Çmimet e barnave të ndryshme- Ligji edhe pas shtatë muajsh miratim ende s’ka filluar të zbatohet

Kosova

Çmimet e barnave të ndryshme- Ligji edhe pas shtatë muajsh miratim ende s’ka filluar të zbatohet

Më: 26 shkurt 2024 Në ora: 09:47
Foto ilustrim

Qytetarët e vendit po vazhdojnë të përballen me çmime të ndryshme të barnave të njëjta.

Çmimet e barnave të njëjta po dallojnë nga një barnatore në tjetrën.

Ani pse ligji i cili rregullon çmimet e barnave për tregjet publike, por edhe për tregun privat është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 13 korrik të vitit të kaluar.

Kurse, ka hyrë në fuqi në mesin e muajit gusht të po atij viti.

Me këtë ligj ishte parashikuar që deri në mes të dhjetorit të viti të kaluar të bëhej finalizimi i listës së barnave me çmimet e reja.

E, ani pse kanë kaluar më shumë se 7 muaj që ku ky ligj është votuar, i njëjti nuk ka filluar ende të zbatohet.

MSH-ja tregon pse nuk po zbatohet Ligji që rregullon çmimet e barnave

Media për mos fillimin e zbatimit të ligjit që rregullon çmimet e barnave ka pyetur Ministrinë e Shëndetësisë(MSh).

Në këtë dikaster kanë thënë se janë në pritje të një interpretimi ligjor për përbërjen e komisionit.

Kjo, për shkak që dy anëtarët e grupit të komisionit janë në pritje të përgjigjes nga autoriteti kompetent që zbaton LIGJIN Nr. 06/L -011 PËR PARANDALIMIN E KONFLIKTIT TË INTERESIT.

“Ju informojmë se Komisioni ka filluar punën me datë 22/01/24 dhe është në pritje të një interpretimi ligjor rreth përbërjes se komisionit, ku dy nga anëtarët e grupit janë në pritje të përgjigjes nga autoriteti kompetent që zbaton LIGJIN Nr. 06/L -011 PËR PARANDALIMIN E KONFLIKTIT TË INTERESIT NË USHTRIMIN E FUNKSIONIT PUBLIK”, thuhet në përgjigjen e MSh-së për Front Online.

Sipas tyre në momentin e tejkalimit të kësaj situate do të punohet intensivisht që të del lista e re e çmimeve të produkteve medicinale.

Por, nuk kanë treguar se kur pritet të fillojë zbatimi i tij.

“Në momentin që kjo situatë tejkalohet, Komisioni është i gatshëm të punoj intensivisht në mënyrë që Lista e çmimeve të produkteve medicinale të publikohet sa më shpejtë”, thuhet më tutje në përgjigjen e MSh-së.

Nga Ministria e Shëndetësisë nuk kanë dhënë përgjigje kur janë pyetur se a kanë inspektorë të mjaftueshëm për të kryer inspektime nëpër barnatore.

Kanë thënë vetëm se janë duke kryer aktivitete inspektuese në barnatore, depo dhe prodhues farmaceutik sipas planit.

“Inspektorati Farmaceutik ka filluar ti kryej inspektimet duke u bazuar në faktorin e rrezikut, ku qëllim ka identifikimin e rrezikut të lartë i cili ndikon drejtpërdrejtë në shëndetin e qytetarit me c ‘rast me stafin momental ka arritur me sukses t’i identifikoj rreziqet e larta dhe të merren masat bazuar në dispozitat ligjore në fuqi”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.

Zemaj për moszbatimin e ligjit të çmimit të barnave: Mungon vullneti politik për t’u përballur me grupe të fuqishme të tregut të zi farmaceutik, janë edhe vet të implikuar

Ish-ministri i Shëndetësisë, tani deputet i LDK-së, Armend Zemaj po thotë se qeverisja aktuale, njëjtë sikurse edhe në sektorë të tjerë edhe në atë të shëndetësisë ka qenë e interesuar për propagandë.

Këtu sipas Zemajt, nuk bën përjashtim as çështja e rregullimit të ligjit të çmimeve të barnave.

Ish-ministri Zemaj po beson se moszbatimi i këtij ligji nuk ka filluar për shkak që po mungon vullneti politik për t’u përballur me grupe të fuqishme të tregut të zi.

Sipas tij, në këto grupe është e implikuar edhe vet Qeveria.

“Ju kujtoj se krejt ketë proces të vendimmarrjes deri te miratimi i ligjit e ka karakterizuar një plogështi e jashtëzakonshme nga pushteti, por edhe kur ligji kaloi, kemi tash e sa muaj nuk është ndërmarrë asnjë hap për hartimin e udhëzimeve administrative, apo ndonjë hap konkret për zbatimin në praktikë të ligjit, sepse mungon vullneti politik për tu përballur me grupe të fuqishme të tregut të zi farmaceutik, janë edhe vet të implikuar me ndërhyrjen në listën e re të barnave esenciale, andaj qeveria ka zgjedhur heshtjen e jo vetëm që është dorëzuar përballë tyre, por është bërë partner me këta individ e grupe”, ka thënë Zemaj.

Kurse, sa i përket numrit të inspektorëve Zemaj, thotë se janë pak, por se kjo nuk mund të dihet saktë pa filluar zbatimit i ligjit.

“Sa i përket numrit të inspektorëve nuk mund të themi se janë pak, por për këtë nuk mund ta kemi një pasqyrë të saktë kur ende nuk ka filluar të zbatohet ligji në teren, vonesat duket se janë të qëllimshme, që tregojnë edhe njëherë, moskompetencën e Qeverisë Kurti, për secilin sektor, e veçanërisht sektorin e shëndetësisë”, ka shtuar ai.

Haxhiu: Ligji për çmimin e barnave nuk po implementohet, mund të ketë rritje të kontrabandës

Deputeti i PDK-së, njëherit anëtar i Komisionit për Shëndetësi, Bekim Haxhiu ka deklaruar se ani pse ligji që cakton çmimin e barnave ka hyrë në fuqi, i njëjti nuk ka filluar ende të implementohet.

Ai, thotë se derisa nuk ka implementim të këtij ligji mund të ketë rritje të kontrabandës dhe futjes ilegale të barnave në Kosovë.

“Ligji ka hyr në fuqi, por ka probleme në implementim dhe kjo rrezikon rritjen e kontrabandës dhe futjes ilegale të barnave në Kosovë sepse MSH është vonuar në miratim të akteve nën ligjore për ta rregulluar këtë fushë”, është shprehur Haxhiu.

Dreshaj: Arben Vitia duhet të tregoj pse s’po fillon zbatimi i ligjit për çmimin e barnave

Që ligji i cili cakton çmimin e barnave nuk ka filluar ende të implementohet e thotë edhe deputeti i AAK-së, njëherit anëtar i Komisionit për Shëndetësi, Shemsedin Dreshaj.

Ligji ende nuk ka filluar të implementohet. Ne e kemi kry punën tonë si legjislativ dhe implementimi i këtij ligji nuk është proces i joni, është proces i ministrisë”, ka thënë ai.

I pyetur se cilat janë arsyet se përse ky ligj nuk po gjen ende zbatim, ai ka thënë ta pyesim ministrinë e Shëndetësisë, Arben Vitinë.

Mministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në ditën e votimit të këtij ligji ka deklaruar se i njëjti është për të mbrojtur qytetarët nga abuzimi i çmimeve të barnave.

“Sot Kuvendi i Republikës votoi Ligjin për çmimin e produkteve medicinale. Falënderime të gjithë deputetëve të cilët me përkushtim të jashtëzakonshëm punuan që ky ligj të bëhet sot realitet. Të dashur qytetarë, Me këtë ligj nisim një epokë të re për ta mbrojtur secilin prej jush nga abuzimet me çmimet e barnave”, kishte deklaruar Vitia në korrikun e vitit të kaluar.

Ministri ka shtuar tutje se “Na pret një punë e madhe deri tek jetësimi i plotë i Ligjit të ri. Por jemi bërë gati që ta realizojmë pa asnjë vonesë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat