​Nushi: Nagavci po e prish imazhin e Kosovës

Kosova

​Nushi: Nagavci po e prish imazhin e Kosovës

Më: 7 mars 2024 Në ora: 16:48
Nol Nushi

Me një “librezë” me plotë njësha, e të vendosur fotografinë e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, Partia Socialdemokrate ka zhvilluar një aksion simbolik sot në Bibliotekën Kombëtare, ku pritej të mbahej fjalimi i kryeministri, Albin Kurti dhe Nagavcit.

Pa paralajmërim, rreth dhjetë aktivistë të PSD-së organizuan këtë aksion ku kritikuan ashpër ministren Nagavci për mos udhëheqje të mirë të arsimit.

Sekretari i PSD-së, Nol Nushi tha se u është kërkuar që ta lëshojnë sallën ku do të zhvillohej ngjarja, me rastin e Ditës së Mësuesit, ngase u ishte thënë se këta të fundit po i prishin imazhin ministres Nagavci.

Lidhur me këtë, Nushi theksoi se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci është ajo që i ka prishur imazhin Kosovës, sipas tij duke e shkelur Kushtetutën, duke dështuar në sigurimin e librave për nxënësit, shkelur sindikatën e arsimit e duke dalë thuajse të fundit në testin PISA.

Ai shtoi se do të vazhdojnë me kundërshtime e protesta ndaj qeverisë aktuale, ngase sipas tij udhëheqësit e saj po gënjejnë, mashtrojnë e po i shkelin punëtorët arsimor.

Nushi: Shkelja e Kushtetutës më dy këmbë, për favore politike, imazhin e kujt e prish?

“Ka një kërkesë që ne ta lëshojmë sallën, sepse po thonë që i prishet imazhi ministres së arsimit. Pra, ka një kujdes të veçantë që mos t'i prishet imazhi ministres. Por, rezultatet e ministres, imazhin e kujt po e prishin në Kosovë? Premtimet e rreme për çerdhe kujt ia prishin imazhin në Kosovë? Shkelja e Kushtetutës më dy këmbë, për favore politike, imazhin e kujt e prish? Dështimi për t'i furnizuar nxënësit me libra shkollorë kujt ia prish imazhin. Fyerja e përditshme e punëtorëve arsimor, e sindikatave, shkelja e sindikatës së arsimit, imazhi e kujt e prish? A po kujdeset kjo ministre për imazhin e mësuesve apo imazhin e vet? A po e dërgojnë policinë për t'i ruajtur arsimtarët prej këtyre politikanëve që po i shkelin për çdo ditë? Sigurisht që jo. Këta po mendojnë që mund të gënjejnë, mund të keq qeverisin, të mashtrojnë, t'i shkelin punëtorët arsimor, t'i shtypin grevat, të vendosin të fundit në testin PISA, mos ta mbajnë asnjë premtim, dhe po presin që ne t'i presim me lule a?", thaNushi.

Me krijimin e kësaj situate, zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë arrestuar disa nga aktivistët e PSD-së, pasi këta të fundit nuk kanë pranuar që të largohen nga aty. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat