​Mamusha po ballafaqohet me ikjen e të rinjve dhe rënien e natalitetit

Kosova

​Mamusha po ballafaqohet me ikjen e të rinjve dhe rënien e natalitetit

Më: 27 shkurt 2024 Në ora: 09:19
Kryetari i Mamushës, Abdulhadi Krasniç

Pas liberalizmit të vizave në Kosovë, sikur komunat e tjera edhe ajo e Mamushës po ballafaqohet me ikjen e të rinjve. Përveç kësaj, shumë qytetarë po japin dorëheqje nga institucionet publike ku ata punojnë, për të dalë jashtë vendit. Ndërkaq, sfidë për komunën më të re të Kosovës, po konsiderohet të jetë edhe rënia e natalitetit.

Kryetari i Mamushës, Abdulhadi Krasniç në një intervistë për KP thotë se kanë filluar të përballen me migrimin e të rinjve, duke përfshirë edhe punonjësit nga kjo komunë.

Çështje tjetër sfiduese për Mamushën, Krasniç vlerëson të jetë rënia e natalitetit, për çka thotë se duhet gjetur strategjinë e duhur për të stimuluar prindërit për shtimin e popullsisë.

Përveç kësaj, Krasniç potencon se vlera e buxhetit të ndarë për projekte të vitit 2024 është gjysmë milioni euro.

Krasniç: Pas liberalizmit të vizave, qytetarët po japin dorëheqje prej institucioneve

“Tash edhe pas liberalizimit të vizave edhe Komuna e Mamushës e ka atë problemin e ikjes së njerëzve. Kanë nisur njerëzit edhe prej institucioneve të japin dorëheqje, ta lëshojnë punën e shtetit…Problemi më i madh për momentin në Kosovë është nataliteti, është ikja e të rinjve, qytetarëve dhe rënia shumë e lindjeve në Kosovë. Problemi me Serbinë do të kryhet, problemi i punësimit do të kryhet. Por, nataliteti është problemi që e kemi më të madh në Republikën e Kosovës…Qe 13 vjet e kemi subvencionimin e lindjeve, por kjo punë nuk kryhet me komuna, për këtë çështje duhet strategji nacionale për të mbështetur gratë që punojnë. Duhet të gjejnë mënyrat t’i subvencionojnë shumë më shumë gratë punonjëse për mos t’i ikur lindjeve nëse është problemi puna”, theksoi Krasniç.

Kryetari Krasniç thekson se janë në përfundim e sipër të nënshkrimit të marrëveshjes për fillimin e punimeve në shtëpinë e kulturës dhe bibliotekës.

Krasniç: Komplet buxheti i 2024-tës për Mamushën është rreth 500 mijë euro

“Për projektet prej buxhetit të Komunës së Mamushës komplet buxheti ka qenë i 2024-tës, është rreth 500 mijë euro. Ka qenë mirëmbajtja e rrugëve ose kanaleve, objekteve shkollore dhe administrative që i kemi aty. Dihet me 500 mijë euro sa mund të kryesh punë. Por, vjet me Ministrinë e Infrastrukturës kemi pasur një marrëveshje mirëkuptimi për asfaltimin e disa rrugëve në Komunën e Mamushës. Me ministrin e zhvillimit rajonal e kemi pasur mbështetjen për bujqit për sistemin e ujitjes, shërbimin përmes rrymës pronat e tyre. Projekte madhore jemi në përfundim e sipër për të nënshkruar marrëveshjen për Shtëpinë e Kulturës dhe Bibliotekës, bashkërisht Komuna e Mamushës, ministria e Zhvillimit Rajonal dje ministria e Kulturës për këtë projekt”, potencoi Krasniç.

Ndërkaq, kryetari i komunës më të vogël në Kosovë, Abdulhadi Krasniç theksoi se vazhdon kërkesa ndaj qeverisë aktuale për rritjen e stafit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF). Ai shpreson se gjatë këtij viti me rishikim të buxhetit, ose më së largu me atë të vitit 2025 të zgjidhet çështja për shtimin e stafit të QKMF-së.

Krasnic: Kërkesa jonë për buxhet shtesë dhe staf shtesë ka qenë gjithmonë

“Kërkesa jonë për buxhet shtesë dhe staf shtesë ka qenë gjithmonë. Vitin e kaluar të mbërrijmë bazë formulës në arsim shtimin e stafit të mesëm dhe ka qenë mungesë e stafit ajo, por vjet është aprovuar edhe statuti i QKMF-së prej qeverisë, por me Buxhetin 2024 nuk është aprovuar edhe stafi dhe kjo ka qenë kërkesa e jona. Por, është bërë një gabim teknik ose diçka tjetër dhe nuk kemi mundur ta bëjmë shtimin e stafit mbas QKMF-së. Po shpresojmë që këtë vit ose me rishikim buxheti ose me buxhetin 2025 do të futet stafi sa i takon me formulë për QKMF. Për buxhetin mund të them se dy vitet e fundit mbështetja ka qenë pak më e madhe prej qeverisë për Komunën e Mamushës. Sidomos problemi më i madh në Komunën e Mamushës, çdokush e din edhe qeveria edhe ndërkombëtarët, që Komuna e Mamushës nuk e ka pasur ujin e pijes por me vendin të qeverisë në fund të 2023-tës është ndarë një buxhet për ujin e pijes për qytetarët e Mamushës. Po shpresoj që gjatë 2024 ky problem do të përfundojë”, thaKrasniç.

Ndërsa, i pari i kësaj komune tha se nuk kanë votuar pro faljes së tatimit në pronë, meqë komplet vlera e tij është 30 mijë euro, për çka shtoi se qytetarët janë pajtuar me këtë vendim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat