​Dita Botërore e Veshkave, nefrologu: Diabeti e hipertensioni, armiqtë e veshkave

Kosova

​Dita Botërore e Veshkave, nefrologu: Diabeti e hipertensioni, armiqtë e veshkave

Më: 14 mars 2024 Në ora: 15:37
Ibrahim Rrudhani

Diabeti dhe hipertensioni janë ndër shkaktarët kryesor për sëmundjen e veshkave. Te mbi 30 për qind të pacientëve në Kosovë që janë në dializë ose kanë pamjaftueshmëri kronike terminale, faktor kryesor konsiderohen të jenë diabeti tip 1 dhe tip 2, hipertensioni, sëmundjet policistike dhe trashëguese duke përfshirë edhe infeksionet urinare.

Kështu thotë nefrologu në Qendrën klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Ibrahim Rrudhani sot në Ditën Botërore të Veshkave, derisa kërkon nga pacientët që të jenë më të përkushtuar në trajtimin e shkaktarëve që po sjellin probleme me veshka.

Për kp, Rrudhani potencon se kanë shënuar Ditës Botërore të Veshkës me moton “Veshkat e shëndetshme për të gjithë”, për mirëmbajtjen dhe ruajtjen e shëndetit të veshkave.

Rrudhani: Diabeti dhe hipertensioni shkaktarët kryesorë për sëmundjen e veshkave

"Kemi realizuar promovimin e shëndetit këtë rast për mirëmbajtjen dhe ruajtjen e shëndetit të veshkave. Postulati i këtij viti është 'Veshkat e shëndetshme për të gjithë', duke pasur parasysh që organizmi është një tërësi, nuk mund t’i ndash veshkën, zemrën, çdo dëmtim i veshkës rrit edhe sëmundjet e zemrës, mëlçisë, trurit...Në botë, sipas OBSH-së 10 për qind e të gjithë njerëzimit, nëse në botë llogariten mbi 7 miliardë njerëz, janë 10 për qind e kësaj popullate është e atakuar nga një sëmundje e veshkave. Pamjaftueshmëritë e veshkës ndahen nga një deri në pesë shkallë. 10 për qind e këtij komuniteti është e atakuar nga një shkallë e pamjaftueshmërisë së veshkave...Shkaktari më i shpeshtë, me mortalitet dhe sëmundje më të madhe është diabeti tip 1 dhe tip 2, ose sëmundja e sheqerit, për shkak të mos trajtimit adekuat ose mostrajtimit të duhur dhe sheqerit. Pastaj vijnë komplikimet primare dhe sekondare që shoqërohen me pamjaftueshmëri të veshkave”, thotë Rrudhani.

Nefrologu Ibrahim Rrudhani thotë se në Klinikën e Nefrologjisë të QKUK-së, dominojnë rastet kur sëmundja e veshakëve shkaktohet nga diabeti.

Ai thekson se një diabet i mirë menaxhuar dhe mirë kontrolluar parandalon edhe komplikacionet sekondare siç janë veshkat, që sipas tij ndikojnë në shëndet dhe kufizojnë aftësitë për punë.

Rrudhani: Një diabet i kontrolluar parandalon komplikimet sekondare siç janë veshkat

"Edhe në Kosovë po edhe në klinikën tonë dominojnë pamjaftueshmëria e shkaktuar nga diabeti. Nëse 36.5 për qind e të gjithë pacientëve që janë në dializë ose kanë pamjaftueshmëri kronike terminale janë shkaktarë diabeti tip 1 dhe tip 2, ose më shumë tip 2...Pastaj, është hipertensioni është shkaktari i dytë dhe sëmundjet e tjera me radhë që janë sëmundjet policistike dhe sëmundjet trashëguese, pa i lënë pas edhe infeksionet urinare...Një diabet i mirë menaxhuar dhe mirë kontrolluar parandalon edhe komplikimet sekondare siç janë veshkat që të lidhin për aparati ose kufizojnë aftësitë për punë, që i kushton shtetit, familjes, shoqërisë dhe vetë individit...Realisht 10 për qind e të gjithë atyre pacientëve që në Kosovë llogariten 880 pacientë që janë më pamjaftueshmëri", potencon Rrudhani.

Përveç këtyre, Rrudhani foli edhe barnat esenciale dhe kushtet në këtë klinikë, për çka potencon se janë të mirë furnizuar me ilaçe.

Ndërkaq, sa i përket kushteve thotë se janë optimale, derisa shton se Klinika e Nefrologjisë si qendër e vetme terciare në Kosovë, trajton pacientët me sëmundje me protokoll të veçantë në diagnostifikim, por edhe të atyre terminale.

Rrudhani konsideron se rritja e stafit do të ishte e nevojshme, për shkak se sipas tij përveç mjekimit, duhet bërë edhe promovimi i shëndetit.

Rrudhani: 99 për qind e pacientëve dializën për herë të parë e fillojë në Kosovë

"Për shumicën e sëmundjeve, ose mos të them për 100 për qind për material të dializës dhe material të fazës terminale ka, është 100 për qind i garantuar nga shteti. Pastaj për pacientët e posttransplatuar, por edhe për sëmundje tjera ose shkaktarë të tjerë...Barnat për korrigjimin e tensioni janë në listën esenciale dhe realisht ka gjithherë në klinikë. Barna për trajtimin e diabetit ka në klinikë gjithherë, nevojitet një përkushtim pak më i madh i pacientit ta marrë me kohë dhe dozë të caktuar...Kushtet janë mos të them optimale, nuk janë në Kosovë askund, bile tek ne për shkak se ne jemi qendër e vetme terciare në Kosovë ku të gjithë pacientët në fazën qoftë për trajtimin e sëmundjeve me protokoll të veçantë në diagnostikim, por edhe në trajtimin të sëmundjeve terminale. 99 për qind e pacientëve dializën për herë të parë e fillojë në Kosovë...Sa i përket kuadrit mendoj që ka kuadër të mjaftueshëm, jemi 12 nefrologë në QKUK që punojmë...Besoj që ka nevojë më shumë sigurisht sepse nuk është vetëm mjekimi por edhe promovimi i shëndetit ", përfundon Rrudhani.

Ndryshe, 9 Marsi njihet si Dita Botërore e Veshkave, e cila është një ditë e veçantë që festohet për të tërhequr vëmendjen ndaj shëndetit të veshkave dhe për të rritur ndërgjegjësimin në shoqëri.

Veshkat kanë për detyrë pastrimin e substancave dhe ruajtjen e ekuilibrit të lëngjeve. Derisa miliona njerëz në mbarë botën luftojnë me sëmundjet e veshkave, por ato mund të zbulohen herët ose të parandalohen.

Sot, në shënimin e kësaj dite, Klinika e Nekrologjisë, Shoqata e Nefrologëve të Kosovës në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës në sheshin “Xhorxh Bush” organizuan aktivitetin me temën: ”Veshkë të Shëndetshme për të gjithë”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat