​Dragashi i ngulfatur sa i përket zhvillimit ekonomik

Kosova

​Dragashi i ngulfatur sa i përket zhvillimit ekonomik

Më: 18 shkurt 2024 Në ora: 11:53
Bexhet Xheladini

Të ngulfatur rreth zhvillimit ekonomik po konsiderojnë se janë në Komunën e Dragash, pasi në vitin e kaluar kishin pasur shumë kërkesa dhe donatorë, të cilët kanë dashur të investojnë me milionë euro në blegtori, turizëm dhe energji të ripërtëritshme, mirëpo për shkak të mungesës së pronës, këta investitorë janë kthyer mbrapsht.

Kështu bënë të ditur kryetari i Komunë së Dragashit, Bexhet Xheladini, derisa vlerëson si projektin më madhor atë të ujësjellësit.

Xheladini flet edhe për “fatin” e pronave të komunës, si dhe vendimin e Asamblesë Komunale të Dragashit, që pronën e cila përfshinë Parkun Nacional, të bartet nga Agjencia Kosovare e Privatizimitm (AKP) në pronë komunale, bëri që kjo e fundit të dërgojë padi në gjykatë.

Ndër të tjera, i pari i Dragashit, gjatë intervistës përmend edhe mbështetjen jo të mjaftueshme nga qeveria për këtë komunë, për çka potencon nevojën e miratimit të grantit të katërt, ngase sipas tij, kështu do të bëhej një barazi financiare mes komunave.

Xheladini: Besoj që vitin e ardhshëm do ta funksionalizojmë ujësjellësin

"Projekti i ujësjellësit është projekti më madhor të cilin e kemi filluar. Ky projekt do të kushtojë diku afër 4 milionë euro. 3 milionë e gjysmë euro i kemi siguruar nga buxheti komunal. Në vitin e kaluar kemi filluar fazën e tretë të projektit, rrjetin, tash brenda muajit planifikojmë të shpallim edhe tenderin tjetër, fazën e katërt, ndërtimin e impiantit për përpunimin e ujit të pijshëm, i cili do të kushtojë diku mbi 1 milion euro. 500 mijë euro nga buxheti jonë i kemi ndarë, këtë do ta shpallim projekt dy vjeçar dhe besoj që vitin e ardhshëm, para zgjedhjeve do ta lëshojmë në punë ujësjellësin madhor për 15 fshatra dhe qytezën e Dragashit", theksoi Xheladini.

Përveç kësaj, kryetari i Dragashit, Bexhet Xheladini tha se për shkak të padisë së AKP-së, ndaj komunës për disa prona, është detyruar që t’i kthejë mbrapsht disa investitorë.

Ai thotë se para një muaji ka filluar procesi i gjykimit, për çka shpreson se këto prona t’i kthehen komunës.

Xheladini: Ne jemi të ngulfatur sa i përket zhvillimit ekonomik

“Është prona e AKP-së e marrur pa drejtësisht në kohën e ish-Jugosllavisë, komuna ia ka dhënë një kompanie e cila quhet ‘Sharr Prodhimi’, në shfrytëzim, nuk ia ka falur, por organet e dhunshme atëherë kanë bërë bartjen e kësaj prone nga komuna në kompani. Pastaj, Komuna e Dragashit me vendim të Asamblesë Komunale, e ka bërë bartjen e kësaj prone nga AKP-ja në pronë komunale, dhe ende në regjistrat kadastrale, kjo është evidentuar si pronë komunale. Mirëpo, AKP-ja e ka paditur komunën në gjykatë dhe që mbi 10 vite lënda është në dhomën e posaçme të Gjykatës Supreme dhe sot e kësaj dite nuk kemi përgjigje. Para një muaji ka filluar procesi i gjykimit dhe presim në një vendim të drejtë të gjykatës dhe këto prona t’i kthehen komunës, për arsye se komuna ka mbetur pa prona fare...Ne jemi të ngulfatur sa i përket zhvillimit ekonomik. Unë në vitin e kaluar kam pasur shumë kërkesa, shumë donatorë me dhjetëra milionë që kanë dashur të investojnë, sidomos në blegtori, turizëm dhe në energji të ripërtëritshme, mirëpo për shkak të mungesës së pronës, ne këta investitorë i kemi kthyer mbrapsht", thotë Xheladini.

Ndërkaq, ndarja e buxhetit 2024 për komunat, po konsiderohet si e padrejtë nga kryetari kësaj komune. Sipas tij, qeveria duhet të miratojë sa më parë grantin e katërt të komunave në mënyrë që të bëhet një barazi financiare e komunave.

Xheladini potencon se qeveria do të duhej të përfshihej në ndarjen e mjeteve shtesë për investime kapitale, ngase sipas tij, komunat të cilat kanë të hyra të vogla vetanake kanë më së shumti nevojë për një mbështetje të tillë.

Gjithashtu, ai thekson se Komuna e Dragashit ka marrë vendim kundër faljes së tatimit në pronë, për çka thotë se një veprim ndryshe do të përgjysmonte të hyrat vetanake.

Xheladini: Qeveria duhet të miratojë sa më parë grantin e katërt të komunave

"Jo, nuk e kemi falur për arsye se ne nuk e kemi rritur tatimin në pronë, jo që nuk e kemi rritur por ka zbritje tatimi në pronë për arsye se e kemi ulë normën e tatimit nga 0.18 nën 0.15. Nuk ka pasur nevojë të ulet tatimi në pronë. Edhe ashtu, Komuna e Dragashit ka të hyra të vogla vetanake, 500 mijë euro dhe po ta kisha bërë një gjë të tillë atëherë ne nuk do të kishim fare të hyra vetanake. Do t'i përgjysmonim ato, do t'i kishim 250 mijë euro të hyra vetanake. Mirëpo, popullata dhe taksapaguesit e komunës tonë nuk janë dëmtuar fare...A mendoni se është e mjaftueshme mbështetja e qeverisë? Jo, nuk është e mjaftueshme. Mendoj që qeveria duhet të miratojë sa më parë grantin e katërt të komunave, në mënyrë që të bëhet një barazi financiare e komunave, sepse në bazë të asaj çfarë kemi parë, qeveria ka ndarë mjete për disa komuna, kurse Komunën e Dragashit nuk e ka përfshirë në mjetet shtesë për investime kapitale...Mendoj që është dashur edhe Dragashit, sidomos komunave rurale, komunat të cilat kanë të hyra të vogla vetanake kanë më shumë nevojë”, potencon Xheladini.

Kryetari i Dragashit bëri të ditur se janë në pritje të nënshkrimit të kontratës si fitues të grantit të performacës, bazuar në raportin e auditorit të jashtëm për këtë komunë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat