Procesi i vaksinimit HPV po zhvillohet në të gjitha shkollat e Kosovës

Kosova

Procesi i vaksinimit HPV po zhvillohet në të gjitha shkollat e Kosovës

Më: 23 shkurt 2024 Në ora: 10:22
Foto ilustrim

Për herë të parë në shkollat e Kosovës, ka filluar vaksinimi kundër Human Papilloma Virusit, vaksinë kjo që u jepet vajzave të klasave të gjashta me qëllim të mbrojtjes nga kanceri i qafës së mitrës. Institucionet shëndetësore apelojë të gjithë prindërit pa përjashtim t’i inkurajojnë vajzat që ta marrin këtë vaksinë.

Alea Ferizi, nxënëse në Shkollën Fillorë “Pavarësia” në Prishtinë, është vetëm njëra ndër vajzat e klasës së gjashtë që ka marrë vaksinën kundër Human Papilloma Virusit – HPV.

Ajo përmes Radio Kosovës apelon te bashkëmoshataret e saj, që të vaksinohen, sepse siç shprehet ajo, është në të mirën e shëndetit të tyre.

“Unë sapo e mora vaksinën kundër HPV. Kisha pak emocione, por e pashë që nuk është aspak e vështirë dhe ishte pa dhimbje. E di që është për të mirën tonë dhe u bëj apel të gjitha vajzave të klasës së gjashtë që të vaksinohen njëjtë sikur se unë, për të mirën e shëndetit tonë”, tha Alea.

Vaksina kundër Human Papilloma Virusit, është vaksina që mbron vajzat nga kanceri i qafës së mitrës dhe është mburoja kryesore kundër sëmundjeve, kurse parandalon mbi 90 % të kacereve të shkaktuara nga HPV, thonë nga Instituti i Shëndetit Publik në Kosovë.

Faik Hoti, nga ky institucion, thotë për Radio Kosovën që procesi i vaksinimit po shkon mbarë në shkollat e Kosovës.

“Procesi i vaksinimit nëpër shkollat e Kosovës ka nisur mbarë me vaksinimin e vajzave 12 vjeçe. Në disa shkolla ka nisur e në disa pritet të nisë në ditët në vazhdimësi dhe deri më tani janë kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme si infrastruktura dhe sigurimin i nevojshëm i dozave, e po ashtu edhe informimi i prindërve dhe kujdestarëve ligjorë, në mënyrë që të arrihet caku i vaksinimit, e që është 90% i vajzave të moshës 12 vjeçe”, tha Hoti.

Ndërkaq, edhe Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka marrë pjesë në fillimin e vaksinimit kundër Human Papilloma Virusit, në Komunën e Podujevës. Ai apeloi të gjithë prindërit, pa përjashtim, t’i inkurajojnë vajzat ta marrin këtë vaksinë, pasi sipas tij, vaksina është e sigurt, tejet efikase dhe shumë dobiprurëse për shëndetin e vajzave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat