​Kërkohet integrimi i shëndetit mendor në planprogramin mësimor

Kosova

​Kërkohet integrimi i shëndetit mendor në planprogramin mësimor

Më: 20 shkurt 2024 Në ora: 13:08
Konferenca “Kujdesi për shëndetin mendor në shkollat e Kosovës”, e mbajtur në Prishtinë.

Integrimi i shëndetit mendor në planprogramin mësimor ka një rëndësi të jashtëzakonshme për një arsim dhe shkollë më cilësore. Kështu u tha në konferencën “Kujdesi për shëndetin mendor në shkollat e Kosovës”, të mbajtur në Prishtinë.

Këshilltarja e ministres së Arsimit, Donika Kastrati u shpreh se mbështetja e shëndetit mendor nuk është një detyrë vetëm për shkollat, porse kërkon një përpjekje bashkëpunuese që angazhon familjet, komunitetet dhe politikbërësit.

Kastrati: Kërkon një përpjekje bashkëpunuese që angazhon familjet, komunitetet dhe politikbërësit

“Sot është një moment kyç si politikbërës profesionist, edukatorë të kujdesit shëndetësor dhe drejtues të komunitetit, ne e njohim ndikimin e thellë që ka shëndeti mendor në suksesin akademik, sjelljen dhe mirëqenien e përgjithshme të nxënësve tanë, ne e kuptojmë se mbështetja e shëndetit mendor nuk është një detyrë vetëm për shkollat por kërkon një përpjekje bashkëpunuese që angazhon familjet, komunitetet dhe politikbërësit. Unë besoj thellë se objektivat e kësaj konference janë të qarta, të synojmë të identifikojmë strategji efektive për zbatimin e integruar të qasjeve të shëndetit mendor në shkolla, të shqyrtojmë praktikat e bazuara në hulumtime shkencore rreth shëndetit mendor në shkolla dhe të përpiqemi të zhvillojmë plane konkrete të veprimit për të nxitur partneritete domethënëse. Ne si ministri do të fokusohemi në dy tema kyçe, siç janë integrimi i shëndetit mendor në planprogramin mësimor, ku intervenimi që MASHT ka bërë në këtë drejtim është nëpërmjet kornizës korrikurale për arsimin parauniversitar në Kosovë dhe krijimi i mjediseve të sigurta dhe gjithëpërfshirëse. Do të fokusohemi tek politikat e mbrojtjes së fëmijëve,” u shpreh Kastrati.

Ndërsa, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj shtoi se kjo konferencë dëshmon se bashkërisht mund të ndihmojnë në ndryshimet më të mira për një shkollë dhe arsim më cilësor.

Jasharaj: Së bashku mund të ndihmojmë për një arsim dhe shkollë më cilësore

“Kjo konferencë dëshmon se bashkërisht duke krijuar një front të përbashkët të angazhimeve në shërbim të arsimit mund të ndihmojnë në ndryshimet më të mirë për një shkollë dhe arsim më cilësor, na prift e mbara bashkë,” shtoi Jasharaj.

Se është e rëndësishme që mësuesve t'iu jepet mundësia që përmes zhvillimit profesional të japin më të mirën prej vetes për të punuar për fëmijët, tha drejtoresha ekzekutive e QS, Shaëna Bader-Blau.

Blau: Duhet t’u jepet mundësia mësuesve përmes zhvillimit profesional, që të japin më të mirën

“Puna jonë me sindikatat, qeveritë dhe shoqërinë civile udhëhiqet nga besimi i bazuar në prova reale, mbi 100 vjet eksperimente në nivel global, se drejtësia sociale arrihet më mirë në shoqëritë me lëvizje të forta punëtore, ku punëtorët kanë një vend në tryezën e dialogut me qeveritë dhe punëdhënësit dhe në partneritet me shoqërinë civile për të ndihmuar në arritjen e një shoqërie më të drejtë për të gjithë. Kjo konferencë synon të ndajë kërkimet më të fundit dhe praktikat më të mira, si dhe shëndetin mendor, promovimin, parandalimin dhe ndërhyrjen për nxënësit mësuesit dhe familjet, dhe thekson nevojën për një agjendë të përbashkët familjare të shkollës dhe politikbërësve. Kolegët tanë nga Shtetet e Bashkuara, sindikata e mësuesve amerikanë e quajtur Federata Amerikane e Mësuesve, ne jemi këtu vetëm vitin e kaluar duke vizituar Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe së bashku diskutuam me sindikatat e mësuesve se sa e rëndësishme është jo vetëm të ketë përfaqësim në vendin e punës por edhe që në klasë, mësuesve t'u jepet mundësia përmes zhvillimit profesional përmes një vendi të mirë pune që të japin më të mirën prej vetes për të punuar për fëmijët tanë, njohuritë e tyre, përvojën e tyre, dashurinë e tyre për arsimin në klasë,” tha Blau.

Konferenca dyditore “Kujdesi për shëndetin mendor në shkollat e Kosovës”, konferenca dy-ditore organizohet nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (SBAShK) dhe Qendra Amerikane e Solidaritetit me seli në Tiranë.

Objektivat e kësaj konference janë të synojnë të identifikojnë strategji efektive për zbatimin e integruar të qasjeve të shëndetit mendor në shkolla, të shqyrtojnë praktikat e bazuara në hulumtime shkencore rreth shëndetit mendor në shkolla dhe të përpiqen të zhvillojnë plane konkrete të veprimit për të nxitur partneritete domethënëse.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat