“Dita e Gështenjës”, Haradinaj: Deçani ka shumë resurse e potencial

Kosova

“Dita e Gështenjës”, Haradinaj: Deçani ka shumë resurse e potencial

Më: 20 tetor 2023 Në ora: 15:58
Ramush Haradinaj

Të rrethuar nga peizazhi i gjelbër, e nën tingujt e valles së xhubletës e asaj tradicionale malësore, në Deçan sot u mbajt festa tradicionale për shënimin e “Ditës së Gështenjës”.

Ky manifestin kulturor është bërë tashmë tradicional, pasi po bëhet viti i pestë që po shënohet një ditë e tillë.

Në një fjalë rasti, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj e quajti simbol të Deçanit gështenjën, për të cilën tha se dikur ka qenë mjaft e respektuar.

Haradinaj: Deçani ka shumë resurse e potencial

“Gështenja në Deçan është simbol, dhe dikur ka qenë mjaft e respektuar jo vetëm si ushqim, jo vetëm si e ardhur, por të hyra për familje dhe mirëqenie…Ka qenë ceremoni e jashtëzakonshme, momenti i parë i përballjes i paqes. Gështenjat e para kur kanë mbërri në familje, në dorën e secilit prej nesh, për vete e di ka qenë një ngjarje e madhe. Tradita e mikpritjes, siç u tha, është e shquar. Resurset janë vërtet këto që i shihni. Deçani ka shumë mundësi, resurse, potencial dhe është i rëndësishëm bashkëpunimi në nivel qendror e komunal, që e falënderoj edhe ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe të gjithë instancave për çdo përkrahje që i japin Deçanit”, u shpreh Haradinaj.

Këtë organizim e vizitoi edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili tha se “Dita e gështenjës” është një manifestim i të mirave, begative dhe traditave lokale.

Çeku: Dita e gështenjës është një manifestim i të mirave e begative

“Dita e gështenjës është një manifestim i të mirave, begative, i traditave lokale, i produktit tipik vendor ushqimor. Është momenti kur ne e festojmë jetën, begatinë, harmoninë ndërnjerëzore dhe aktivitetet e sotme për ta shënuar Ditën e Gështenjës në Deçan vijnë me iniciativën e dhe organizimin e Komunës së Deçanit dhe kryetarit të komunës, të cilin e përgëzoj për këtë rëndësi qe ia jep trashëgimisë kulturore dhe asaj shpirtërore…Dua të shpreh mirënjohje për të gjithë ata, jo vetëm institucionet, por edhe njerëzit që përmes shoqatave, përmes aktivitetit, artizanateve dhe punës së palodhshme, ndonëse me shumë sfida e sakrificë e mirëmbajnë traditën dhe shpirtëroren, qe është elementi më i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore të Kosovës”, tha ministri Çeku.

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj tha se duhet punuar më shumë për të krijuar besim e kushte banorëve të kësaj komune që t’iu mundësohet një jetë sa më e mirë.

Ramosaj: Me resurset që kemi t’iu krijojmë njerëzve motiv të jetojnë në Deçan

“Ky vend është bërë për të shpërfaqë një traditë, një trashëgimi, një kulturë që Deçani e meriton. E kam thënë shpesh, po e them prapë, kemi rilindur në këtë qytet. Kujt i kujtohet 99’-ta, asnjë shtëpi nuk ka qenë me kulm në këtë qytet, përtej dhimbjeve të mëdha është dashur ta rilindim jetën… Situata në të cilën jemi, e kërkon një përkushtim maksimal për ne që kemi marrë pozita dhe besimin e qytetarëve tonë, sepse jemi në momentin kur në një qytet që Zoti ka falë gjithçka, e ka bekuar me potenciale, me resurse me shume pasuri, është në mandatin tonë e duhet të jetë përkushtim i yni që këto resurse të futim në funksion, t’i krijojmë njerëzve besim, motiv e shpresë që të jetojnë në këtë qytet”, tha Ramosaj.

Ndërsa, kryetari i Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi tha se historikisht Deçani është gardian i traditave dhe kulturës sonë.

Kllokoqi: Historikisht Deçani ka qenë gardiani i traditave dhe kulturës sonë

“Historikisht Deçani ka qenë gardiani i traditave dhe kulturës sonë… Bujaria, mikpritja dhe dashamirësia që jep kjo pjesë e Dukagjinit, duke u gërshetuar me këtë natyrë të bukur dhe këto investime të mira dhe të qëlluara, ia rritin namin Kosovës, e zhvillojnë turizmin malor, sjellin turistë. Kjo është e ardhmja e Kosovës”, tha Kllokoqi.

Në kuadër të këtij organizimi u ekspozuan disa piktura nga studentë dhe artistë të ndryshëm që erdhën nga Shqipëria pikërisht në nder të festës së “Ditës së Gështenjës”.

Përndryshe, banorët e Deçanit të cilën po shitnin gështenjat, u shprehën se këtë vit kualiteti dhe prodhimtaria ka qenë më e dobët, për shkak të motit të papërshtatshëm, derisa kilogrami i tyre varionte nga 3 deri në 5 euro.

Deçani njihet për hapësira me gështenja, të cilat në shumë raste edhe sigurojnë jetesën e banorëve të fshatit Belle dhe fshatrave të tjetra përreth.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat