: Qeveria nëse nuk fillon t’i përkrahë bujqit më shumë, fermerët e vogël nuk do të ekzistojnë

“Me sivjet qysh po shihet që pjesa më e madhe dërmuese që kanë rreth 50 ari nuk i kanë punuar hiç, se nuk kanë llogari të paguajnë çdo gjë. Viti që vjen do të jetë shumë problem për bujqësi, bile fermerët e vogël që janë nuk do të merren më, sepse nuk ja vlen...Unë nuk them se nuk do të merrem edhe njëherë të provoj, sepse e kam stallën, por që vazhdon edhe viteve tjera kështu, ka mundësi të ndërprej edhe unë...Pra, qeveria nëse nuk fillon t’i përkrah bujqit më shumë, vitet e ardhshme, bile fermerët e vogël nuk do të ekzistojnë”, përfundon Bujupi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat