​Përkujtohen heronjtë Rexhep Mala e Nuhi Berisha në 40-vjetorin e rënies

Kosova

​Përkujtohen heronjtë Rexhep Mala e Nuhi Berisha në 40-vjetorin e rënies

Më: 11 janar 2024 Në ora: 19:26
Foto ilustrim

Rënia e heronjve Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës ishte mobilizim dhe frymëzim për të mbajtur epitetin e lartë të familjeve të dëshmorëve në luftën për liri dhe pavarësi të popullit të Kosovës në përballjen me ish-regjimin serb.

Kështu u tha sonte në një akademi përkujtimore me rastin e 40-vjetorit të rënies së Nuhi Berishës dhe Rexhep Malës, organizuar nën përkujdesjen e Qeverisë.

Kryeministri Albin Kurti me këtë rast ka folur mbi figurën e heronjve Mala e Rexhepi si pjesë e rezistencës dhe përpjekjeve të popullit shqiptar të Kosovës për liri e pavarësi. Ai ka cituar edhe pjesë nga libri “Qëndresa - kujtime nga burgu” të Rexhep Malës, të shkruar mes viteve 1975-1983.

Kurti: Serbia aplikoi tortura çnjerëzore ndaj të burgosurve politikë

“Duke nënvizuar kujtimet e Rexhep Malajt, një nga gjërat vura re ishte që paragrafët që dikur i kisha nënvizuar me të kuqe gjatë leximit të parë, disi përkonin me situatën, dukuri që i njihja mirë edhe nga periudha ime e burgosjes nga regjimi pushtues dhe fashist serb nga prilli 1999 deri në dhjetor 2001. Të burgosurit politikë të të gjitha periudhave të shtypjes, të përndjekjes, të shfrytëzimit në ish-Jugosllavi nga Serbia, shumë prej të cilëve jeni këtu sonte bashkë, e dinë mirë se për çka e kam fjalën. E thënë në mënyrë të kushtëzuar ekziston një sikur shkencë, një kuazi shkencë e tërë me praktika të përbindshme e me teknika çnjerëzore të torturave fizike dhe trysnive psikike të cilat janë zhvilluar dhe aplikuar nga regjimi kriminal i Serbisë mbi mijëra e mijëra të burgosur shqiptarë gjatë atyre pesë dekadave e gjysmë sa Kosova ishte e pushtuar nga Serbia dhe mbahej nën Jugosllavi, e të cilët u shndërruan në 666 shekuj burg”, ka thënë Kurti.

Kurti përndjekjen dhe dhunën sistematike të shtetit serb ndaj veprimtarëve shqiptarë për liri e pavarësi e ka quajtur një inkuizicion politik gjatë shekullit 20.

Kurti: Rexhep Mala njihte mirë historitë e burgut të shokëve

“Rexhep Mala në kujtimet e tij të burgut shkruan kështu: Një polic që të nesërmen do të mësoja se ishte hetuesi im kryesor, kur hyri brenda më pyeti: Ti je Shpëtim Guri, a? Po, i thashë. Duke u zgërdhirë, më tha: Në shtëpi e bëjnë miellin bukë, e ne këtu e bëjmë bukën miell. Mbaje mend këtë! Qeshi me fjalët e veta si i marrë dhe iku. M’u kujtuan fytyrat e Gestapos hitleriane që i kisha parë në filma”. Dhe, vërtet të atilla ishin dhe Rexhep Mala ishte i vetëdijshëm për këtë, sepse i njihte mirë historitë e burgut të shokëve të gjeneratave të mëhershme siç kuptohet edhe nga këto shënime të tij mbi anën monstruoze të shërbimit sekret të UDB-së... Nata e 11 janarit 1984 i kishte gjetur bashkë Rexhep Malën e Nuhi Berishën në një bazë ilegale në Prishtinë dhe të dy bashkë rezistuan të armatosur në përballje me policë të Serbisë derisa u vranë atë natë këtu e 40 vjet më parë”, ka thënë Kurti.

Një fjalë rasti në emër të familjeve Mala dhe Berisha ka mbajtur e bija e Rexhep Malës, Fitore Mala.

Mala: Rënia e Malës e Berishës ishte mobilizim e frymëzim për ne

“Ashtu si sot e 40 vjet më parë për ne familjarët mbetet i freskët kujtimi për ta. Qe atëherë, vendi ishte shndërruar në forcë, sepse rënia e tyre ishte ngritja, mobilizim, frymëzim edhe për ne për të mbajtur epitetin e lartë të familjeve të dëshmorëve, gjë e cila nuk ka qenë aspak e lehtë për 20 vjetët nën rrethanat e okupimit, por hiq më pak edhe 20 vjet të tjera pas çlirimit, në rrethana krejtësisht të reja ku familjeve tona iu bashkuan edhe qindra-mijëra familje që dhanë më të shtrenjtën e tyre”, ka thënë Mala.

Në këtë akademi për jetën dhe veprën e heronjve Mala e Berisha kanë folur edhe bashkëveprimtari Mehmet Hajrizi, bashkëpunëtori i heroit Nuhi Berisha, Gafurr Elshani dhe bashkëvuajtësi i burgut me Rexhep Malën, Skënder Kastrati.

Ndërmjet 11 e 12 janarit 1984, Rexhep Malaj 33-vjeç, pa u bërë tetë muaj që u lirua nga burgu i rëndë nëntëvjeçar, bashkë me shokun e tij Nuhi Berisha, i cili asokohe ishte student 23-vjeç dhe pjesëmarrës i demonstratave 1981, ranë heroikisht në luftim me forcat serbe në “Kodrën e Trimave” në Prishtinë.

Ndryshe, gjatë ditës kryeministri Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Kulturës Hajrullah Çeku, ka qëndruar në shtëpitë e familjeve të Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës, dhe shtëpinë e Rexhep Malës e ka shpallur aset i mbrojtur i trashëgimisë kulturore. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat