​Vihet gurthemeli për mbindërtimin e QKMF-së në Obiliq

Kosova

​Vihet gurthemeli për mbindërtimin e QKMF-së në Obiliq

Më: 7 dhjetor 2023 Në ora: 12:43
Obiliq

Është bërë vendosja e gur-themelit për ndërtimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Komunën e Obiliqit. Në këtë projekt që kushtoi mbi 500 mijë euro, familja Al-Khaja nga Katari, kontribuoi me rreth 390 mijë euro, ndërkaq pjesa tjetër u financua nga komuna.

Vënia e këtij gur-themeli u mundësua si rezultat i nënshkrimit të memorandum bashkëpunimit në mes Komunës së Obiliqit dhe shoqatës “Qëndresa Kosovare”.

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi tha se kjo nuk është hera e parë që obiliqasit po përfitojnë nga ky donator, derisa tregoi se kohë më parë ishte dhuruar edhe një rëntgen nga po të njëjtit vullnetmirë.

Gashi shtoi se nga ky donacion, qendrës emergjente do t’i shtohet një kat e gjysmë hapësirë, për çka tha se do të përmirësojë gjendjen aktuale në shtëpi të shëndetit.

Gashi: Projekti mbi 500 mijë euro për mbindërtimin e QKMF-së, rreth 390 mijë donacion

“Faleminderit donatorit projekti, është 512 mijë euro ose 508 mijë euro. 390 mijë euro i ka dhënë donatori dhe 110 mijë euro komuna. Angazhimi i Hakiut dhe Islamit ka qenë i vazhdueshëm dhe me donatorin ju e dini që jemi përfitues prej të njëjtës familje edhe rëntgenin dhe tani kanë shprehu gatishmëri duke e parë gjendjen të cilën e keni me përmirësuar ndërtimin një kat e gjysmë me hapësirë nga rreth dy herë më shumë se që është aktual. Unë shpresoj që të gëzoni, me rëndësi puna me u nis, pjesa tjetër gradualisht e bëjmë bashkërisht", tha Gashi.

Ndërkaq, drejtori i QKMF-së, Haki Jashari, vënien e gurthemelit e konsideron si ditë të veçantë për shëndetësinë e Komunë së Obiliqit. Ai tha se ky investim ka qenë i nevojshëm, ngase sipas tij, kjo do t’i ndihmojë stafit për ta kryer punën më lehtë, por gjithashtu do të ndikojë pozitivisht edhe te pacientët.

Me rastin e vënies së gurthemelit të këtij projekti, Jashari falënderoi donatorin, drejtorin ekzekutiv të shoqatës “Qëndresa Kosovare” dhe kryetarin e Obiliqit, Xhafer Gashi.

Jashari: Është ditë e veçantë për shëndetësinë e komunës së Obiliqit

“Është ditë e veçantë për shëndetësinë e Komunës së Obiliqit. Vërtetë kemi pas nevojë për zgjerimin e hapësirave të infrastrukturës në mënyrë që edhe stafi të kenë një punë të dinjitetshme e në veçanti edhe qytetarët tonë pacientë. Në këtë rast, duhet falënderuar shumë familjen bujare të Katarit, drejtorit ekzekutiv i Qëndresës, Islam Cakaj, po ashtu edhe kryetarin e komunës që e kemi pasur gjithmonë motiv dhe forcë shtytëse për të vazhduar përpara, po ashtu edhe një falënderim të veçantë edhe drejtoreshës së shëndetësisë, Bleona Shabanaj", potencoi Jashari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat