AKT Prime mundësoi komunikimin ndërmjet nivelit qendror dhe lokal

Kosova

AKT Prime mundësoi komunikimin ndërmjet nivelit qendror dhe lokal

Më: 9 mars 2017 Në ora: 13:22
Drejtori i misionit të USAID-it në Kosovë, James Hope

Programi i USAID-it “Avancojmë Kosovën së Bashku” që ka zgjatur tri vjet dhe që ka pasur për qëllim të përmirësojë bashkëpunimin dhe ndërveprimin konstruktiv ndëretnik, veçanërisht në mes komunitetit shumicë dhe komunitetit jo shumicë, u konsiderua si i suksesshëm.

Kjo pasi që sot në konferencën përmbyllëse të këtij projekti u tha se është arritur që të fshihet nga lista e sfidave, sfida e komunikimin ndërmjet nivelit qendror dhe lokal.    

Drejtori  i misionit të USAID-it në Kosovë, James Hope, tha se misioni të cilin e udhëheq në Kosovë ka dy qëllime, e që sipas tij janë kulmore si nxitja e zhvillimit ekonomik dhe sundimi i ligjit.

Hope: USAID ka për qëllim zhvillimin ekonomik dhe sundimin e ligjit

“Për ne në USAID dhe prezencën tonë më të gjerë të qeverisjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës kemi dy qëllime kulmore.  E para është nxitja e zhvillimit ekonomik dhe ndërsa tjetri është sundimi i ligjit, apo sundimi i të drejtës. Këto janë thelbësore për ngritjen e standardit të jetesës së të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe kjo është arsyeja se pse AKT-ja ka qenë aq e rëndësishme sepse ka ndihmuar shumë ne realizimin e këtyre dy qëllimeve”, tha Hope.

Sipas tij, programi AKT Prime ka arritur që të përfshijë të gjithë sektorët që ka pasur të bëjë me gjithpërfshirjen, me qeverisjen e mirë, me një shoqëri civile të fuqishme dhe me zhvillim ekonomik lokal.

Gjithashtu ai tha se projekti AKT ka bërë që të dëgjohet zëri i të gjithëve në 16 komuna të Kosovës.

Hope: AKT ka bërë që të dëgjohet zëri i të gjithëve

“Kjo është një përpjekje afatgjate dhe mbesin shumë sfida sa i përket rritjes së besimit reciprok dhe krijimit të lidhjeve në mes komuniteteve shumicë dhe jo shumicë, sidomos integrimin e komunave veriore në sistemet administrative të Kosovës. Mirëpo, ne duhet të vazhdojmë punën sepse Kosova nuk mundet të arrijë qëllimet e  veta zhvillimore pa e përfshirë kontributin e të gjithëve dhe pa e pasqyruar diversitetin e këtij vendi. Prandaj ne duhet të iu qasim problemeve në  nivelin komunal, mu ashtu siç ka bërë programi AKT. Puna në nivelin e komuniteteve siguron se do të dëgjohet zëri i të gjithëve dhe kjo është ajo që ka bërë programi AKT në 16 komuna ane e mbanë Kosovës”, tha Hope.

Drejtor i Misionit të USAID-it në Kosovë përmendi grantin për avancimin e përkthimit që programi AKT ka bërë për komunën e Zubin Potokut, e që sipas tij ky grant ka bërë që këshilltarët e asamblesë komunale të mund të komunikojnë mes vete.

Ndërsa, Rozafa Ukimeraj, sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal,  tha se projekti i USAID-it “Ta avancojmë Kosovën” ka mbështetur Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe komunat partnere.

Ajo tha se për herë të parë së bashku me projektin e USAID-it kanë arritur ta fshijnë nga lista e sfidave komunikimin ndërmjet nivelit qendror dhe lokal.

Ukimeraj: Bashkërisht me projektin kemi fshirë shumë sfida

“Bashkërisht me projektin ‘Ta avancojmë Kosovën së bashku’ për herë të parë kemi arritur të fshijmë nga lista e sfidave komunikimin ndërmjet nivelit qendror dhe lokal. Partneriteti dhe bashkëpunimi disa vjeçar ndërmjet nivelit qendror dhe nivelit lokal sigurisht se ka dhënë rezultate shumë inkurajuese edhe sa i përket zbatimit të ligjshmërisë në komuna. Në vitin 2016 niveli i shkeljeve ligjore është vetëm nën nivelin 1. 21 përqind krahasuar me shifra shumë të larta në vitet paraprake. Prandaj, për herë të parë evidentohet edhe suksesi i komunave në tre fushat kryesore; zbatimi i ligjshmërisë sa i përket vendimeve komunale, koordinimi dhe implementimi i agjendës evropiane dhe rritja e komunikimit ndërmjet nivelit qendror dhe lokal”, tha ajo.

Kryetari i Komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri tha se kjo komunë ka qenë në partneritet me USAID-in për këtë projekt, duke shtuar se programi AKT iu ka ndihmuar që të realizojnë qëllimet e tyre më shpejt dhe në mënyrë më efikase.

Muhaxheri: AKT na ka ndihmuar në realizimin e prioriteteve tona

“Nga prilli i vitit 2014 programi i USAID-it, AKT është bashkuar në rrugëtimin tonë si udhëheqës të zgjedhur. Në udhëtimin tonë për të krijuar mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët tonë pa dallim, prandaj sot ndihmën shumë i lumtur që ky program tre vjeçar ka rezultate të larta dhe të pakontestueshme. Programi AKT na ka ndihmuar në realizimin e prioriteteve tona më shpejt dhe në mënyrë më efikase”, tha ai.

Ndërsa, Natasa Trifunoviq, koordinatore e grupit punues për planin e veprimit për përmirësimin e shërbimeve në komunën e Zubin Potokut, tha se kjo komunë shte e gatshme të bashkëpunonte me USAID-in dhe kanë arritur t’ i përmbushin të gjitha qëllimet.

Trifunoviq: Kemi arritur të gjitha qëllimet tona

“Jo vetëm që kishim bashkëpunim të mirë, përderisa ishte bashkëpunimi me USAID-in dhe unë nuk do të gaboja sikur të pohoja që USAID ishte miku më i mirë gjatë këtyre ditëve gjatë angazhimit tonë dhe punës së përbashkët. Përveç integrimit që kishim komuna e Zubin Potokut ishte e gatshme të bashkëpunonte me USAID-in dhe kemi arritur shumë lehtë të kontaktojmë dhe të i arrijmë qëllimet tona”, tha Trifunoviq.

Programi i USAD-it “Avancojmë Kosovën së Bashku” ka vepruar në partneritet të drejtpërdrejt me 16 komuna të Kosovës, siç kanë qenë komuna e Graçanicës, Kllokotit, Novobërdës, Parteshitn, Ranillugut, Shtërpcës, Gjilanit, Istogut, Klinës, Obiliqit, Pejës, Mitrovicës së Veriut, Vushtrrisë, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat