Vazhdon gjykimi për lokalet e pretenduara në ndërtesën më të lartë në Prishtinë

Kosova

Vazhdon gjykimi për lokalet e pretenduara në ndërtesën më të lartë në Prishtinë

Më: 28 shkurt 2024 Në ora: 23:04
Ilustrim

Në Gjykatën Komerciale u mbajt seanca përgatitore në rastin ku pronari i N.T.P.  “Anea”, Naim Berisha, po vazhdon të kërkojë lokalet në objektin e njohur si më i larti në Prishtinë nga “ENK Invest Group”, i cili sot quhet “Prishtina City Center”.

Në zyrën e gjyqtarit Gent Bekiri i pranishëm ishte vetë pronari i N.T.P. “Anea” Naim Berisha dhe avokati, përkatësisht përfaqësuesi i biznesit të tij, Selim Nikqi.

Ky i fundit deklaroi se mbetet pranë deklarimeve të bëra më herët gojarisht dhe përmes shkresave.

“Mbetem pranë padisë, kërkesëpadisë, si dhe pranë të gjitha parashtrimeve të cilat i kemi theksuar në seancat e mbajtura në Gjykatën Themelore, Departamenti për çështje ekonomike, si atyre të paraqitura gojarisht edhe para atyre të cilat janë paraqitur në formë të shkruar” – ka deklaruar avokati Selim Nikqi.

Ai ka shpjeguar se objekti i kërkesës se padisë ka në themel kërkesat për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve nga marrëveshjet e lidhura nga palët ndërgjyqësore.

“Nga marrëveshjet për ndërtimin e dy objekteve janë paraparë detyrimet e palëve lidhur me ndërtimin e lokaleve. Është paraparë niveli i ndërtesës ku do të ndërtohen lokalet, sipërfaqja e lokaleve, vlera e tyre dhe gjithashtu është paraparë edhe afati për ndërtim dhe dorëzim. Paditësja e ka përmbushur detyrimin nga marrëveshjet. E ka bërë pagesën në tërësi për ndërtim të objekteve. Mirëpo  e paditura edhe pse i ka pranuar mjetet e kontraktuara nuk e ka përmbushur detyrimin e paraparë me marrëveshje ashtu që nuk i ka dorëzuar lokalet e kontraktuara as sot e kësaj dite” – ka thënë avokati Selim Nikqi.

Sipas Nikqit, përveç mospërmbushjes së detyrimit nga e paditura është shkaktuar edhe dëm material i cili konsiston me humbje të fitimit për shkak të pamundësimit të shfrytëzimit të lokaleve të kontraktuara.

Avokati Nikqi gjithashtu tregoi se kanë pranuar aktvendimin e shkallës së dytë të kësaj gjykate.

“Me aktvendimin e gjykatës së shkallës së dytë është dhënë rekomandim që gjykata e shkallës së parë të caktojë marrjen e provës me ekspert të fushës përkatëse i cili me prezencën e palëve do të vërtetojë se a gjenden këto dy lokale afariste e nëse gjenden të identifikojë dhe përcaktojë saktësisht në mënyrë që ato të jenë çështje të identifikuara. Ne pajtohemi me këtë rekomandim të shkallës së dytë por propozojmë që eksperti të jetë i fushës së ndërtimtarisë dhe që detyrat e ekspertit të jenë: të konstatojë nëse për objektet të cilat janë kontraktuar ka ndryshim të projekteve, nëse në nivelin dy ka hapësira afariste, nëse po, të konstatojë se krahasuar me lokacionin ku është kontraktuar ndërtimi i lokaleve, cila pjesë i përgjigjet hapësirave të kontraktuara duke marrë për bazë nivelin ndërtimor, kahun e kontraktuar, sipërfaqen” – tha ndër të tjera avokati i palës paditëse.

Sipas tij, sqarimi i këtyre çështjeve do t’ua japë mundësinë që të bëjnë precizimin e kërkesëpadisë sa i përket pjesës së hapësirave te cilat sipas marrëveshjeve do t’i takojnë paditësit.

Avokati gjithashtu tha se në procedurën paraprake eksperti financiar për konstatimin e lartësisë së dëmit ka marrë për bazë lartësinë e qirave në rrugën “Luan Haradinaj”, ku hapësirat e marra me qira janë të standardit më të ulët në qytet, andaj dhe qiratë kanë qenë shumë të ulëta.

“Për këtë arsye ekspertiza e ekspertit Emin Blakaj kërkoj t’i kthehet të njëjtit në plotësim me rekomandimin që lartësinë e dëmit ta llogarisë mbi bazën e qirave të cilat paguhen për objektet e standardeve më të larta në Prishtinë dhe rrethinë, siç është “Albi Mall”, “Royal Mall” etj.” – shtoi avokati.

“Pra mbi këtë bazë të caktohet dëmi mbi fitimin e humbur nga data 01.08.2014”.

Krejt në fund të fjalës së tij, avokati i palës paditëse shprehu edhe gatishmërinë e N.T.P. “Anea” për të arritur marrëveshje.

“Ne jemi gati në çdo moment për marrëveshje, nëse ka ofertë reale“ – u shpreh avokati Selim Nikqi.

Kurse avokati i palës së paditur, Atdhe Dika, tha se mbesin në tërësi pranë kundërshtimeve të prezantuara si në parashtresat e dorëzuara lidhur me këtë çështje dhe theksimeve si në seanca.

Më tutje Dika u shpreh se asnjëra nga aktet e cekura në këtë seancë nga i autorizuari i paditësit nuk e përmbushin kushtin e paraparë ligjor që mbi bazën e të njëjtave të regjistrohet pronësia në paluajtshmëri.

Avokati i “ENK Invest Group” kontestoi edhe propozimet e avokatit të palës tjetër ndërgjyqësore.

“Për sa u përket propozimeve të paditësit si në këtë seancë fillimisht kontestohet lëmia e ekspertit të propozuar pasi që duke pasur parasysh urdhrin, respektivisht udhëzimin e dhomave të shkallës së dytë, dhoma e shkallës së parë udhëzohet që të vërtetojë nëse njësitë afariste për të cilat në fakt ka caktuar masën e sigurimit dhoma e shkallës së dytë ekzistojnë ose jo në objektin ndërtimor në fjalë. Prandaj konsiderojmë që një vërtetim i tillë bie në fushën e gjeodezisë dhe jo të ndërtimtarisë” – deklaroi avokati Atdhe Dika.

Në emër të palës së paditur avokati Dika tha që e kundërshtojnë mënyrën se si është propozuar nxjerrja e provës në tërësi, ndërsa deklaroi se dakordohen të respektohet në tërësi udhëzimi sipas aktvendimit të dhomave të shkallës së dytë.

E kundërshtime avokati shfaqi edhe për propozimin e dytë të palës paditëse.

“Për sa i përket propozimit për nxjerrjen e provës me ekspertizë financiare ky propozim kundërshtohet me të vetmin fakt pasi që palët me rastin e krijimit të raportit kontraktues e kanë paraparë edhe mundësinë e shpërblimit në rast të vonesës e që e kanë kontraktuar kamatëvonesën që të kalkulohet sipas eurolibor. Në kuptim të ekspertizës financiare të nxjerrë në këtë çështje rezultati është dhënë, respektivisht konstatimi i ekspertit prandaj nxjerrja e një prove shtesë edhe nuk është udhëzim decidiv i dhomës së shkallës së dytë” – përfundoi avokati i “ENK Invest Group”, tashmë i njohur si “Prishtina City Center”.

Pas kësaj Gjykata duke vepruar edhe sipas sugjerimeve dhe vërejtjeve të shkallës së dytë të kësaj gjykate për sqarim lidhur me kërkesat e paditësit N.P.T “Anea”, mori aktvendim që t’i kthehet në plotësim padia e datës 04.05.2018 ashtu që në afat prej 3 ditësh duke filluar nga dita e nesërme ta plotësojë, përkatësisht precizojë, padinë duke rregulluar padinë dhe duke përcaktuar qartë kërkesëpadinë.

“Do të konsiderohet se është tërhequr padia po qe se nuk i kthehet gjykatës brenda afatit ligjor e në qoftë se kthehet pa u korrigjuar, gjegjësisht pa u plotësuar, do të hidhet poshtë” – qartësoi Gent Bekiri.

Lidhur me propozimin për nxjerrjen e provave nga lëmi i ndërtimtarisë dhe financiare gjyqtari Gent Bekiri tha se këto propozime do t’i vlerësojë në seancën e radhës ose jashtë seance varësisht nga veprimi i palës aktive në procedurë sipas obligimeve të dispozitivit.

Në vitin 2009, Naim Berisha dhe Azem Salihu vendosën t’i bashkojnë mjetet e tyre me kompaninë “ENK Invest Group” SH.A. që vetëm se kishte filluar ndërtimin e objektit që atë kohë flitej që do ishte mbi 40-katësh.

Dy biznesmenë nga Prishtina blenë lokale në ndërtesën shumëkatëshe që po ndërtohet në qendër të Prishtinës.

Kontratat ishin nënshkruar me një kompani që udhëhiqej nga një shtetas nga Maqedonia e Veriut, ndërsa investitori i ri që bleu aksionet nuk pranon t’i ofrojë lokalet e kontraktuara mirëpo pretendon se mund t’ua kthejë paratë biznesmenëve.

Të dhënat tregojnë që kontesti për këta biznesmenë është duke u endur në gjykatat e vendit për më shumë se katër vite ndërsa çështja është gjykuar me standarde të ndryshme në dy situata.

Kur Gjykata e Prishtinës gjykoi çështjen e biznesmenit Salihu atij iu dha të drejtë. Çështja u kthye në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Një dosje e ngjashme për biznesmenin Berisha u gjykua ndryshe nga Gjykata e Prishtinës, e cila nuk i dha të drejtë këtij të fundit. Çështja është në Gjykatën e Apelit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat