Kërkohet reformë në ligjin për fushën e prokurimit - Shoqëria Civile shpesh “iu çelë sytë institucioneve”

Kosova

Kërkohet reformë në ligjin për fushën e prokurimit - Shoqëria Civile shpesh “iu çelë sytë institucioneve”

Më: 28 shkurt 2024 Në ora: 11:09
Pamje nga vendi i ngjarjes

Në kuadër të Konferencë së Dytë Vjetore “Rritja e Mbikëqyrjes Publike dhe Llogaridhënies Institucionale në Kosovë”, është mbajtur paneli i parë i diskutimit “Mbi praktikat dhe sfidat e prokurimit publik në Kosovë” të organizuar nga organizatat INDEP, GLPS dhe GAP.

Në këtë panel u diskutuan sfidat institucionale në zbatimin e procedurave të prokurimit, procesi i ankimimit dhe vendimmarrja institucionale në prokurimin publik si dhe roli dhe sfidat e OSHP-së në menaxhimin e “listës së zezë” të prokurimit.

Në këtë panel u diskutua nevoja për një reformë imediate të ligjit për fushën e prokurimit.

Avni Sahiti, anëtar në Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, tha se pjesa e planifikimit çalon në pjesën më të madhe të autoriteteve kontraktuese.

Sipas tij, KRPP-ja ka bërë edhe menaxhimin e kontratave ku janë përgatitur edhe modulet e kontratave, por që kjo nuk është përdorur shumë nga ana e autoriteteve kontraktuese.

Ai tha se ky institucion do ta monitorojë këtë pjesën administrative, se pse po ndodhin vonesat ne implementim të kontratave.

“Po ishte një raport shumë profesional me ato gjetje të cilat ballafaqohemi çdo ditë në teren. Mandati i KRPP-së është që të mbikëqyrsh zbatimin e ligjit në prokurimin publik. Kemi 45 mijë opsione që zhvillohen përmes E-prokurimit. Në ditë janë 260 përdorues në sistem nga ana e palëve që janë të interesuara. Pjesa e planifikimit çalon në pjesën më të madhe të autoriteteve kontraktuese. Menaxhimi i kontratave është risi për në. Kemi përgatit edhe modulet e kontratave. Nuk është përdorur shumë nga ana e autoriteteve kontraktuese. Është përdorur me hezitim nga ta. Ne do ta monitorojmë këtë pjesën administrative, pse po ndodhin vonesat ne implementim të kontratave dhe të gjitha modulet do të jenë të qasshme për të gjithë”.

“‘Listë të zezë’ ligji i prokurimit nuk njeh, ka një listë përjashtuese. Për fat të keqe një zbrazëtire ligjore rreth saj ekziston sepse kemi vetëm dy paragrafë që e përshkruajnë situatën si përjashtim. Kjo ka krijuar problem për të gjitha institucionet. Një reformë ligjore në fushën e prokurimit është imediate. Në mungesë të një legjislacioni më të avancuar, më të përshtatshme sa i përket fushës së prokurimit publik”, ka thënë ai.

Isa Hasani, anëtar në Organi Shqyrtues të Prokurimit, ka thënë puna e shoqërisë civile ju hap sytë institucioneve për punën që ata bëjnë.

“Çështja e raportit unë i përgëzoj hartuesit e këtij raportit, është shumë interesant edhe nganjëherë shoqëri civile na qelë sytë, sepse ne nganjëherë nuk e shohim se a po punojmë mirë. Në do ta marrim dhe do ta analizojmë dhe do ta kthejmë një ‘fed back’ për gjetjet që i përkasin OSHP-së. Ka qenë tema më e përfolur e vitit të kaluar kontrata 32 milionë euro e rrugës Podujevë-Prishtinë. Atë vendim unë e kam nënshkruar dhe jam njoftuar me kontratën. Të dy operatorët nënshkrues kanë pasur pothuaj të njëjtat kritere”, ka thënë ai

Gazetarja Saranda Ramaj, ka thënë se shumë kontrata që nënshkruhen e kanë shumë shkelje duke u thirrur në emër të interesit publik.

“Komplet aktiviteti na ka dëshmuar një të vërtetë se çka ndodh me prokurim publik. Disa institucione bëjnë shkelje duke thirrur në interes publik. E kemi parë tek autostrada Prishtinë-Podujevë, çdo vendim nga faza e parë ka shkelje, secili institucion janë thirrur në mbrojtjen e interesit publik. Të vetëdijshëm që ajo kontrate është nënshkruar me plotë shkelje”, tha Rama.

Konsorciumi CorrËatch i përbërë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti per Politika Zhvillimore (INDEP), me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka filluar zbatimin e projektit tre-vjeçar të titulluar: “Mbështetje për Shoqërinë Civile për të Rritur Mbikëqyrjen Publike dhe Llogaridhënien e Institucioneve Publike të Kosovës”. Ky projekt ka në qendër monitorimin e rregullt në pesë fusha kryesore: 1. proceset e rekrutimit në sektorin publik, 2. praktikat e prokurimit publik dhe menaxhimin e kontratave, 3. shpërndarjen e granteve dhe subvencioneve, 4. dhënien e lejeve, licencave dhe tarifave, dhe 5. performancën dhe menaxhimin e ndërmarrjeve publike. Përtej monitorimit, ky projekt gjthashtu ofron ekspertizë dhe mbështetetje të vazhdueshme për institucionet publike për t’i eliminuar parregullsitë dhe shkeljet ligjore që mund të hasen, në mënyrë që të njëjtat të përmirësohen dhe të vendosen praktika të mira.

Kjo Konferencë Vjetore ka për qëllim të shpalos rezultatet dhe sfidat e identifikuara gjatë monitorimit një vjeçar, për periudhën shkurt 2023-janar 2024, për të gjitha fushat e lartëpërmendura, si dhe të shërbej si një platformë për të ofruar rekomandime për përmirësime të nevojshme. Ndër të tjera konferenca synon të ngjallë diskutim lidhur me aspektet kryesore, sfidat dhe praktikat e mira në këto fusha duke mbledhur përfaqësues institucionalë, ekspertë si dhe shoqërinë civile.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat